Lajme

Rreth 7 për qind të fëmijëve kosovarë punojnë punë të rënda

Kryeministri Mustafa tha se përkushtim i posaçëm i Qeverisë së Kosovës mbetet mirëqenia e fëmijëve. Sipas statistikave mbi 10 për qind e fëmijëve janë të angazhuar në punë

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 10.7 për qind e fëmijëve në Kosovë të moshës 5-17 vjeç janë të angazhuar në punë, ndërsa 6.8 për qind e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme. Shumica e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda, sipas statistikave, detyrohen të sillen si të rritur, duke mos pasur mundësi t’i gëzojnë të drejtat e tyre si fëmijë.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ngreh shqetësimin për shklejen e të drejtave të fëmijëve, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit.

KOMF vlerëson punën e bërë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për krijimin e bazës ligjore dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së fëmijëve.

Megjithatë, KOMF konsideron që akoma nuk ka vullnet të mjaftueshëm institucional në nivel komunal në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në punë të rënda, ku kjo vihet re qysh nga mungesa e planifikimit buxhetor për zbatimin e legjislacionit të aprovuar, e si pasojë dhe mungesa e shërbimeve apo alternativave të cilat do ti mbronin fëmijët nga përfshirja në punët e rënda.

KOMF kërkon vëmendjen e kryetarëve të komunave për realizimin e obligimeve si ekzekutiv, duke bërë që mbrojtja e fëmijëve të jetë prioritet në programet qeverisëse në nivel komunal, në mënyrë që të punohet në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.

Lidhur me të drejtat e fëmijëve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e radhës të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve që funksionon në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Ai shprehu përkushtimin e tij personal dhe të Qeverisë së Kosovës për fëmijët e Kosovës, të cilët, siç u shpreh kryeministri, përfaqësojnë realitetin e sotëm dhe të ardhmen e suksesshme të vendit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë vazhdimisht përparime në punën e saj drejt vendosjes së fëmijëve në listën e prioriteteve dhe këtë e kemi bërë edhe përmes Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2018-2021, ku të gjitha shtyllat tematike të saj në mënyrë direkte apo indirekte orientojnë përpjekjet e Qeverisë drejt zhvillimit të infrastrukturës arsimore, shëndetësore, rritjen e sundimit të ligjit, si dhe zhvillimin e infrastrukturës tjetër të nevojshme për qëndrueshmëri të vendit tonë”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa bëri të ditur se Qeveria po bën përpjekje që Kosovën ta bëjë një nga vendet më të mira në aspektin e mirëqenies së shëndetshme të fëmijëve, në mënyrë që ata të zhvillohen si potencial i plotë i ardhmërisë.

“Duke qenë një shoqëri, ku 60 për qind e popullsisë konsiderohet të jetë e përbërë nga fëmijët dhe të rinjtë, atëherë nuk mjafton të kemi vetëm ligje dhe politika të mira, por është me rëndësi themelore të punohet në mënyrë sistematike dhe efektive dhe të investohet që këto norma ligjore dhe politika strategjike të bëhen realitet dhe t’i realizojmë në përditshmërinë tonë”, tha kryeministri.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, theksoi angazhimet e Ministrisë së Arsimit drejt ofrimit të arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët e Kosovës.

“Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës edhe politikat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë për qëllim integrimin e të drejtave të fëmijëve në sistemin arsimor në përgjithësi, duke promovuar dhe siguruar barazi të plotë, pa dallim gjinie, etnie, gjendje fizike, intelektuale, sociale, apo rrethana të tjera në të cilat mund të gjendet fëmija”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, paraqiti disa nga aktivitetet që kanë për qëllim ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për fëmijët dhe ofrimin e shërbimeve të sigurta.

“Ministria e Shëndetësisë ka në planin e saj strategjik një fokus të veçantë të shëndetin për nënat dhe fëmijët dhe janë duke u bërë shumë punë në bashkëpunim me OBSH-në dhe UNICEF-in dhe me të tjerët, që këto shërbime të jenë sa më cilësore. Viteve të fundit janë arritur rezultate të lakmueshme, sidomos në uljen e vdekshmërisë së të porsalindurve dhe përkundër kësaj ne ende mbetemi një nga vendet që kanë vdekshmërinë më të lartë, ende kemi vdekshmërinë dyshifrore”, tha ministri Rrahmani, duke theksuar se pretendimet janë që kjo të bije në më pak se 10 për qind.

Ndërsa Laila Omar Gad, shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përgëzoi Grupin Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, ngase siç tha ajo, ky është vend ku mund të diskutohet progresi, sfidat dhe të arrihet pajtueshmëri mbi prioritetet për të vazhduar promovimin e realizimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

“Në këtë takim specifik do të doja të ndajë me ju kontributin të cilin UNICEF e ka dhënë duke punuar për së afërmi me partnerët nga institucionet e juaja për të zhvilluar një agjendë për fëmijët e cila do të ishte në rrugë me agjendën kombëtare 2016-2021”, tha ajo.

Duke folur për situatën e përgjithshme të fëmijëve në Kosovë, Omar Gad, theksoi se rezultatet të cilat kanë dalë nga viti i kaluar tregojnë se njohuria mbi të drejtat e fëmijëve është ngritur shumë në Kosovë.

“Tani e dimë se cila është situata e fëmijëve në Kosovë bazuar në punën dhe studimin që është bërë në Kosovë në vitet e fundit, por po ashtu edhe përmes këtij elementi të rëndësishëm i cili hedh dritë mbi situatën e fëmijëve në dimensione të ndryshme”, tha Omar Gad.