Lajme

Lansohet pulla postare me motiv 5 vjetorin e shtetit

Sejdi Hoxha, kryeshef Ekzekutiv i PTK-së tha se kjo pullë postare, është simbol i një të kaluare të lavdishme me plot sakrifica

Në pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) ka lansuar në treg pullën e re postare që simbolizon pesë vjet shtet. Pulla e re në të cilën është shënuar emri i Kosovës me një 5, është vlerësuar e një rëndësie të veçantë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj e ka konsideruar të veçantë lansimin e kësaj pulle postare.

“Duke u nisur nga rëndësia e pesë vjetorit dhe me propozimin e Komisionit Qeveritar për shënimin e kësaj date kam autorizuar Postën e Kosovës që të emetojë emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare me temën Jubilare ”5- Vjetori i Pavarësisë”,  ka thënë Beqaj.

Ministri kosovar kujtoi 17 shkurtin e vitit 2008, kur deputetët e Kuvendi të Kosovës, si të zgjedhur të popullit morën vendimin për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, duke përmbyll vullnetin politik i shumë gjeneratave të shqiptarëve të Kosovës për krijimin e një shteti të pavarur. 

Ministri Beqaj me këtë rast ka përmendur të arriturat e Kosovës sidomos ato në rrafshin ekonomik.

“Kosovën e kanë njohur afro 100 shtete, është bërë anëtare e institucioneve Monetare Ndërkombëtare siç janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe së fundi edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” ka thënë ministri Beqaj.

Ndërsa, Sejdi Hoxha, kryeshef Ekzekutiv i PTK-së tha se kjo pullë postare, është simbol i një të kaluare të lavdishme me plot sakrifica.

“Ky mision i pullës postare i dedikohet 17 shkurtit, datës historike jo vetëm për Republikën e Kosovës por datës historike për gjithë shqiptarët, datë kjo që ngjallë ndjenjat e fuqishme të secilit prej nesh” , tha Hoxha.