Lajme

Pamje rrëqethëse: huliganët kishin menduar se Sela është i vdekur

Punëtori shqiptar i sigurimit në Kuvend, Abdylfetah Alimi e kishte ngritur Ziadin Selën në shpinë dhe e kishte dërguar në një zyrë në katin e fundit. Ai thotë se e kishte marrë Selën nga duart e huliganëve, të cilët kishin menduar se ai ka vdekur

Pesë ditë pas skenave të dhunës që ndodhën në Kuvendin e Maqedoni, ku protestuesit e dhunshëm hynë në Kuvend dhe sulmuan ligjvënësit, u shfaqen video rrëqethëse ku shihet se si huliganët e mbështetur nga partia VMRO DPMNE, kanë rrahur brutalisht deputetin shqiptar, Ziadin Sela dhe kanë tërhequr zvarrë atë.

Lideri i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela aktualisht është në gjendje të qëndrueshme dhe shumë shpejtë pritet t’i kthehet jetës normale. Kështu ka deklaruar zyrtari i lartë i partisë së tij Arben Taravari. Ai pritet që në fundjavë të kthehet në rehabilitim shtëpiak kurse së shpejti edhe të jetë në gjendje t’u kthehet detyrave të tij publike.

Por, për AlsatM, punonjësi i sigurimit në Kuvendin e Maqedonisë, Abdylfetah Alimi nga Orizarja e Kumanovës, tregon momentet e tmerrit që kaluan bashkë me Selën, në kohën kur ai e shpëtoi atë nga duart e dhunuesve të cilët mbi të ishin duke ushtruar dhunë brutale.

“Ka qenë moment shumë i vështirë, moment i tmerrshëm. Më ka thirr një kolege, “Fetah eja se e kanë mbytur Selën. Para kësaj kohe, për disa minuta kam qenë i alivanosur mirëpo Zoti më ka dhënë fuqi që të vrapoj poshtë në katin e parë. Aty kur shkova te klubi i deputetëve e kam parë z. Selën të shtirë dhe të përgjakur. Edhe unë kam menduar se është i vdekur. Aty kam rënë mbi trupin e tij dhe atëherë kam vënë re se është duke marrë frymë. Ja kam marrë dorën dhe kam parë se ka puls. Aty kanë qenë dy huliganë të cilëve ju kam thënë “largohuni se është i vdekur” dhe ata kanë menduar se është kryer puna”, tha Abdylfetah Alimi.

Punëtori shqiptar i sigurimit, Abdylfetahu ka ngritur Selën në shpinë dhe e ka dërguar në një zyrë në katin e fundit.

“Kur kemi hy aty, ai ishte në gjendje shumë të rëndë. Unë e shtriva në dysheme dhe më pyeti “kush je”. Atëherë i kam treguar se jam Fetai i sigurimit të Parlamentit. I erdhi një shpresë shumë e madhe, shumë e fortë. Më tha, Fetah jam në besën tënde. Në atë moment i thash – Ziadin, nëse më vrasin, ma bën hallall|”, u shpreh Abdylfetah Alimi.

Abdylfetahu dhe Sela për disa orë me radhë kanë qëndruar vetëm. Ndërkohë në sallë është paraqitur vetëm infermierja e Kuvendit për t’i dhënë infuzion.

Orën e tmerrit, Abdylfetahu i përshkruan të gjata si shekuj. Disa orë më vonë ka arritur grupi i policëve të cilët kanë ndihmuar evakuimin e tyre. Pasojat e asaj nate Abdylfetahu i ndjen akoma. Pamjet e tmerrit që përjetoi edhe më tej vazhdojnë ta shqetësojnë. Veprimin e tij e përshkruan më shumë si përgjegjësi morale dhe profesionale.