Lajme

Refugjatë nga Lindja e Mesme kërkojnë azil në Kosovë

Në Qendrën për Azil në afërsi të Lipjanit, rreth 20 kilometra në jugperëndim të Prishtinës. Janë të vendosur 22 refugjatë të ikur nga Lindja e Mesme. Ata janë nga Palestina, Siria, Afganistani...

Edhe pse Kosova gjatë viteve të fundit ka qenë vetë burimi i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, kohën e fundit është kthyer në një qendër që pranon refugjatë. Edhe pse jo në numër të madh, megjithatë në Qendrën për Azil në afërsi të Lipjanit, rreth 20 kilometra në jugperëndim të Prishtinës. Janë të vendosur 22 refugjatë të ikur nga Lindja e Mesme.
Zahir al Karan, ka një viti që ka ikur nga vendlindja e tij Palestina duke kërkuar një mundësi tjetër të jetës larg luftës e shkatërrimeve dhe së fundi është vendosur në Kosovë.

Rrugëtimi i ikjes ka nisur nga Turqia në Greqi drejt Shqipërisë për t’u vendosur në Qendrën për Azil në afërsi të Lipjanit.

Kur e takuam ishte i vetëm në dhomën e Qendrës ku janë të vendosur edhe 22 refugjatë të tjerë të ikur nga vendet e Lindjes së Mesme. Përveç tij, në Qendrën për Azilkërkues nuk ndodhej asnjë tjetër, mbase në kërkim të rrugëve tjera alternative ose edhe pse Qendra vetë është e hapur.

Zahir Al Karan thotë se ka ikur nga Palestina për shkak të konfliktit të armatosur dhe në kërkim të një jete ndryshe. Në Palestinë ka lënë familjen e tij nga të cilët ka njoftime të pakta.

“Pasi kam ikur nga Palestina, kam jetuar në Turqi për gjashtë muaj, kam punuar atje, por as atje nuk ka pasur asgjë punë stabile. Kam marrë rrugën për në Evropë por nuk arrita ta përfundoj rrugën për shkak se nuk kisha para. Kam shkuar në Greqi dhe më pas në Shqipëri. Nga Shqipëria një trafikant, me gjashtë persona të tjerë na ka sjellë në Kosovë”, thotë al Karan..

Gjatë qëndrimit në Turqi al Karan, thotë se është martuar më një grua nga Siria.

“Jam i martuar në Turqi më një grua nga Siria që ka jetuar në Stamboll. Kur kam ardhur këtu ajo është kthyer në Siri dhe jeton në Siri. Ajo ka qenë e martuar me një burrë që është vra në Siri dhe ka dy fëmijë. Mendoj që t’i marrë këtu dhe jemi në bisedime me ministrinë”, tha al Karan duke shtuar se “do të largohej prej Kosovës por ende nuk e ka planifikuar ku”, citon REL.

Njëzet e dy refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme, që po qëndrojnë në Kosovë, janë të gatshëm për të ikur drejt vendeve të Bashkimit Evropian por ende nuk kanë gjetur një mundësi më të mirë.

Shumica nga ta kanë hyrë në territorin e Kosovës ilegalisht dhe janë kapur nga policia në brezin e gjelbër kufitar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe në afërsi me kufirin me Serbinë.

Të gjithë të rinj, në ikje e sipër nga vatrat e krizës që kanë përfshirë vendet e tyre, duke përfunduar në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Qendra për Azil në komunën e Lipjanit ka një kapacitet jo të vogël për pranimin e atyre që hyjnë në Kosovë për t’u strehuar dhe ofron edhe ndihmë për ta, ushqim veshmbathje dhe para.

Drejtori i Qendrës për Azilkërkues në Magurë të Lipjanit, Fitim Zariqi, thotë se azilkërkuesit janë nga Siria, Palestina, por shumica nga ta janë nga Afganistani.

Thotë se Kosova kryesisht shfrytëzohet si një vend transit për të kaluar më pas në vende të ndryshme të Evropës.

“Shumica prej tyre janë larguar, kanë mbetur vetëm këta që i ceka me lartë. Qëndrimi i tyre maksimal sipas një përllogaritje që kemi bërë ne, i bie rreth 7-8 ditë që qëndrojnë në Kosovë”, tha Zariqi.

Autoritetet në Kosovë thonë se që nga fillimi i këtij viti 171 persona kryesisht nga Afganistani, Siria dhe Palestina kanë kërkuar azil. Vetëm në javën e parë të shtatorit të këtij viti, rreth 17 refugjatë nga Afganistani janë kapur nga Policia e Kosovës duke hyrë ilegalisht brenda territorit përmes Shqipërisë dhe veriut të Kosovës.