Lajme

Shumica e të rinjve dëshirojnë të ikin jashtë!

Pavarësisht shkollimit, të rinjtë kosovarë dëshirojnë të ikin jashtë Kosovës. Ata pranojnë të punojnë edhe punë fizike, vetëm të jetojnë në perëndim

Shumë të rinj kosovarë pavarësisht shkollimit superior, pranojnë të punojnë edhe punë hamalli vetëm të jetojnë në vendet perëndimore. Të rinjtë e Kosovës e kanë humbur shpresën se mund të gjejnë punë në vendlindjet e tyre, prandaj thonë se nëse ju jepet rasti mund t’i ikin jashtë.

Valon Bajraktari nga Gjilan është student i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se është i gatshëm të punojë edhe punëtor krahu jashtë vendit, nëse i jepet mundësia. Ai ka humbur shpresat se do të mund të punësohet në Kosovë, duke vendosur kështu që të aplikojë në agjencitë e punësimit jashtë vendit.

“Kam aplikuar një njërën nga këto agjencitë tona për punësim, kam aplikuar për t’u punësuar në Turqi, shpresoj në administratë diku, por edhe punë fizike pranoj, vetëm të punësohem”, ka thënë ai, raporton e përditshmja “Zëri”.

Edhe A.B nga Deçani ka aplikuar për punë në Gjermani, mirëpo nuk e kanë lajmëruar asnjëherë. “Kam dhënë 25 euro për aplikim, më kanë thënë se të thërrasim, mirëpo asnjëherë nuk më kanë thirrur më. Sigurisht se jam i zhgënjyer, pasi që nuk gjeja punë këtu mendoja të iki jashtë, por edhe kjo mundësi më dështoj”, ka thënë ai.

Zyrtarë të njërës nga agjencitë e punësimit në Kosovë, ndërkaq e shikojnë veten si “shpëtimtarë” të të papunëve pasi që thonë se duke bashkëpunuar me kompani të ndryshme jashtë vendit kanë arritur që shumë të rinjve t’u ofrojnë punë jashtë Kosovës.

“Ne bashkëpunojmë me kompani të ndryshme ndërkombëtare, që dërgojnë punëtorë jashtë vendit, në Afganistan, Irak, Kuvajt, në Stamboll, Dyseldorf dhe Uashington. Ne i ofrojmë shërbimet administrative palëve që vijnë, nuk e dinë mirë gjuhën angleze dhe mënyrën e aplikimit, këtë shërbim e kryejmë ne…”, ka thënë pronari i Agjencisë Privatë të Punësimit, Baton Dërguti.

Sipas tij, kjo ka rezultuar mjaft e suksesshme duke punësuar shumë të rinj. “Brenda muajit përafërsisht nga 100 aplikantë rreth 70 thirren në intervistë, mandej 20 për qind e tyre edhe punësohen që është numër i madh. Kuptohet që nuk pranohen të gjithë që aplikojnë”, ka thënë ai.

Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, ndërkaq këto agjenci i sheh si mashtrim i njerëzve, të cilët kanë nevojë për punë.

“Të rinjtë e Kosovës që janë shumë të papunë shpesh bien në emocionet e arsyes për të gjetur punë edhe tek agjencitë e ndryshme që për përfitime personale i mashtrojnë njerëzit, dhe nga kjo humbin vetëm ata hallexhinjtë të cilët kanë shpresë se do të gjejnë punë diku. Sektori privat kur kërkon punë nuk ka nevojë që të shkon përmes agjencive”, ka thënë Shahini.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), numri i punëkërkuesve aktivë të regjistruar në MPMS në fund të vitit 2011 ishte 325.261 punëkërkues të regjistruar. Kjo paraqet rënie prej 3 për qind në numrin e punëkërkuesve krahasuar me vitin 2010.

Ndryshe, sipas një ankete që kanë bërë një institut ndërkombëtar, kanë dalë se çdo i dyti kosovarë, nën moshën 26 vjeçare, dëshiron të jetoj në Evropën Perëndimore. Këto shifra janë mjaft shqetësuese për institucionet vendore.