Shkurt.ch

Swisscoy, pa mbështetjen e shumicës në Zvicër?

60% e mbështesin një angazhim tërësisht civil, 2.6% janë për angazhim ushtarak ndërsa një e treta, për një kombinim të angazhimeve civile dhe ushtarake

Misioni Swisscoy i forcave ushtarake të Zvicrës në Kosovë nuk gëzon mbështetjen e shumicës së popullatës. Kjo rezulton, të paktën nga një sondazh që e ka realizuar fondacioni paqësor zviceran “Swisspeace”. Sigurisht, ndaj një sondazhi të një organizate të profilizuar pacifiste si “Swisspeace”, shkruan portali Baz.ch duhet pasur rezerva për shkak të orientimit të saj specifik kundër angazhimeve ushtarake të Zvicrës jashtë vendit.

Kjo organizatë sivjet shënon 25 vjetorin e themelimit dhe këtë sondazh e ka porositur në kuadrin e shënimit të jubileut të saj. Vetë sondazh është bërë nga instituti për hulumtimin e opinionit publik nga Lucerni, AmPuls dhe në të kanë marrë pjesë 1000 persona nga Zvicra gjermane dhe ajo frankofone.

Nëntë nga dhjetë të anketuarit janë shprehur në favor të asaj që Zvicra duhet të angazhohet në rrafsh ndërkombëtar për paqen në botë. Por, një shumicë të tyre janë që ky angazhim të kufizohet vetëm në aspektin civil të promovimit të paqes dhe jo në atë ushtarak. 60% e mbështesin një angazhim tërësisht civil, vetëm 2.6% janë për angazhim ushtarak ndërsa një e treta e të anketuarve shprehen për një kombinim të angazhimeve civile dhe ushtarake për mbrojtjen e paqes në botë.

Shikuar nga ky këndvështrim, vazhdon gazeta, “angazhimi i Zvicrës në Kosovë nuk gëzon mbështetje gjithaq të madhe”. Zvicra në vendin që kohe më parë kishte përjetuar luftën, merr pjesë në angazhimet  për promovimin e paqes, angazhime këto qe janë ushtarake (Swisscoy) dhe civile.  

Shefi për komunikim brenda “Swisspeace” Lukas Krienbühl edhe vetë shprehet i habitur me faktin se 60% të të pyeturve e parapëlqejnë angazhimin tërësisht civil të Zvicrës në botë. “Këtë gjë nuk e kemi pritur, ashtu sikurse nuk e kemi pritur as përqindjen kaq të ulët të atyre që përkrahin angazhimin tërësisht ushtarak (2.6%)”, ka thënë Krienbühl.

Por, shkruan baz.ch këto të dhëna duhen marrë me rezervës pasi që deri më tash nuk ka pasur sondazhe të tjera që do të ishin të krahasueshme me këtë.