Lajme

Kosova i jep prioritet bujqësisë

Një shumë prej 27 milionë erosh janë ndarë për subvencionimin e disa sektorëve bujqësorë, përfshirë prodhimtarinë e mishit, qumështit, vreshtave, grurit, pulave...

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do t’i shpenzojë rreth 27 milionë euro për mbështetjen e sektorëve dhe nënsektorëve të bujqësisë. Nëpërmjet një programi, Ministra e Bujqësisë do t’i stimulojnë fermerët kosovarë në disa kultura bujqësore dhe blegtorale.  

Sipas MBZHR-së, me këto mjete synohet të përmirësohet struktura e fermave, rritja e prodhimtarisë, ngritja e cilësisë së prodhimeve bujqësore, rritja e aftësive konkurruese të prodhuesve vendorë, rritja e punësimit dhe të ardhurave për fermerët dhe popullsinë rurale, si dhe shfrytëzimi sa më i qëndrueshëm i tokës bujqësore.

Gjatë prezantimit të këtij programi, ministri Blerand Stavileci, Qeveria po mundohen që ta ristrukturojnë potencialin bujqësor, për ta fituar primatin si sektor kryesor në zhvillimin ekonomik.

“Me shumëfishimin e buxhetit për bujqësinë dhe shtimin e masave të reja në programin e këtij viti, si dhe me strategjinë 2014-2020, po e rrumbullakojmë infrastrukturën e nevojshme bujqësore, sidomos atë që lidhet me të dhënat e regjistrave bujqësor dhe në masë të madhe po rrisim edhe përkrahjen financiare për fermerë”.

“Dekada e ardhshme do ta gjejë bujqësinë aty ku do të duhej ta kishte vendin shumë më parë, si sektorin numër një të zhvillimit ekonomik në vendin tonë“, tha ministri Stavileci, raporton mediat e Prishtinës.

 Ai tregoi se programi për bujqësinë dhe zhvillimin rural është i mbështetur në dy shtylla kryesore, ashtu siç është edhe në shtetet e BE-së.

 “Këtë vit ne kemi gjithsej 30 nënmasa të projektuara, përmes të cilave synojmë rritjen e prodhimtarisë bujqësore, rritjen e cilësisë së prodhimeve bujqësore, përmirësimin e strukturës së fermave dhe rritjen e të ardhurave për fermerët. Krahas këtyre, kemi edhe dy projekte shumë të rëndësishme, projekti i regjistrimit bujqësor dhe ai për sigurimin e kulturave bujqësore”, tha Stavileci.

 Në programin e sivjetmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, siç u tha, do të ketë subvencione në vlerë prej rreth 12 milionë euro për grurë, për farë gruri, për misër, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për pulari, bletari, vreshta, etj.

 Ndërsa, përmes granteve investive në vlerë prej rreth 15 milionë euro do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, brojlerëve, vezëve. Pastaj, do të përkrahet edhe prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e mollës dhe pemëve të imta, vreshtaria, bimët mjekuese.

 Si nënmasë e veçantë do të jetë edhe përkrahja e fermerëve në mekanizëm bujqësor dhe krahas gjitha këtyre, këtë vit do të investohet edhe në projekte për ujitjen e tokave bujqësore, në agropërpunim përmes investimeve në pajisje dhe makineri për përpunimin, etj.