Lajme
Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë, më e larta në Evropë
Nga 1000 fëmijë sa lindin në Klinikën e Gjinekologjisë, 17 vdesin. Kjo mbetet shqetësuese për institucionet kosovare
Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë ende mbetet e lartë, madje shifrat tregojnë është më e larta në Evropë. Derisa në vitin 2000, shkalla e vdekshmërisë ka qenë 29 vdekje në 1000 lindje, aktualisht sipas zyrtarëve shëndetësor, vdekja e foshnjave është 17 vdekje në 1 mijë lindje.
Institucionet kosovare të shëndetësisë bashkë me organizatat ndërkombëtare disa herë kanë organizuar simpoziume, seminare e trajnime me idenë për uljen e vdekshmërisë së foshnjave, mirëpo rezultatet e tyre kanë qenë shumë pak të vërejtshme gjatë dekadës së
fundit.
Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë tha se synimi i këtij institucioni është që të ulë sa më shumë numrin e vdekjeve të foshnjave të porsalindura.
“Unë kam një strategji të qartë dhe është e bazuar në zotimin tim që unë kam nënshkruar në konferencën ndërkombëtare në Uashington, pra mbijetesën e shtuar për foshnje, si dhe strategjinë që Ministria e Shëndetësisë e ka për shëndetin e nënës dhe fëmijëve. Do të dizajnojmë edhe një plan operativ pesëvjeçar dhe do t’i adresojmë problemet një nga një, në mënyrë shumë konkrete, do t’i analizojmë shkaqet e vdekshmërisë”, tha Agani.
Mynavere Hoxha, shefe e njësisë së Kujdesit intensiv neonatal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkaq bëri të ditur se vdekshmëria e foshnjave në Kosovë është e lartë, por krahasuar me vitet paraprake, ka rënie të dukshme.
“Shkalla e vdekshmërisë në vitin 1988 ka qenë 53 promil, në vitin e parë të pasluftës kjo shkallë ka qenë 31 promil, ndërsa ne me punën tonë kemi arritur që ta zvogëlojmë këtë në 17 promil. Këtu nuk ka vend për kënaqësi, sepse ende është shkallë e lartë, por kemi qenë në shkallët më të larta të vendeve”, tha Hoxha, raporton REL .
Shkaktarët e vdekjeve të foshnjave në Kosovë, sipas Hoxhas, janë infeksionet e ndryshme, problemet kardiokirurgjike etj.
“Në bazë të analizave që i bëjmë, foshnjat që lindin para kohe kërkojnë kushte speciale, derisa te ne shkaku i vdekshmërisë së foshnjave deri në 50 për qind të rasteve janë vdekje për shkak të prematuritetit dhe shkaktarëve të tij, si infeksionet, pastaj rastet
kardiokirurgjike, që kërkojnë qendra të specializuara kardiokirurgjike, e që mungojnë te ne”, sqaroi Hoxha.
Drejtoresha e Fondacionit të nënave dhe foshnjave të shëndosha në Kosovë, Indira Hoti, tha se misioni i këtij fondacioni është ndihma financiare që i bëhet Repartit të Neonatologjisë, në mënyrë që të shpëtohen jetët e fëmijëve.
“Ne iu ndihmojmë me barna material shpenzues. Gjithashtu kemi instaluar sistemin e oksigjenit për fëmijët, në vlerë prej 50 mijë eurosh, si dhe iu ndihmojmë me sufatantin në vlerë 150 mijë dollarë çdo vit, që ndihmon në zhvillimin e mushkërive te foshnjat, gjë të
cilën e bëjmë qe 5 vjet”, u shpreh Hoti.
Ndërkaq, Agron Gashi nga UNICEF-i, bën të ditur se problematika e mortalitetit te foshnjat është globale dhe se rënia e numrit të vdekjes së foshnjave kërkon kohë.
Ndryshe, vdekshmëria e foshnjave në Evropë është shumë e vogël, ndërsa edhe në vendet e rajoni klinikat neonatologjike kanë bërë përparime të mëdha. Ministri Agani, ndërkaq ka thënë se po mundohet që vdekshmëria e foshnjave në Kosovë, gjatë viteve vijuese të bije nën 10.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje Zadi Balassi është udhëheqës projektesh në ndërtim të lartë dhe të ulët pranë Qytetit të Cyrihut.... -
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë -
Sunny Hill po kthehet në pikën kryesore të takimit të diasporës shqiptare -
“Sot me 200 mijë euro blini një apartament ëndrrash në Shqipëri, pas disa vitesh vetëm gjysmën”
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve













