Lajme

Të zhdukurit, plaga që rënkon me vite

Rreth 1800 kosovarë akoma rezultojnë të zhdukur. Presidentja Atifete Jajhjaga tha se nuk ka dhe nuk do të ketë amnisti për kriminelët. “Nuk ka vend ku mund të fshihen ata”, deklaroi ajo

Janë rreth dy mijë familje në Kosovë që për çdo ditë jetojnë me ankthin e luftës. Pavarësisht që lufta ka përfunduar 14 vjet më parë, ato familje jetojnë për çdo ditë me shpresën se dita e nesërme do të sjell ndonjë mesazh të ri për babanë, nënën, fëmijët, vëllezërit, bashkëshortët, që janë zhdukur pa gjurmë në luftën e vitit 1999.

Sa herë që vjen prilli dhe fillon maji, të gjithë familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre bëhen bashkë, dikush për t’i përkujtuar dhe qarë të vdekurit e dikush ata që janë zhdukur,

Fshati Mejë i Gjakovës dhe Krusha e Rahavecit të përkujtojnë Srebrenicën në Bosnjë. Vetë në këto dy fshatra janë vrarë më shumë se 600 qytetarë, shumica burra, fëmijë dhe pleq. Të gjithë këta ishin shqiptarë, ndërsa u vranë nga forcat serbe të Millosheviqit, ish-lideri serb i cili vdiq në burgun e Hagës duke pritur dënimin.

Një ditë më parë, qytetarët e Gjakovës, por edhe përfaqësuesit e institucioneve kosovare, kanë përkujtuar Masakrën e Mejes, ku u vranë më shumë se 380 civilë, nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe. Dita e të pagjeturve shënohet në ditën kur edhe përkujtohet kjo masakër, shkruajnë mediet nga Prishtina.

 

Qytetaret të frustruar në institucionet

 

Familjaret e martirëve të Mejës thanë se janë lodhur duke dëgjuar tash e sa vjet vetëm premtime institucionale. Përveç pakënaqësisë për gjendjen e mjerueshme ekonomike e sociale me të cilën po përballen shumica prej tyre, ata janë shprehur të zhgënjyer edhe me mos ndërtimin e kompleksit memorial në “Lëndinë e Pikëllimit” në Meje.

“Ka tre – katër vjet që kur po vijnë këtu në përvjetorin e masakrës po thonë se përvjetorin tjetër do ta shënojmë në kompleksin memorial. Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Po si nuk u vjen turp… si nuk kanë frikë se do t’i mallkoj gjaku ”, tha Arben Isufi teksa qëndronte pranë varreve të babait dhe dy vëllezërve të tij në Meje.

Në akademinë përkujtimore në nderim të 27 prill, ditës së të pagjeturve, ka folur edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila është e lindur në këtë rajon ku edhe ka ndodhur masakra 14 vjet më parë.

“Në këtë përvjetor të dhimbjes së  madhe ne mblidhemi këtu së bashku për të kujtuar më të dashurit tanë: fëmijët tanë, vëllezërit dhe motrat, nënat dhe baballarët, më të dashurit dhe më të afërmit tanë, që u vranë dhe u masakruan, që të vdekur dhe të gjallë u morën dhe u larguan me qëllim që të fshihen gjurmët e krimeve makabre”, tha Jahjaga.

 

Nuk ka amnisti për kriminelët

 

Motiv i vetëm për të kryer krimet, sipas saj, ishte se këta dëshmorë ishin shqiptarë.

Ajo tha se qytetarët po ndërtojmë shtetin e rendit dhe sundimit të ligjit, që nënkupton se të gjithë kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar për veprat e tyre të shëmtuara.

Masakra e Mejes, sipas presidentes, është një nga goditjet më të mëdha që “armiku u mundua t’ia bëjë popullit tonë”. “Është masakra në të cilën përnjëherë e pësuan një numër i madh i njerëzve të të gjitha moshave, duke mos kursyer as fëmijët dhe as pleqtë”, deklaroi Jahjaga.

Institucionet kosovare, me ndihmën edhe të misionit ndërkombëtar, sipas saj, asnjëherë nuk do të ndalen për t’i nxjerr përpara drejtësisë të gjithë kriminelët. ”Nuk ka dhe nuk do të ketë amnisti për ta. Nuk ka vend ku mund të fshihen” deklaroi presidentja.

Edhe kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, tha se komuna po e bën të pamundurën ta realizojë premtimin e dhënë tash e sa kohë.

 “Ne si komunë jemi të përkushtuar që të rënëve t’ua lëmë nga një shenjë kujtese në historinë kombëtare. Këtu ku jemi, besoj se shpejtë do ta kemi një kompleks memorial, ashtu siç e meritojnë martirët dhe dëshmorët tanë. Për këtë shpresojmë ta kemi edhe ndihmën e institucioneve qendrore”, ka thënë Lekaj.

Prenk Gjetaj është kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur në Qeverinë e Kosovës. Edhe ai u shpreh i pakënaqur me suksesin që është treguar në fatin e zbulimit të të pagjeturve. Siç ka thënë më heret Gjetaj, është pala serbe ajo që nuk po tregohet humane dhe funksionale për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

 

EULEX-i nuk pushon derisa të zbardhet fati i të pagjeturve  

 

Lidhur me fatin e të pagjeturve ka reaguar edhe shefi i EULEX-it Bernd Borchardt. Ai tha se EULEX-i do të punojë në vijimësi derisa të zbardhet kjo çështje.

“Ende kanë mbetur 1754 persona të pagjetur nga konflikti në Kosovë. Kjo është arsyeja pse EULEX-i është duke i ndihmuar Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së Drejtësisë në përpjekjet për përcaktimin e fatit të të pagjeturve…”, deklaroi Borchard.

Sipas tij, me ndihmën e EULEX-it, deri më tani familjeve iu janë kthyer mbetjet mortore të 334 individëve. “Prej këtyre, 255 ishin persona të pagjetur, ndërsa pjesa tjetër i përkasin rasteve penale apo kërkesave për konfirmimin e identitetit prej familjeve”, deklaroi shefi i EULEX-it, sipas të cilit, ende mbetet shumë punë për t’u bërë.

Ndryshe, vetëm pas katërmbëdhjetë vjet të përfundimit të luftës, hetuesit EULEX-it iu kanë përveshur punës, për të ngritur një proces gjyqësor kundër 17 personave që dyshohen se kanë vrarë 370 civilët shqiptar në Meje të Gjakovës.   

Sipas një njoftimi që EULEX ka lëshuar disa ditë më parë, prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës, kanë iniciuar hetimet për Krime të Luftës të kryera në komunën e Gjakovës, më 27 dhe 28 prill 1999, duke i përfshirë fshatrat Mejë, Orizë dhe fshatrat tjera të Luginës së Rekës së Keqe.

Deri tani, prokurorët sipas EULEX-it, kanë identifikuar 17 të pandehur, të cilët mund të jenë subjekt i akuzave për Krime të Luftës kundër popullatës civile.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë më shumë se 10 mijë qytetarë të pafajshëm, shumica shqiptarë, ndërsa rreth një milionë e kosovarëve, ose rreth 60 për qind e gjithë trungut të popullsisë, janë depërtuar jashtë vendit nga ushtria, policia dhe forcat paraushtarake serbe.

Ndërsa nga afër katër mijë qytetarë janë regjistruar si të zhdukur më shumë se dy mijë janë identifikuar nëpër disa varreza masive në Serbi, si në Batajnica, Bajna-Bashta, Peruçac, në lumin Danub, etj, dhe janë rivarrosur në Kosovë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Ndërsa edhe 1780 persona akoma figurojnë si të pagjetur