Lajme

Ivanovi i pandryshueshëm: Nuk do të lejojë dy gjuhësi në Maqedoni

Presidenti maqedonas, Ivanov në fjalimin  fundvitit tha se asnjëherë nuk do të dakordohet që Maqedonisë të jetë shtet binacional dhe federal. Ai u shpreh kundër dygjuhësisë

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov është deklaruar hapur kundër dygjuhësisë në këtë shtet, ndërsa ka akuzuar partitë politike maqedonase se kanë proklamuar përdorimin gjuhës shqipe në gjithë shtetin. Ai në fjalimin e fundvitit u ka bërë thirrje partive maqedonase, VMRO dhe LSDM që të bashkohen për interesa, siç ka thënë ai, të shtetit.

“Qëndrimi im është më se i qartë. Asnjëherë nuk do të dakordohem që Republika e Maqedonisë të jetë shtet binacional. Asnjëherë nuk do të dakordohem që Republika e Maqedonisë të jetë shtet federal”, deklaroi presidenti Ivanov në fjalimin vjetor të mbajtur sot në kabinetin e tij.

“Ende dëgjoj se si liderë të caktuar të partive publikisht licitojnë me karakterin unitar të shtetit, me njëfarë kantonizimi dhe federalizimi, me emrin e shtetit dhe identitetit të qytetarëve. Ata licitojnë me interesat shtetërore. Do t’i përkujtoj se Maqedonia në vitin 1991 u konstituua si shtet nacional i popullit maqedonas, në të cilin sigurohet barazi e plotë qytetare dhe bashkëjetesë e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe nacionalitetet tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Ivanov.

Ai potencoi se me Marrëveshjen e Ohrit u hap dera për përfaqësim të barabartë të qytetarëve, nga të gjitha bashkësitë, e jo vetëm nga njëra.

Është e palejueshme, sipas tij, disa liderë të partive parlamentare në tryezë negociuese t’i vendosin interesat shtetërore të Republikës së Maqedonisë, siç tha, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

“Në emër të qytetarëve maqedonas, i paralajmëroj të kenë kujdes çka bëjnë. Në emër të qytetarëve maqedonas, i porosis të mos mendojnë në kombinatorikat e tyre paszgjedhore të bisedojnë apo negociojnë për interesat shtetërore të Maqedonisë dhe interesat nacionale të popullit maqedonas. Meqenëse për interesat shtetërore as nuk bisedohet, as nuk negociohet”, potencoi Ivanov, citon Almakos.

Sipas presidentit maqedonas, i cili është dëshmuar se ka urreje ndaj shqiptarëve, “askush nuk ka mandat ta ribëjë shtetin, ta ndryshojë identitetin e tij”. Ai po ashtu theksoi se zgjedhjet në Maqedoni kanë bërë që të zhvillohen bisedime për koalicion, por ai porositi liderët politik, që mbi interesa të tyre ta kenë atë shtetëror.

“Qytetarët e kuptuan se për të dalë nga kriza nuk nevojitet mbivotim, por harmonizim, nuk nevojitet shantazhim, por pajtim”, tha Ivanov, duke shtuar se qytetarët me mjaft përgjegjësi e kanë plotësuar pjesën e vet të marrëveshjes të quajtur demokraci.

“Dëgjoj se kërkohet dygjuhësi në tërë territorin e Maqedonisë. Kjo çështje është e mbyllur me amendamentin 5 të Kushtetutës së Republikës të Maqedonisë, e cila doli nga Marrëveshja e Ohrit, ku rregullohet çështja për gjuhën zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Përdorimi zyrtar i cilës do gjuhë në Republikën e Maqedonisë varet nga statistika, ndërsa mënyra e vetme për fitimin statistikës reale është regjistrimi”, theksoi presidenti Ivanov.

Ai u bëri thirrje lidershipit të të dy partive më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe LSDM të gjejnë forca për të falur njëra-tjetrën, të pajtohen dhe përfundimisht të bashkohen rreth interesave nacionale të popullit maqedonas dhe interesave shtetërore të Republikës së Maqedonisë. “Nuk ka asgjë më tragjike dhe më të rrezikshme se konflikti ndërmaqedonas”, tha ai në fjalimin  tij.