Sport

Pritje madhështore për Erzen Rrustemin

Komuna e Gjilanit pritet të organizojë pritje madhështore për kampionin e botës në versionin WBF, Erzen Rrustemi. Për të është organizuar një koncert i madh me pjesëmarrjen e rok grupeve dhe këngëtarëve të njohur

 

Boksieri i njohur shqiptar i cili jeton në Zvicër, Erzen Rrustemi do të vijë të shtunën në Kosovë, dhe Komuna e Gjilanit do t’i organizojë një pritje madhështore, raporton albinfo.ch.

 

Komuna e Gjilanit është duke bërë përgatitjet finale rreth pritjes së Rrustemit, me një koncert madhështor, te sheshi “Agim Ramadani”, me pjesëmarrje të rok grupeve dhe këngëtarëve të mirënjohur të muzikës popullore, përderisa audiencës do t’i drejtohet me një fjalë rasti kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe kampioni i botës në boks, në versionin WBF, Erzen Rrustemi, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

 

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se Erzen Rrustemi është krenaria e Gjilanit, Kosovës dhe e mbarë shqiptarëve, duke thënë se meriton t’i bëhet një pritje madhështore.

 

Ndryshe, me iniciativë të kryetarit Lutfi Haziri, Kuvendit Komunal i Gjilanit pati shpallur boksierin Erzen Rrustemin “Nderi i Qytetit”, në ceremoninë për më të dalluarit e vitit, qershor 2015-qershor 2016.