Një komitet ndërministror për Brezovicën

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të nisë përgatitja e planit për tërheqjen e investimeve në Brezovicë, sipas projektit ideor të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian.

Në mbledhje e Qeverisë, është aprovuar vendimi për krijimin e Komiteti Ndërministror që do të udhëheqë përgatitjet për projektin për zhvillimin e Brezovicës.

Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe e Industrisë, ka thënë se në këtë projekt nuk do të nxitohet.

Ajo ka deklaruar se komiteti do të takohet gjatë javës, eventualisht javën e ardhshme, ku do të bëhet një agjendë e veprimit në bazë të së cilës do të veprohet.

Sipas saj në kuadër të agjendës, do të jetë edhe miratimi i masterplanit të bërë nga Komisioni Evropian.

Ky projekt do të rrisë edhe vlerën e aseteve që janë paraparë të privatizohen, e që gjeografikisht janë afër kësaj pjese ku janë paraparë investimet e reja.

Ekspertët e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian kanë ardhur në përfundim se qendra e skijimi nuk i plotëson kërkesat e një kompleksi modern malor që funksionon gjatë tërë vitit.

Rekomandimi i ekspertëve të ZNKE-së është që qendra e skijimit të zhvendoset në zonën e afërt në pjesën perëndimore të zonës ekzistuese, shkruan Koha Ditore.

Në bazë të masterplanit është paraparë që zona e re të ketë kapacitet për 10.000 mysafirë. Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme parashihet zhvillimi në faza i pesë teleferikëve dhe i një fshati turistik për përmbushjen e kërkesës të më shumë se 6000 mysafirëve.

Në Komitetin Ndërministror janë përfshirë dy zëvendëskryeministrat, përkatësisht Mimoza Kusari-Lila dhe Sllobodan Petroviq. Pjesë e këtij Komiteti janë edhe ministrat Bedri Hamza, Vlora Çitaku dhe Dardan Gashi, si dhe kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.