Lajme

Demantohet Kurti: s’ka luftë me Malin e Zi

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe analistët politikë e konsiderojnë të papërgjegjshme deklaratën e Albin Kurtit për luftë me Malin e Zi. Ata thonë se nuk ka asnjë indikacion "për luftë" me Podgoricën

Deklarata e ish liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti se mund të ndizet lufta në kufirin me Malin e Zi nëse ratifikohet marrëveshjes e 26 gushtit 2015, ka ngjallur reagime në Prishtinë, duke deklaruar se nuk ka asnjë indikacion që çon tek lufta ndërmjet dy shteteve. Madje për disa analistë, lufta ka përfunduar në vitin 1999.

Bajram Gecaj, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i quan deklaratat e deputetit Kurti si të papërgjegjshme, si dhe ka hedhur poshtë çdo pretendim se marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi, e formës së tanishme, prodhon situatë për ndonjë luftë të mundshme me Malin e Zi.

“Nuk ka kurrfarë indikacionesh dhe unë besoj, sepse ne jemi në kontakte të vazhdueshme me këtë shtet, sepse është shtet mik, është shtet fqinj, me të cilin kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira. Nuk besoj që këto deklarata do të merren si deklarata serioze. Megjithatë, është plotësisht e papërgjegjshme që një lider i një lëvizje apo një subjekti politik, i cili është subjekt parlamentar, të bëj deklarata të tilla, deklarata, të cilat, fatkeqësisht, do ta orientonin Kosovën drejt një lufte me një shtet, me të cilin nuk kemi aspak dhe asnjë problem kontestues”, ka thënë ministri Gecaj.

Reagimet e tilla të zyrtarëve të Qeverisë, por edhe analistëve të çështjeve politike dhe të sigurisë, vijnë pas deklaratave të Albin Kurtit, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit më të madh opozitar Lëvizja Vetëvendosje, i cili nga mediet vendore është cituar të ketë thënë se “Demarkacioni i Murat Mehës (kryetar i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare) bën konfliktin, luftën dhe gjakderdhjet e reja me Malin e Zi”.

Deklaratën e deputetit Kurti e e vlerëson si të papërgjegjshme edhe Halil Matoshi, analist i çështjeve politike.

Ai thotë se pas një shekulli, në rajon ekziston një stabilitet i qëndrueshëm dhe askush i përgjegjshëm nuk do të ishte i gatshëm ta prishë këtë stabilitet, e posaçërisht duke dërguar mesazhe kërcënuese ndaj Malit të Zi, që sipas Matoshit, është një nga shtetet mike të Kosovës.

“Jo vetëm që e ka njohur shtetin e ri, por ia ka shtrirë edhe dorën e miqësisë, do të thosha. Dhe, duke qenë se është kandidat potencial për NATO, Mali i Zi, praktikisht duhet të ishte partner i Kosovës në integrimet euro-atlantike dhe jo dikujt t’i shkojë mendja që të kërcënojë me luftë një shtet fqinj. Prandaj, mendoj që zoti Kurti nuk është serioz në këtë deklaratë dhe mendoj që nga publiku nuk do të merret seriozisht”.

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, profesor i Sigurisë kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë se deklaratat dhe parashikimet e deputetit Kurti për një luftë të mundshme me Malin e Zi, nuk kanë asnjë bazë të qëndrueshme dhe asnjë argument me premisa reale.

Por, sipas tij, ato janë deklarime që me një dozë të madhe tentojnë ta nxisin dhe rikthejnë një gjuhë të urrejtjes ndërshtetërore, ndërkohë që një gjuhë e tillë është e papranueshme për integrimet euro-atlantike të Kosovës.

Ramadani ka shtuar se çështja e Demarkacionit është problem krejtësisht i brendshëm i politikës së Kosovës dhe jo i Malit të Zi, me të cilin, siç thotë ai, Kosova ka marrëdhënie shumë të mira.