Lajme

I çelen dyert qeverisë së re: Flasin deputetë dhe analistë në Maqedoni

Me zgjedhjen e Talat Xhaferit në krye të Parlamentit, është bërë një hap drejt debllokimit të njërit nga institucionet, siç është Dhoma legjislative. Kësaj, siç thonë deputetë dhe ekspertë politik, ndikoi edhe ardhja e zyrtarit të lartë amerikan Hojt Ji, i cili i dha shtytje të madhe zgjidhjes së ngërçit politik. Ata thonë se deri më 15 maj Maqedonia do ketë qeveri të re dhe gjitha punët do vijnë në vend të vet

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ka njoftuar Presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov se është formuar shumica e re parlamentare dhe se është zgjedhur kryeparlamentar. Ai pret që Presidenti të veprojë në pajtim me Kushtetutën ose në të kundërtën, Qeveria do të formohet edhe pa mandat.

“Në Bashkimin Evropian nuk ka asnjë dyshim për shumicën e reflektuar me zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit dhe kjo është shtytje për të vazhduar me punët dhe obligimet që i ka Parlamenti. Ivanov ka obligim që në afat prej 10 ditësh të reflektojë dhe të jap mandatin. Nëse ai nuk jep mandatin, në mënyrë hipotetike të mendojmë tani, Parlamenti ka të drejtë ekskluzive për çështje të vendosjes së zgjedhjes së Qeverisë së ardhshme dhe në këtë kontekst, kompetenca e Parlamentit dhe kryetarit të Parlamentit nuk varet nga asnjë institucion tjetër”, deklaroi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi gjatë vizitës së parë zyrtare në Bruksel ku u takua me zyrtarë të lartë të atjeshëm. Por, me zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar Parlamenti, është bërë një hap drejt debllokimit të njërit nga institucionet, siç është Dhoma legjislative. Kësaj, siç thonë deputetë dhe ekspertë politik, ndikoi ardhja e zyrtarit të lartë amerikan Hojt Ji, i cili i dha shtytje të madhe zgjidhjes së ngërçit politik, “proces që po zgjat disa muaj me radhë”.

 Ivanov i frikësuar nga Uashingtoni

“Ky është institucion me rëndësi të madhe për demokracinë e shtetit. Por, me këtë akt, praktikisht hapet rruga drejt formimit të dorëzimit të mandatit deri te Ivanovi dhe zgjedhjes së kabinetit qeveritar dhe qeverisë së re, ministrave të rinj që në një mënyrë do të debllokojnë institucionet tjera të vendit. Pas këtij akti hapen rrugë të reja për debllokimin e pushtetit gjyqësor me ndryshimin e prokurorit publik si dhe ndryshime tjera kadrovike me të cilën do të fitohet një mozaik si parakusht për sistemin më efikas në plan të brendshëm, dekriminalizimin, degruevizimin, sundimit të së drejtës dhe lirisë së mediave”, ka thënë analisti Nano Ruzhin për Albinfo.ch.

Nga ajo që kam informacione në këtë moment, shton tutje Ruzhin, “Ivanov është i frikësuar nga ana e Uashingtonit dhe ai do të duhet ta respektojë kushtetutën dhe ligjin dhe t’ia ndajë mandatin Zaevit”.

“Në të kundërtën, Zaev vetë mund të marrë mandatin në pajtueshmëri me kushtetutën dhe do pres 10 ditë, (pasi jemi demokraci parlamentare). Mendoj se jemi më afër tejkalimit të regjimit që 11 vite e bllokonte këtë shtet, ishim peng të tyre, vendosën rrjet kriminal që të udhëheqin me shoqërinë dhe fatet e njerëzve, imponuan frikë mes biznesit dhe njerëzve të thjeshtë, shantazhe, arrestime, procese politike, skenare si ‘Monstra’ dhe Lagja e trimave”, ka thënë Ruzhin, duke shtuar se deri më 15 maj Maqedonia do ketë qeveri të re dhe gjitha punët do vijnë në vend të vet.

Ndërkohë, analisti Albert Musliu thotë se me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri janë debllokuar institucionet por shton se Ivanovi me pas mençuri, “duhet të jep mandatin, ai nuk mund të ndërperet këtë dhe të arsyetojë papëgjegjsinë e vet”.

“Dhënia e mandatit dhe mosdhënia, nuk mund ta pres krijimin e qeverisë së re. Ivanovi mund ta vonojë 10 ditë, por Parlamenti ka të drejtë sovrane të mblidhet dhe të votojë qeverinë”, ka theksuar Musliu për Albinfo.ch.

Sipas tij, dita e 27 prillit është precedent, në Evropë nuk ka pasur raste të tilla, ka ndodhë në Armeni në 99-tën, dhe për atë çdokush duhet të marrë përgjegjësinë, ndërsa, “dikush që planifikon t’i ikë përgjegjësisë e ka gabim”.

“Çdo sjellje si ajo e 27 prillit është përdorim dhune ndaj institucioneve të Maqedonisë dhe për raste të tilla në shtetet demokratike ku sundon e drejta, duhet mbajtur përgjegjësi”, nënvizon Musliu.

VMRO është në opozitë

Edhe deputeti i RDK-së, Vesel Memedi mendon se tanimë hapet rruga për formimin e qeverisë së re.

Ata janë në opozitë duke aluduar në VMRO-në, dhe e dinë se janë në opozitë dhe siç shton, “duhet të jemi te kujdesshëm sepse janë në gjendje të bëjnë çmos që mos dorëzohen lehtë”.

“Do të thotë ardhja e Hojt Ji ka qenë shumë e rëndësishme dhe në moment mjaft kritik dhe u vërejt edhe reterim i Ivanovit dhe tjerëve dhe të shpresojmë se Ivanovi do të reflektojë dhe duke pasur parasysh sjelljen e tij ne si shumcë duhet te jemi të kujdesshëm për çdo veprim të mundshëm të tij”, thotë për Albinfo.ch, Veseli Memedi, deputet dhe kryetar i RDK-së.

Së fundmi, Lëvizja Besa tha se do të dorëzoj kërkesë tek kryetari i Kuvendit për të formuar komision hetimor për  zbardhjen e rastit të 27 prillit. Ata e konsideruan si akt barbar sulmin ndaj deputetëve, gazetarëve e punonjësve administrativë, të bërë nga grupi huliganëve të maskuar, të cilët duken të organizuar, duke shpërfaqur edhe elemente të sulmeve terroriste. Ndërkohë, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka thënë se akoma janë të mundshme pengesa të reja në procesin e formimit të Qeverisë së re, duke shtuar se gjasat për të ndodhë kjo janë gjithnjë e më të vogla.

“Besoj se OSBE mund të ofrojë ndihmë të madhe në parandalimin e krizës, në zbatimin e reformave dhe stabilizimin e vendit, si dhe ofrimin e garancive se asnjëherë nuk do të përsëriten raste të tilla. Kërkuam që OSBE të përfshihet në të gjitha proceset e ardhshme me qëllim që të përshpejtohen proceset e stabilizimit të vendit”, ka thënë Zaev pas takimit me zyrtarë të OSBE-së, duke shtuar se do të luftojë deri në fund për një shtet të drejtë për të gjithë.