Lajme

Viti i skandaleve

Në “top listën” e skandaleve të shumta të vitit 2012 prijnë ato për pasaporta dhe për përgjimet. Sihariqi i vitit 2012 është konsideruar lirimi nga Haga i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj

Republika e Kosovës e përmbylli një vit shumë të mundimshëm, i cili u karakterizua me shumë skandale e pak zhvillime. Pavarësisht që ishte 100 vjetori i bërjes shtet, për shumën qytetarë ishte viti më i kobshëm, në të cilën lulëzoi i korrupsioni, shqiptarët u ndëshkuan me “karton të kuq” nga Bashkimi Evropian, ndërsa pas disa vitesh u rikthye në skenë, fenomeni i “kaçakut”.

Albibfo.ch ka përzgjedhur vetën disa nga zhvillimet dhe ngecjet që e kanë përcjellë Kosovën gjatë 365 ditëve të shkuar.

Brenda një vitit Kosova ka realizuar 12 njohje duke ngritë gati në 100 numrin e shteteve që kanë njohur realitetin ballkanik. Njohja me e rëndësishme është konsideruar kjo e fundit nga Pakistani, për faktin se ky shtet është njëri nga shtetet më të mëdha islamike në botë që ka ndikim të fuqishëm edhe në organizatat ndërkombëtare.

Pavarësisht se njohjet kanë ardhur me shumë llafe e debate të brendshme, jo e solli ministri Enver Hoxhaj, jo zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, e rëndësishmja është se njohjet kanë ardhur, ndërsa Kosova gradualisht po e krijon  infrastrukturën për njohjen nga OKB.

Lirimi i Haradinajt u prit si fitore

Po ashtu në sfondin e zhvillimeve pozitive janë përfshirë njohja e Kosovës në BERZH, ngritja ekonomike prej 4 për qind (në një periudhë kur shumë shtete të botës kanë pasur regres), ndërtimi i dhjetëra kilometrave autostradë, drita e gjelbër e FIFA-s për lejimin e lojërave miqësore në futboll për ekipe dhe për kombëtare B.

Ndërsa sihariqi i vitit 2012 është konsideruar lirimi nga Haga i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij. Ky vendim i Hagës  vlerësua fitore e madhe për Kosovën dhe për UÇK-në.

Mirëpo krahas këtyre zhvillimeve që janë relativisht të dukshme, numri i skandaleve ishte dukshëm më i madh, të paktën për nga përmasat mediatike. Madje disa nga zhvillimet negative kanë mbushur edhe ballinat e medieve më me ndikim në Bashkimin Evropian.

Në këtë sfond, korrupsioni ka qenë pika me dobët e institucioneve të Kosovës në të gjitha nivelet. Ky “sindrom” goditi edhe atë që quhet “kurora e shtetit”-pasaportat.

Skandali i pasaportave biometrike mori përmasat ndërkombëtare, sepse në avullimin e 1.4 milion eurove përveç zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u përfshi edhe një kompani austriake dhe një qytetare gjermane.

Ky skandal qëndroi në “top listën” e të këqijave të vitit 2012, sepse konsekuencat që i solli në relacion me integrimin evropian, u konsideruan të parikuperueshme.

1.4 milionë euro që ishin destinuar t’i dërgohen kompanisë austriake OeSD e cila prodhonte pasaporta biometrike, e humbën rrugën. Në vend që të shkojnë në Austri, paratë me ndihmën e një shtetase gjermane, i morën kosovarët.

Skandali i përgjimeve, ndërkaq u konsiderua si një minus i madh për kosovarët dhe lidershipin vendas. Për shumëkënd ky skandal u cilësua si ai “Water gate” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht papërgjegjësisë politike në Kosovë.

Qytetarët kosovarë janë ndier të “shokuar” kur kanë dëgjuar fjalorin dhe shprehjet e kryeministrit Hashim Thaçi, dhe zyrtarëve të tjerë të PDK-së, Adem Grabovci, Vlora Çitaku, Sami Lushtaku e Kadri Veseli derisa komunikojnë ndërmjet vete. Në këto përgjime dolën në pah, nepotizmi, shantazhi, korrupsioni dhe fuqia politike në vend.

Po ashtu listës së zezë të këtij viti iu shtuan edhe protestat e Vetëvendosjes kundër bisedimeve me Serbinë, të cilat përfunduan me dhunë policore, arrestime dhe burgosje. Më së keqi në këtë katrahurë pësoi një shtetase gjermane e cila qëndroi në gjendje kome disa ditë, por që shpëtoi nga vdekja. Kurse  deputeti Liburn Aliu u grushtua në mes të sheshit nga njësitet speciale të policës së Kosovës.

Hasmëria ndërmjet ligjvënësve të Vetëvendosjes dhe atyre të Qeverisë nuk përfundoi me kaq. Dhuna nga rruga u bartë në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e dy taboreve u grushtuan ndërmjet veti, ndërsa për pajtimin e tyre u deshtë të mblidhen pleqnarë, me qëllim që dhuna fizike të mos esklaoj me ndonjë tragjedi, sepse rrahja në Kuvend u konsiderua si “lufta e elefantëve”.

Asanaj, vetëvrasja që mori përmasa ndërkombëtare

Gjithashtu një vend të errët në vitin 2012 e ka zënë edhe procesi gjyqësor, lirimi dhe paraburgosja e nënkryetarit dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj. Ky i fundit njëherë u lirua nga gjykata e EULEX-it për krime lufte, ndërsa pas disa muajsh procesi u rikthye në fillim dhe Limaj u arrestua dhe po e pret gjykimin.

Në këtë proces, ish komandant “Çeliku” do të gjykohet bashkë me shokët e luftës,  Naser Shala, Naser Krasniqi dhe Nexhmi Krasniqi. Ata po akuzohen se në fshatin Kleçkë të Malishevës gjatë vitit 1999 kanë vrarë disa qytetarë serbë dhe disa shqiptarë që kanë bashkëpunuar me pushtetin serb. Për këtë akuza njëherë ata janë shpallë të pafajshëm.

Viti 2012 gjithashtu është përcjellë edhe me skandale të tjera. Mirëpo vrasja apo vetëvrasja e shefit të Agjencisë së Privatizimit, Dino Asanaj, natyrisht që i ka mbushur edhe ballinat e medieve ndërkombëtare. Madje për këtë vrasje kanë shkruar edhe mediet më me ndikim në Amerikë, sepse Asanaj ishte shtetas amerikan.

Ai u vetëvra në  shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës, siç thuhej, nga presioni i disa zyrtarëve shtetëror. Megjithatë kjo vrasje mbeti enigmë, pavarësisht që rastin e hulumtuan edhe ekspertët e krimit nga FBI.

Ndërsa një skandal tjetër që po ashtu është konsideruar shumë negativ për zhvillimet në Kosovë, është arratisja e Xhabir Zharkut, ish-kryetarit të Kaçanikut nga drejtësia. Kjo arratisje është cilësuar me epitetin e “Kaçakut” sepse ish-prefekti ishte dënuar me tri vjet burg për zhvatje dhe kanosje, ndërsa pas shfrytëzimit të të gjitha mundësive ligjore, ai iku.

Arratisja e tij u konsiderua si papërgjegjësi politike, morale dhe qytetare.

Këto skandal kanë bërë që të paktën për gjashtë muaj Bashkimi Evropian ta shtyj procesin e nënshkrimit për marrëveshjen e Stabilizim Asocccimit me Kosovën. Prandaj vitit 2012, për shumëkënd është konsideruar i kobshëm për kosovarët. Shumë qytetarë i luten Zotit, “shkoftë e mos ardhtë”!.