Lajme
Kush do ta formojë Qeverinë, Haradinaj apo Kurti?
Ramush Haradinaj ka deklaruar se i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë, por ai nuk ka prezantuar se me cilat subjekte i ka siguruar këta numra. LDK e Vetëvendosje kanë kundërshtuar koalicionin me PAN-in
Certifikimit i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, ua ka hapur shtegun partive politike në Kosovë për të formuar qeverinë e re. Në garë është koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) si fitues i zgjedhjeve, që të gjejë partnerë për koalicion, ndërsa “me një këmbë” po pret Lëvizja Vetëvendosje, që të dështojë eventualisht PAN-i, që mandati të takojë asaj.
Sipas Kushtetutës, nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga Presidenti i Kosovës.
Deri më tani, Haradinaj kryesisht ka deklaruar se i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë, por ai nuk ka prezantuar se me cilat subjekte i ka siguruar këta numra. Ulëset që koalicioni PAN i ka siguruar në Kuvend, gjithsej 39, nuk janë të mjaftueshme për formimin e Qeverisë.
Ndonëse Haradinaj ka përmendur si mundësi lidhjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, këto tri të fundit, të mbledhura në koalicionin parazgjedhor LAA, nuk e kanë konfirmuar këtë aleancë pas zgjedhore, transmeton REL.
Pjesë e Qeverisë, sipas Kushtetutës, do të jenë edhe komunitetet pakicë, të cilat si tërësi përbëjnë 20 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Por, për formimin e Qeverisë janë të domosdoshme të paktën 61 vota të deputetëve. Dhe në këtë kombinim, Ramush Haradinaj nuk i ka numrat vetëm me pakicat, por i duhet edhe deputetë nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa ose nga Vetëvendosje,
E këto dy parti kanë deklaruar se nuk shkojnë në asnjë mënyrë me koalicionin PAN. Pra edhe LDK edhe Vetëvendosje janë që Ramush Haradinaj dhe NISMA, të jenë në koalicion, por jo që aty të jetë edhe PDK që drejtohet nga Kadri Veseli. Të dy partitë, që bashkërisht i kanë 61 vota, e kanë “halë në sy”, PDK-në që e apostrofojnë si “Klani Pronto”.
Në analiza të ndryshme rreth rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, është vënë edhe dilema: Çka nëse Haradinaj dhe PAN dështojnë ta bëjnë Qeverinë e re?.
Si konkluzion, zakonisht është dhënë opsioni rezervë, ai i dhënies së mandatit kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për ta formuar Qeverinë.
Por, bazuar në deklaratat e deritashme të presidentit të Kosovës, duket se për mandatin eventual të Kurtit, do të kërkohet edhe një mendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht interpretimit të dhënë më 2014, rreth të drejtës për formimin e Qeverisë. Andaj, negociatat që do të zhvillohen ditëve dhe javëve në vijim, mund të sjellin formula nga më të ndryshme për formimin e Qeverisë, qoftë me Haradinajn në krye apo Kurtin, apo edhe pa asnjërin prej tyre, duke nxjerrë figura konsensuale.
Sidoqoftë, përderisa Haradinaj dhe Kurti pritet që ditëve në vijim t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për koalicione të reja, për të arritur krijimin e shumicës parlamentare në Kuvend, si kusht i domosdoshëm për formimin e Qeverisë, edhe faktori ndërkombëtar nuk pritet të jetë krejt anash këtyre zhvillimeve.
Nga Brukseli, komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, ka dërguar tashmë mesazhin që Kosova të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe të qëndrueshme.
Brukseli do të insistojë që Qeveria e re të jetë e aftë të vazhdoj procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, të përmbyllë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si dhe të vazhdojë agjendën integruese evropiane. Po ashtu, edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë janë dërguar mesazhe për themelimin e institucioneve të qëndrueshme e demokratike.
Por, në Kosovë është krijuar një bindje, se fati i vitit 2014, që Kosova mbeti pas institucione për 6 muaj, do ta përcjell edhe sivjet.
E-Diaspora
-
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze Në kuadër të World Economic Forum (WEF) 2026 në Davos, një nga ngjarjet më prestigjioze globale... -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare -
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih
Jeta në Austri
-
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta Në shkurt, qeveria do të heqë taksën e duhanit. Disa çmime u rritën që në janar,... -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë












