Shkurt.ch
Një shtyllë e tretë për shpëtimin e euros
Nga Roland Berger, analist i strategjive ekonomike, themelues dhe anëtar nderi i Institutit për studime strategjike “Roland Berger” të Munihut të Gjermanisë. Për shpëtimin e euros politika kufizohet vetëm në dy masa: kursimin për vendet në krizë dhe financimin për vendet anëtare kontributdhënëse të Evropës Veriore. Të dyja janë të drejta dhe të domosdoshme, por […]
Nga Roland Berger, analist i strategjive ekonomike, themelues dhe anëtar nderi i Institutit për studime strategjike “Roland Berger” të Munihut të Gjermanisë.
Për shpëtimin e euros politika kufizohet vetëm në dy masa: kursimin për vendet në krizë dhe financimin për vendet anëtare kontributdhënëse të Evropës Veriore. Të dyja janë të drejta dhe të domosdoshme, por jo të mjaftueshme për ta ndaluar shkatërrimin e monedhës së përbashkët dhe, bile, ndoshta, edhe të Bashkimit Evropian. Përqendrimi në kursim dhe në ndihmë financiare e ka përkeqësuar situatën. Së pari, është përkeqësuar kriza e borxheve dhe kriza e euros. Së dyti, ekonomitë evropiane të vendeve në krizë me programet e tyre restriktive ndodhen tashmë në recesion. Dhe, së treti, integrimi evropian po përjeton një krizë serioze politike. Vendet në krizë ndodhen si pasojë e ekonomisë së tkurrur, papunësisë së madhe, humbje të pasurisë dhe në gjendje të tensionimeve sociale. Disa prej mediumeve të tyre flasin për diktat nga Brukseli, i cili po i çuaka ata në varfëri. Qytetarët e vendeve financiarisht të forta të Veriut e shohin veten padrejtësisht të shtrënguar t’i rrezikojnë kursimet e tyre për t’i financuar borxhet e grumbulluara të fqinjëve të tyre për shkak të drejtimit “josolid” ekonomik.
Rrugëdalja nëpërmjet privatëve
Rritja ekonomike do të ishte e domosdoshme për të krijuar besimin e qytetarëve të Evropës në monedhën e tyre dhe në unionin e tyre. Programet shtetërore ekonomike janë vetvetiu të pamundura, për shkak se, së pari, do të shkaktonin zhytje të mëtejme në borxhe shtetërore dhe, së dyti, nuk do ta zgjidhin problemin e rritjes ekonomike, meqenëse nuk bëhet fjalë për krizë konjukturale, por për krizë strukturore të aftësisë konkurruese, e cila mund të përballohet vetëm nëpërmes reformave strukturore, përfshirë kufizimin e të dhënave, të pagave dhe të shpenzimeve. Rrugëdalje ofron programi i zgjerimit dhe i modernizimit të infrastrukturës evropiane – një program i shoqëruar politikisht, por i financuar privatisht, një program i funksionalizuar i rritjes ekonomike dhe i mbështetur në ekonominë e tregut. Nevojat për këtë vetëm në vendet e Bashkimit Evropian vlerësohen në 1 bilion euro. Dhe për financimin e tij qëndrojnë në dispozicion 170 bilionë euro vetëm nga kapitali privat. Detyra e politikës konsiston në harmonizimin e nevojës infrastrukturale me nevojat për deponim të kapitalit privat, në krijimin e rrethanave të favorshme rregullative të konkurrencës dhe të investimeve dhe të krijimit të kushteve të sigurta dhe jashtideologjike të mbështetura në parimet e ekonomisë së tregut.
Në krye të listës së projekteve të mundshme pret modernizimi teknologjik i infrastrukturës telekomunikuese dhe i autostradave shiritgjëra. Pengesë mbetet ende politika rregullative evropiane e kohës së monopolit mbi postën dhe telekomunikacionin. Për këtë arsye shërbyesit e mëdhenj telekomunikues, si “France Télécom”, “Telecom Italia”, “Telefonica” nuk do të mund të mobilizonin kapital privat. Po të ndërhynte politika në krijimin e një rregullative në pajtim me kërkesat e ekonomisë së tregut, do të mundësohej një rritje ekonomike prej mbi 270 milardë eurosh vetëm nëpërmes financimit në infrastrukturën e telekomunikacionit, gjë që jo vetëm se do të krijonte qindra-mijëra vende pune në Evropë, por edhe do të ngriste produktivitetin e shfrytëzuesve privatë dhe të administratës publike. Veç kësaj, do të mund të krijohej një industri evropiane informatike dhe interneti, si Google, Amazon apo Facebook në SHBA.
Shembull tjetër është edhe furnizimi me energji: në vitet e ardhshme do të duheshin, sidomos pas kthesës së bërë nga Gjermania në politikën energjetike, investime në rrjete dhe në shpërndarës në vlerë prej 220 miliardë euro. Kjo do të nënkuptonte ekzistimin paraprak të një politike evropiane të energjisë dhe të sigurisë së planifikimit. Të dyja mungojnë ende. Edhe ndërtimi i kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të ujësjellësve pret në radhën e gjatë të projekteve që duan investime në vlerë prej 200 miliardë euro në Evropë. Në rrugët evropiane nevojat për investime vlerësohen në 180 miliardë euro.
Të mundshme dividente të shumta
Në Evropë, fatkeqësisht, dominon ideologjia se infrastruktura duhet të jetë në duart shtetërore me dallime kurioze mes vendeve: kështu në Francë furnizimi me ujë është privat, derisa rrymën duhet ta sigurojë shteti. Në Gjermani, furnizimi me ujë duhet të bëhet nga shteti, derisa furnizimi me rrymë ndodh në shumicë nëpërmes privatëve. Në shumë vende ekzistojnë autostrada private me taksë obligative shfrytëzimi, derisa në vendin tranzit në Gjermani kjo nuk lejohet për çfarëdo qoftë arsye. Shembujt e një jokonsistence të tillë janë të shumtë.
Një program i tillë infrastrukturor i financuar privatisht, si plan i rritjes ekonomike të Evropës, do të mund të ishte shtylla e tretë konsistente e një programi euroshpëtues – krahas transformimeve strukturore nëpërmes kursimeve të ashpra për konkurrencueshmëri më të madhe dhe për disiplinë buxhetore në Jug dhe ndihmës solidare financiare nga Gjermania dhe eurovendet nordike për qetësimin e tregjeve financiare. Kështu, Evropa, në mes të krizës, do të mund të krijonte një ekonomi mëse inovative dhe produktive me infrastrukturë të shkëlqyeshme. Furnizuesit privatë do të mund të përfitonin nga rritja dhe prodhimi i shtuar, kurse punëmarrësit nga vendet më të shumta dhe më kualitative të punës. Me të vjela të shtuara tatimore dhe me të dhëna të kufizuara sociale do të sanoheshin borxhet shtetërore. Do të rikthehej edhe besimi i njerëzve në euron dhe në integrimin evropian.
Të tjera nga Shkurt.ch
E-Diaspora
-
AHV 2030: Pensioni nuk vjen më vetë – pse duhet ta planifikoni më herët në Zvicër Autoritetet zvicerane publikuan në maj projektin për konsultim të reformës AHV 2030. Synimi është stabilizimi i... -
Nga Zvicra në Kosovë: Historia e Vali Ranch në fokus te televizioneve shqiptare -
Kino Kosova rikthehet në Bernë: Edicioni i shtatë mbahet më 9–13 shtator 2026 -
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum -
Itali
Romë: Arbenita Ibrahimi shkëlqen në skenën e “Notti Romane”
Jeta në Austri
-
Edhe mësuesit shqiptarë nga Austria pjesë e Seminarit të Mësuesve të Diasporës Seminari i 19-të i mësuesve të diasporës në Brezovicë... -
Austri: Deri në 17 për qind më shumë natyralizime në gjysmën e parë të vitit -
Shkollat e Policisë në Vjenë përballen me vende të zbrazëta pavarësisht 900 aplikantëve -
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin












