Lajme
Kërkohet riintegrimi i xhihadistëve kosovarë në shoqëri
Ish-pjesëmarrësit në luftën e Sirisë kërkojnë riintegrim të këtyre personave në shoqërinë kosovare. Por, autoritetet në Kosovë thonë se “amnistia e tyre” është e pamundur për shkak Ligjit që parandalon pjesëmarrjen në luftërat e huaja
Riintegrimi i personave të përfshirë në luftërat e huaja do të mund të bëhej përmes një amnistie të monitoruar për të gjithë pjesëmarrësit e luftërave të huaja në periudhën ndërmjet 2011 dhe 2014. Kështu të paktën mendojnë njohës të rrethanave të sigurisë dhe të rikthyerit nga vatrat e luftës në Republikën e Kosovës.
Ky proces, thonë ata, duhet të përfshijë njerëz që “nuk e kanë ditur as vetë se çka është duke ndodhur në Siri”.
Por, për autoritetet në Kosovë “amnistimi i pjesëmarrësve në luftimet në Lindjen e Mesme është i pamundur për shkak të natyrës së veprës së kryer” dhe mbi të gjitha, për shkak të Ligjit që parandalon pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës në luftëra të huaja.
Një numër i të rikthyerve nga vatrat e krizës thonë se pjesa më e madhe e atyre që janë përfshirë në luftime kanë qenë ‘të manipuluar’.
Albert Berisha është njëri nga të kthyerit që sot udhëheqë me një Institut për Integrim, Siguri dhe Deradikalizim. Ai tha për REL se “shumica e këtyre personave kanë qenë viktima të keqinformimit dhe keqpërdorimit, që kanë ardhur nga shumë institucione, përfshirë edhe ato politike”.
“Mënyra me e lehtë se si të bëhet riintegrimi i tyre është që të bëhet një lloj amnistie e monitoruar për të gjithë ata persona që kanë qenë nga viti 2011 deri në maj të vitit 2014, kur gjërat në Siri kanë qenë krejt të turbullta dhe asnjë nga ta nuk kanë mundur ta dinë saktësisht se çka është duke ndodhur atje”, tha Berisha.
Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në rajon, duke e shndërruar Kosovën në vendin me numrin më të madh të ‘luftëtarëve të huaj’ në Evropë në raport me popullatën e saj. Sipas autoriteteve të sigurisë, afro 140 veta kanë mbetur në vatrat e krizës, përfshirë edhe gra dhe fëmijë.
Një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që një pjesë tjetër ende po përballen me drejtësinë.
Zëvendësministri i brendshëm në Qeverinë e Kosovës, Valdet Hoxha, i cili njëherësh është Koordinator Nacional Kundër Terrorizmit, tha për REL se ‘Kosova funksionon mbi bazën e një legjislacioni pozitiv’.
“Ju e dini se Kuvendi i Republikës ka miratuar ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja të qytetarëve tanë, ku dënimi parashihet deri në 15 vjet dhe nuk mund t’i ikim kësaj rregullative. Në këtë kontekst, nuk mund të bëjmë përjashtime, por në kontekst të zbatimit të ligjit po i shqyrtojmë të gjitha mundësitë që riintegrimi i tyre të mos shihet si masë represive por një vullnet i mirë duke zbatuar ligjin dhe duke i ndihmuar ata që të integrohen dhe riintegrohen në jetën shoqërore”, tha Hoxha.
Aktualisht, Kosova ka pak përvojë dhe aftësi në procesin e riintegrimit në shoqëri të të gjithë atyre personave që kanë marrë pjesë në vatrat e krizës në Lindjen e Mesme, thonë ekspertë të fushës së sigurisë.
Albert Berisha konsideron se “riintegrimi është i domosdoshëm dhe njëkohësisht edhe i mundur”.
“Duhet t’i nënshtrohen të gjithë procesit të riintegrimit që nënkupton punësim, edukim, shkathtësi profesionale, asistenca sociale, ofrim të ndihmës mjekësore e psikologjike e shumë aktivitete të tjera që kishin mundur t’i bëjnë këta persona… të gatshëm për t’u riintegruar në shoqëri”, thotë Berisha.
Ndërsa zëvendësministri Valdet Hoxha tha se është koha që institucionet dhe mekanizmat e tjerë të merren me rehabilitimin dhe integrimin e atyre që kanë ikur në vatrat e luftës dhe një rol i rëndësishëm në strategjinë për rintegrim i është lënë edhe klerikëve të besimit islam.
Në verën e vitit 2014 nga mbi 60 persona që u arrestuan, 12 ishin imamë të xhamive në Kosovë dhe një pjesë e tyre u përballën me drejtësinë.
Një Gjykatë në Ferizaj vitin e kaluar dënoi me 10 vjet burg, imamin e një xhamie të Gjilanit, Zekirija Qazimin, ndërkohë që në Prishtinë një prokuror i Prokurorisë Speciale ngriti padi ndaj një imami të xhamisë së madhe të qytetit, Shefqet Krasniqi, për, siç thuhet, ‘nxitje të veprave terroriste”.
Por, thirrjet për përfshirje të Bashkësisë Islame të Kosovës në procesin e riintegrimit të ‘personave të radikalizuar’, janë shtuar, dhe profesori në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Xhabir Hamiti, e sheh këtë rol përmes, siç thotë, mekanizmave edukativo-fetar.
“Pa riaktivizimin e këtij institucioni fetar [BIK] dhe pa riorganizimin e tij të fuqishëm në parandalimin e interpretimin e jashtëm fetar të ideologëve politikë dhe sektarë të mësimeve islame, përpjekjet e tjera në këtë drejtim nuk do të them se nuk do të jenë të suksesshme, por nuk do të mund të sjellin rezultatin e pritur”, tha Hamiti.
Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës ndërkaq thonë se janë të gatshëm që të përfshihen në procese të integrimit dhe rehabilitimit.
Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora tha se institucionet përgjegjëse në Kosovë kanë një plan strategjik por jo edhe konkret.
“Janë bërë disa programe dhe ne presim që në ato programe të përfshihen edhe punëtorët e BIK-it, që bashkërisht me institucionet përkatëse të shtetit të japim kontributin tonë për deradikalizimin të tyre. Unë mendoj se kontributi i BIK-ut është i jashtëzakonisht i nevojshëm në këtë fazë sepse ndoshta jemi më të përgatitur për të krijuar kundërnarrativët me të cilat kanë dal këto grupe radikaliste”, tha Bajgora.
E-Diaspora
-
Gastroenterologu Dr. Mentor Bilali – një nga mjekët më të kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës Për shqiptarët, Dr. Bilali me ordinancën e tij MagenDarm Zentrum Oberaargau ka edhe një peshë të... -
Nxënësit shqiptarë në Parma festojnë Pavarësinë e Shqipërisë -
Paris
Paris: Inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve -
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora
Jeta në Austri
-
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 Anëtarët e Komisionit të Përbashkët të Parlamentit të Austrisë kanë miratuar në mënyrë unanime vazhdimin e... -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje










