Lajme
Shifra shqetësuese për azil-kërkim
Në vitin e kaluar në Zvicër kanë kërkuar azil 550 kosovarë, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë kërkuar azil 305 qytetarë të Kosovës, deklaroi ministri Makolli
Institucionet kosovare nuk kanë ndonjë shifër të saktë se sa shtetas të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, por vlerësimet aproksimative flasin për shifra shqetësuese. Vetëm në Hungari janë identifikuar rreth 500 azilkërkues të rinj, të cilët pritet të kthehen së shpejti në Kosovë.
Megjithatë, sinjalet e fundit që vijnë nga Prishtina zyrtare tregojnë se BE nuk pranon me refugjatë. Ky mesazh duket e ka hasur dhe po hasë në vesh të shurdhër, sepse kërkesat e azilkërkimit janë rritur dukshëm edhe në vendet si Zvicra, Lihtenshtajni dhe Luksemburgu.
Sipas statistikave që kanë dhënë zyrtarët në Bruksel, mbi 11 mijë kosovarë kanë shkuar në Evropë gjatë vitit 2012, pa llogaritur edhe ata që shkojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, e vende tjera.
Këto të dhënat po ashtu tregojnë se prej këtyre 11 mijë azilkërkuesve, shtetet evropiane 7 mijë prej tyre i kanë refuzuar, 1 mijë u kanë dhënë leje qëndrimi të përkohshëm, ndërsa rreth 3 mijë të tjera janë ende në shqyrtim.
Ndërsa vetëm gjatë këtij viti, numri i atyre që kanë mësyrë Evropën është shumë i madh, që tejkalon të gjitha parashikimet. Vetëm në Hungari janë rreth 500 kosovarë të ngujuar nëpër kampe refugjatësh.
Në Hungari u krijua imazhi më i keq për Kosovën
Analistët në Prishtinë këtë shifër e shohin shqetësuese, madje akuzojnë autoritetet se nuk po bëjnë asnjë përpjekje për t’u krijuar kushte të rinjve që të qëndrojnë në atdhe.
“Refugjatët e Kosovës në Hungari janë imazhi më i keq që ka mund t’i ndodh Kosovës në arenën ndërkombëtare. Problemi i refugjatëve në Hungari është i karakterit social dhe ekonomik, me disa nuanca edhe të krimit të atyre që merrem me trafikimin e njerëzve”, deklaroi analisti Naim Gashi.
Karakteri social i këtij problemi, sipas tij, ka të bëjë me gjendjen e rëndë sociale me të cilën përballen ata që kanë emigruar. Po të kishte një politikë më adekuate sociale, siç tha ai, nuk do të kishte nevojë që ata të emigrojnë.
“Ndërsa esenca e problemit të migrimit qëndron tek shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë. Për shkak të problemeve politike me të cilat përballet vendi ynë, dialogu me Serbinë dhe veriu i vendit është në agjendën kryesore politike, ndërsa zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës nuk po merr përkushtimin e merituar”, deklaroi ai.
Shteti, sipas tij, e ka për obligim që t’i luftojë trafikantët të cilët po përfitojnë në kurriz të njerëzve hallexhinj të cilët të mashtruar se do të gjejnë një jetë më të mirë rrezikojnë buxhetet familjare, duke u zhytur në borxhe për të emigruar jashtë Kosovës.
“Evitimi i radhëve të gjata të refugjatëve kosovare nuk pengohet duke bunkerizuar kufijtë e Kosovës, siç po pretendojnë disa, ky problem zgjidhet duke inkurajuar investime të jashtme dhe të brendshme dhe duke krijuar vende pune”, deklaroi analisti Gashi.
Refugjatët në Hungari, janë imazhi më i keq që i ka dhënë Kosovës jashtë. Pamjet e kosovarëve nëpër kampet e Hungarisë, kanë ngjallë reagime gjitnadej opinionit kosovarë e ndërkombëtarë.
Artan Behrami është zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Kosovë. Ai tha se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes Ambasadës në Hungari është duke përcjell me vëmendje zhvillimet që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës, të cilët aktualisht ndodhen në Hungari.
“Sipas informacioneve të fundit të ofruara nga autoritetet hungareze, numri i shtetasve kosovarë që janë kapur duke tentuar të futen ilegalisht në Hungari, ditëve të fundit ka pësuar rënie dhe se numri aktual i shtetasve të Kosovës që presin kthimin është rreth 500”, deklaroi ai.
Refugjatët po trajtohen mirë
Në pyetjen se si është gjendja e refugjatëve kosovarë, ai tha se sipas informatave nga autoritetet në Budapest, gjendja e kosovarëve atje është e mirë, ndërsa trajtimi është sipas normave ndërkombëtare të refugjatit.
“Ne në vazhdimësi marrim informacione për vendndodhjen, trajtimin si dhe aspektet tjera që lidhen me akomodimin e përkohshëm të tyre, me ç’rast autoritetet hungareze kanë siguruar se qytetarët e Kosovës janë duke u trajtuar në përputhje me standardet evropiane që lidhen me trajtimin e azilkërkuesve”, tha ai.
Pas konsultimeve me autoritetet hungareze dhe shtetasit kosovarë që janë të vendosur në qendra të ndalimit dhe pranimit të azilkërkuesve, MPJ është informuar se kushtet e jetesës, shërbimet dhe ushqimi i tyre është në nivel.
“Iu ofrohet mundësi e komunikimit me telefon dhe internet, dhe se nuk ka evidencë të keqtrajtimit fizik apo ofendimit”, tha ai.
Behrami tha se MPJ është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet hungareze lidhur me lehtësimin e procedurave të kthimit, rrjedhimisht kthimin sa ma të shpejtë të tyre në Kosovë.
“MPJ, përmes Ambasadës në Hungari, dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet hungareze do të angazhohet fuqishëm për të ofruar çdo lloj asistence rreth trajtimit dhe procedurave të tjera deri në kthimin e qytetarëve të Kosovës në vendlindje”, deklaroi ai.
Në Zvicër, 305 azilkërkues brenda këtij viti
Ndërsa ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se shifrat e kërkim-azilit në BE janë mjaft shqetësuese. Ai tha se kjo shifër është më e madhe, kur krahasohet me numrin e refugjatëve kosovarë gjatë vitit të kaluar.
Ai këtu mori shembull edhe Zvicrës, Lihtenshtajnin dhe Luksemburgun, ku numri i refugjatëve kosovarë ka qenë shumë i vogël.
“Në këtë shtete janë shtuar dukshëm kërkesat për azil, që për neve është shumë shqetësuese. Në vitin e kaluar në Zvicër kanë kërkuar azil 550 kosovarë, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë kërkuar azil 305 qytetarë të Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas Makollit, janë tri lloj refugjatësh në Zvicër: ata që shkojnë drejtpërdrejt nga Kosova në Zvicër; Ata që kanë humbur të drejtën tjetër në një vend tjetër dhe janë këtyre në Zvicër për azil të ri dhe janë shtetasit e huaj nga Serbia, Bullgaria, Shqipëria që kërkojnë azil në emër të kosovarëve.
Siç tha Makolli, shqetësim për Kosovën paraqesin kosovarët që kërkojnë azil të drejtpërdrejt, ndërsa të tjerët janë më pak problem.
Si do që të jetë, azilkërkimi mbetet njolla më e madhe në imazhin e Kosovës në botë, sikurse mbetet sfida e pakapërcyeshme e Prishtinës zyrtare për plotësimin e kritereve për liberalizim të vizave.
Ndalimi i azilkërkimit të rremë dhe kthimi dhe riintegrimi i tyre në Kosovë, janë kushtet themelore për viza.
Numri i azilkërkuesve nëpër vite
Vitin 2010 : 14310 azilkërkues; Viti 2011 : 9790 azilkërkues; Viti 2012 : 11 135 azilkërkuesl. Shteti evropian ku më së shumti drejtohen për azil kosovarët mbetet Franca, pastaj është Gjermania, Belgjika, Suedia, Austria e të tjera. 40 për qind e atyre që kërkojnë azil janë të moshës 18 – 35 vjeç.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”











