Lajme

Rrahja e fëmijës 3 vjeçar, trazon opinionin publik

Edukatorja e çerdhes “Diren” në Tiranë, shihet duke e rrahur një fëmije 3 vjeç derisa ai qante. Madje edhe e grushtonte atë. Fëmija kërkonte shpëtim te një edukatore tjetër. Ky akt dhune ka trazuar opinionin shqipar në Ballkan

Rrahja brutale e një fëmije 3 vjeçar nga edukatorja dhe njëherësh pronarja e çerdhes ka shokuar opinionin në Shqipëri e gjithandej Ballkanit. E filmuar nga një kamere amatore, administratorja e kopshtit “Diren”, Anjeza Shabani, është arrestuar nga Policia e Tiranës pas videos që u publikua nëpër media dhe në rrjetet sociale.

Kjo edukatore dhe biznesmene u denoncua në emisionin “Stop”. Ajo shihet duke e rrahur një fëmije 3 vjeç derisa ai qante. Madje edhe e grushtonte ato. Fëmija kërkonte shpëtim te një edukatore tjetër duke e përqafuar. Kjo edukatore është marrë në pyetje për disa orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ka pranuar se në kopshtin ku ajo ishte e punësuar, ushtrohej dhunë ndaj fëmijëve, derisa thotë se kishte frikë të tregonte sepse punëdhënësja brutale, do ta largonte nga puna.

Madje ka pranuar edhe përgjegjësinë e saj për mosdenoncimin pranë organeve kompetente, por është justifikuar duke thënë se kishte frikë të kallëzonte atë që bënte punëdhënësja e saj, Anjeza Shabani.

Kjo e fundit, Anjeza Shabani, gjatë deklarimeve në Polici, kishte thënë se videoja është shkurtuar dhe ase ajo e ka përqafuar djalin. Ajo ka thënë, që në këtë kopsht nuk kishte ndodhur më parë dhunë ndaj fëmijëve.

Madje ajo ka treguar se për atë fëmijë ka edhe një farë dobësie për shkak se ai është një fëmijë i veçantë ndërsa tashmë djali ndodhet në duart e mjekëve dhe do të jenë ata që do të japin fjalën e fundit në lidhje me gjendjen e tij mendore, pasi fëmija ka shfaqur shenja të ankthit gjatë kohës që ishte në gjumë.

“Videoja është prerë, nuk është e plotë. Unë pasi e qëlloja edhe e kam përqafuar fëmijën. Por ai përsëri nuk pushonte. Unë nuk e dija që fëmija ishte autik. Nuk më kishin thënë. Po të shihni videot e plota shihet që unë e kam puthur dhe përqafuar disa herë”, tha Shabani para Policisë duke shpërthyer në lot.

Anjeza Shabani rrezikon tashmë deri në 20 vjet burg për akuzat në fjalë. Ajo kishte marrë me qira katin e parë të një vile në Sauk të Tiranës, duke e vënë në funksion të kopshtit privat që ajo kishte hapur. Ajo kishte të regjistruar rreth 15 fëmijë dhe kishte punësuar 2 edukatore që të kujdeseshin për ta.

Pas këtij skandali, ka reaguar edhe ministrja e Arsimi, Lindita Nikolla, e cila pranon se kopshti ku u përdorë dhuna nuk kishte licencë. “Ajo që dhunonte ishte administratorja e një institucioni që ishte fantazmë, që do të thotë që nuk është i licencuar”, tha ministrja Nikolla.

Prindërit që ia kishin besuar fëmijën kësaj edukatre, janë shfaqur të habitur kur e kanë parë videon.

“Komplet si familje ishim shumë të shokuar, nuk ju besonim syve pavarësisht se ishim të përgatitur që kishte një material për t’u paraqitur. Ishte një “shok” për ne. Fëmija im ka përjetuar një dhunë që nuk ma merr mendja që as në kampin e Aushvicit nuk mund të ndodhi diçka e tillë”, tha babai i fëmijë për “shekullin”.

“Unë kam ardhur të denoncoj dhe një rast tjetër, se çfarë pasojash ka krijuar ajo dhunë ku dalin të goditurat që ka marrë fëmija. Ju keni parë videon ku fëmija im dridhet, në orën 2 apo 3 të mëngjesit, pasi është regjistruar materiali në datën 14”, deklaroi më pas prindi i 3 vjeçarit.

Gjithashtu babai i fëmijës rrëfen se gjatë ditës kur është dhunuar fëmija ka përjetuar momente të vështira.

“Është marrë nga nëna në momentin që është zgjuar, dhe regjistrimi është bërë nga unë si baba, ku e kemi çuar në ambientet e dhomës pritjes dhe i kemi ndezur televizionin me muzikë, me kukulla dhe nuk po qetësohej. Ulërinte dhe hidhej duke goditur kokën duke manifestuar dhunën që ai ka përjetuar”, shprehet ai.

Babai i fëmijës ka dhe një apel për prindërit e tjerë që të kenë kujdes ku i dërgojnë fëmijët e tyre.

“Ndjehem fajtor vetëm për arsyen se e kam çuar në atë kopsht dhe i bej apel të gjithë prindërve të mos dërgojnë fëmijët e tyre në kopshte jo të sigurta. Shumica nga ne kur çojmë makinën në servis i rrimë tek koka si një vlerë materiale dhe jo si një vlerë njerëzore nga puna dhe nga jeta. I lemë fëmijët në kopsht dhe ikim, pastaj i marrim pasdite dhe kaq. Dëshira ime më e madhe do të ishte që këto fakte dhunë të mos ishin vërtetuar dhe dyshimet e mia të binin që fëmija im të mos përjetonte këtë dhunë”, deklaron babai i fëmijë.

Kundër dhunës ndaj fëmijëve janë deklaruar edhe shumë personalitet nga kultura, arti, politike. Në mesin e tyre është edhe këngëtari dhe moderatori Ardit Gjebrea, i cili bën një propozim për kopshtet dhe çerdhet me fëmijë.

“Pas asaj që pashë, më lindi natyrshëm pyetja: A duhen vendosur kamera në çerdhe e kopshte? Nëse do ishte në dorën time, në çdo çerdhe apo kopsht publik do vendosja kamera, dhe çdo biznes privat të këtij lloji do ta detyroja t’i vendosnin, ndryshe, drynin. Çdo prind duhet të ketë akses të kontrollojë fëmijën e tij në kohë reale. Këto raste duhet të shërbejnë për reflektim te thellë dhe marrje masash urgjente. Jam i prirur të besoj se çdo person dhe institucion përgjegjës do reagojë”, shkruan Gjebrea.

Dhuna në kopshtin “Diren” ka ngjallur reagime edhe nga ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili e quan këtë “një akt shtazarak”. “Një akt çnjerëzor i pronares edukatore që torturon shtazërisht një vogëlush 3 vjeçar”, shkruan Berisha në Facebook, transmeton Albinfo.Ch.