Lajme

Pas një krize të gjatë numri i martesave të shtetasve shqiptarë shënon rritje të ndjeshme

Të dhënat nga statistikat e ndryshme të gjendjes civile në Shqipëri, thonë se edhe pse viteve të fundit ka pasur ulje të numrit të martesave, në vitin 2013, megjithatë, kursi i martesave të shtetasve, ka shënuar rritje.

Sipas një publikimi lidhur me numrin e martesave dhe divorceve të shënuara në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile që e ka realizuar  Open Data Albania, në pesë vitet e fundit (2009-2013) numri i martesave ka ardhur duke u ulur për të shënuar në vitin e fundit një ngritje me vetëm 4 për qind krahasuar me vitin pararendës.
“Nëse në vitin 1990 shënohen njëzetetetëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy martesa në vitin 2013 shënohen njëzetë e tremijë e tetëqind e njëzet. Pra, në harkun kohor të njëzetë e tre viteve numri i martesave ka pësuar një rënie prej 18 për qind”, bënë të ditur raporti i përditësuar i Open Data Albania.
 
Sipas këtij raporti, qarku me numrin më të lartë të martesave është ai i Tiranës në të cilin në vitin 2013 janë kurorëzuar në martesë 5 231 çifte. Ky qark përbën 22 për qind të totalit të martesave të këtij viti. Qarqe të tjera që kanë pasur numër të madh martesash janë dhe Elbasani, Fieri e Durrësi me mbi dymijë martesa të regjistruara pranë Gjendjes Civile.
 
Open Data Albania ka gjetur se në raport të zhdrejtë me martesat numri i divorceve ka pësuar rritje në këto 23 vite. Nga dymijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë divorce të shënuara në vitin 1990, në tremijë e shtatëqind e dyzetë e shtatë në vitin 2013.
 
“Dy indikatorë që tregojnë ndryshimin e sjelljes sociale në vendin tonë janë dhe koeficienti bruto i martesës si dhe koeficienti i divorcit.  Koeficienti bruto i martesës është numri i martesave për 1.000 banorë, në një vit të dhënë, ndërsa koeficienti i divorcit është numri i divorceve për 100 martesa në një vit të dhënë” thuhet më tej në raport.
 
Ndryshe, të  dhënat nga statistika e Gjendjes Civile në  Shqipëri,  thonë se në vitin 1990, për njëmijë banorë realizoheshin 8.9 martesa, ndërsa në vitin 2013 ky indikator ishte 8.2. Ky koeficient përmban një mundësi të lartë gabimi për shkak të metodologjisë përllogaritëse nga Instituti i Statistikave. Ndërsa numri i martesave merret nga Regjistri Kombëtar ku shënohen edhe martesa të shtetasve shqiptarë jorezident në vend, popullsia llogaritet sipas Censusit të fundit, ku nuk shënohen emigrantët rezidentë në vende të huaja por ende me shtetësi shqiptare.