Lajme

Luksi i deputetëve kosovarë

Përveç të ardhurave vjetore që arrin në 25 mijë euro, deputetët kosovarë harxhuan dhjetëra mijëra litra derivate për vetura zyrtare. Kjo konsiderohet jashtë çdo norme

Përveç pagës mujore rreth 1500 euro, për udhëtime zyrtare, honorare, benificione etj, deputetët e Kuvendit të Kosovës marrin pagën deri 2500 euro. Për, përveç kësaj ata konsiderohen edhe shfrytëzuesit enorm të veturave zyrtare. Vetëm tre ligjvënës brenda një viti, kanë shpenzuar rreth 15 mijë litra derivate.

Në një raport të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2012, thuhet se vetëm nënkryetari i Kuvendit, Enis Kervan i ka bërë 45125 kilometra rrugë duke shpenzuar afër gjashtë mijë litra karburante.

Në një përllogaritje të thjeshtë, del se Kervan për çdo ditë të vitit të kaluar, ka ecur rreth 125 kilometra udhë me veturë. Ndërsa nëse kësaj aritmetike i hiqen ditët e vikendit, por edhe pushimi vjetor, atëherë Kervan ka kaluar për çdo ditë 200 kilometra.

Sipas gazetës “Tribuna”, deputetin Kervan e pason nënkryetari tjetër i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq nga komuniteti serb. Ky i fundit ka kaluar 39388 km dhe ka shpenzuar 4219 litra naftë. Miletiq i ka bërë 10 mijë kilometra më shumë se vetë kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Krasniqi i cili i ka në dispozicion dy vetura ka shpenzuar 4312 litra karburante duke bërë 29349 kilometra udhë. Vetëm treshja Kervan-Miletiq-Krasniqi kanë shpenzuar sa një e treta e të gjithë atyre që kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë veturat e Kuvendit.

“Saktësisht ata kanë harxhuar 14274 litra karburante, derisa totali i përgjithshëm i shpenzimeve është 51456 litra”, thuhet në raport. Por, edhe Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, nënkryetar tjetër i Kuvendit, gjatë vitit 2012 ka kaluar 25680 kilometra rrugë me veturë zyrtare.

Me këtë shifër, ai është renditur i katërti në listë për kilometrat e kaluar, por jo edhe për shpenzimet për karburante. Konjufca, i cili bashkë me deputetët e tjerë të Vetëvendosjes nuk kanë pranuar të barten me xhipa, kanë harxhuar me veturë normale 1903 litra.

Ndryshe, paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 488 euro, ndërkohë që paga mesatare në Kosovë është 250 euro. Luksin që gëzojnë parlamentarët e Kosovës, në shtetin më të varfër në Evropë, nuk e gëzojnë as kolegët e tyre nga Britania e Madhe, të cilët nuk marrin më shumë se dyfishin e pagës mesatare, por as ata nga vendet e rajonit.

Përveç pagës bazë, ata paguhen ekstra për pjesëmarrje nëpër komisione, marrin mbushje të telefonave me nga 30 euro në muaj, secili deputet merr edhe nga 5 euro tjera për çdo ditë pune, por edhe kompensohen për shpenzimet e rrugës.

Siç ka raportuar gazeta “Zëri”, nëse një deputet udhëton 30 kilometra për të ardhur në Parlament, ai kompensohet me 10 euro, derisa ata të 60 kilometrave me nga 20 euro, kurse ata që kalojnë mbi 60 kilometra paguhen me nga 30 euro.

Madje, vetë deputetët pranojnë se shumica prej tyre nuk i kanë hak pagat që marrin, prandaj edhe kërkojnë që t’iu ulen deri në trefishin e pagës mesatare.

Deputeti nga partia në pushtet, Berat Buzhala ka pranuar publikisht se ligjvëniet nuk i meritojnë pagat. “Deputetët nuk i kanë hak pagat që i marrin, duke më përfshirë edhe mua. Puna e tyre është mizerie, jo vetëm puna e tyre, por puna komplet e administratës shtetërore është mizerie”, ka thënë ai.