Lajme

Deputetët kosovarë kërkojnë nga Serbia lirimin e nënkolonel Thaçit

Arrestimi nga Serbia i pjesëtarit të Policisë së Kosovës, nënkolonel Nehat Thaçi ka irrituar ligjvënësit kosovarë. Ata kërkuan që urgjentisht të lirohet oficeri kosovar që po mbahet dhunshëm nga autoritetet serbe

Arrestimi i nënkolonel Nehat Thaçit, komandantit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, ka irrituar ligjvënësit kosovarë, të cilët kanë kërkuar që menjëherë polici Thaçi të lirohet nga autoritetet serbe. Sipas deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në Serbi akoma mbizotëron  logjika e diktatorit Sllobodan Millosheviq.

Këtë kërkesë e kanë shqiptuar anëtarët e Komisionit për  Punë të Brendshme dhe Siguri të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i këtij Komisioni. Daut Haradinaj tha se arrestimi i nënkolonelit Thaçit dëshmon qartë politikën e vjetër të Serbisë në raport me Kosovën.

“Arrestimet e njëpasnjëshme, ndalimet, apo edhe fyerja që po i bëhet uniformës së Kosovës, është dëshmi se Serbia po vazhdon me mentalitetin e vjetër. Ky është vazhdim i praktikave millosheviqiane”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, Ganimete Musliu, si inicuese e këtij takimi, tha se nuk ka më asnjë vlerë që të vazhdohen bisedimet me Serbinë, derisa ka raste të tilla.

“Ose duhet të kërkojmë reciprocitet të marrëveshjeve që nënshkruhen në Bruksel, ose duhet të marrim vendim për vazhdimin ose jo të bisedimeve me Serbinë që zhvillohen në Bruksel”, tha ajo, duke apeluar tek qytetarët e Kosovës që të jenë të kujdesshëm dhe mos të kalojnë nëpër territorin e Serbisë.

Anëtari Nuredin Ibishi, tha se arrestimi i Nehat Thaçit është një goditje e rëndë për vendin dhe se kjo është vazhdimësi i një regjimi të tillë, sikurse ishte në të kaluarën. Ai tha se autoritetet tona duhet të ndërmarrin masat e duhura për lirimin e Thaçit.

Ndërkaq, shtoi se kjo tregon një sistem fragjil në sektorin e sigurisë, duke përmendur me këtë rast edhe mungesën e bashkëpunimit ndërkombëtar më këtë çështje.

Kurse Rexhep Selimi ish komandant i UÇK-së, theksoi se të pranishëm në këtë takim duhet të ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo edhe Policisë së Kosovës, ndërkaq shtoi se ky nuk është rasti i parë kur xhandarmëria serbe arreston policë të Kosovës.

Ai madje ironizoi me bisedimet Kosovë-Serbi. “Ky qenka normalizim i marrëdhënieve me Serbinë”, tha ai.

“Nëse qeveria serbe shkel dhe nuk respekton ligjet Republikës së Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës, të njëjtën gjë po e bënë Qeveria e Kosovës e cila nuk po i respekton ligjet  dhe Kushtetutën e saj, kur bëhet fjalë për arrestimin e atyre që duhet të arrestohen”, tha Selimi, duke përmendur me këtë rast paralajmërimin për vizitë të Gjuriqit në Kosovë.

Selimi vlerësoi se raportet më të mira ndaj Serbisë do të ndërtohen me aplikimin e reciprocitetit, në të gjitha fushat.

Ndryshe, disa ditë më parë derisa po kalonte në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë në Konçul, autoritetet serbe arrestuan nënkolonel Nehat Thaçin nën dyshimin se ka kryer vepra terroriste gjatë kohës së luftës. Ai po mbahet në burgun e Nishit në Serbinë Qëndrore.