Lajme

Rritja e gjysmëhënës mbi Kosovë

Është e padiskutueshme se prania e Turqisë në Kosovë jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspektin kulturor është e dukshme

 

A është rritja e ndikimit turk në Kosovë në të mirë apo në dëm të saj? Pikëpamjet për këtë janë të ndryshme. Njëra palë e përshëndet angazhimin turk si të mirëseardhur për modernizimin e vendit. Të tjerët shohin aty një konkurrencë të rrezikshme aziatike në integrimin evropian. Është e padiskutueshme se prania e Turqisë jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspektin kulturor  është e dukshme. Turqit renovojnë xhami, varreza dhe ura të epokës osmane. Por edhe shkollat po sanohen  dhe po përkrahen me ndihmën turke. Klasat e reja janë të ndritshme dhe funksionale, oborret e shkollave janë të mëdha.

Në Prishtinë  është paraqitur tashmë edhe ministri turk i arsimit duke kërkuar modifikime të caktuara në përshkrimin e osmanëve në librat shkollorë. Zëvendësministri kosovar i arsimit, Nehat Mustafa, bëri të njohur më pastaj se për këtë çështje ka krijuar një grup ekspertësh. Disa intelektualë  konisderojnë  se me këtë është shkuar shumë larg. Historiani, Frashër Demaj, e vlerëson intervenimin turk si të „kulluar politik“ dhe të papranueshëm. Shkrimtari i famshëm shqiptar, Ismail Kadare, e konsideron ndërhyrjen si një „agresion kulturor“ dhe e sheh „AND-në e popullit shqiptar“ të rrezikuar nga përzierja e huaj.

Ministria e Arsimit nuk e ka pritur një kritikë të tillë nga goja e një të famshmi. Për t‘i qetësuar shpirtrat zëvendësministrit  Mustafa iu desh të paraqitet edhe një herë në konferencë për shtyp. Askush s’ka qëllim ta rishkruajë historinë osmane, theksoi ai. Ankaraja lutet vetëm në zbutjen e disa termave të sajuar që kanë të bëjnë me osmanët, si „të egër“, „barbarë“, „hordhi“. Duket  sikur dëshirohet të konkludohet  se disa ndryshime në librat mësimor kosovarë kanë qenë të domosdoshme.     

Andreas Ernst

(Nga gjermanishtja: Nexhmedin Gërguri)