Lajme

Performancë e dobët e EULEX-it: 8 vjet, 620 vendime gjyqësore

Gjatë tetë vjetëve të kaluar, EULEX me një buxhet shumë të madh, nuk ka treguar performancë të pritur. Nga viti 2008, EULEX ka nxjerrë vetëm 620 aktgjykime

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) , zyrtarisht e përfundon mandatin me 14 qershor, pas tetë vjet funksionimi në Kosovë. Por, sipas perceptimit politik, këtij misioni do t’i vazhdohet mandati edhe për dy vjet të tjera, duke bërë kështu që sistemi i drejtësisë të jetë kryesisht në dorën e tyre.

Por, gjatë tetë vjetëve të kaluar, ky mision i BE-së, me një buxhet shumë të madh dhe resurse të mëdha, nuk ka treguar performancë të pritur. EULEX-i prej vitit 2008 ka nxjerrë vetëm 620 aktgjykime, ku 460 prej tyre kanë qenë vepra penale për korrupsion, krim të organizuar, krime të luftës, si dhe trafikimi me qenie njerëzore, raporton “Zëri”.

EULEX-i thotë se pjesë e gjykimeve të tyre kanë qenë prokurorë, ish-gjyqtarë, policë, deputetë dhe zyrtarë të nivelit të lartë. Përpos gjykimit të veprave penale, EULEX-i ka gjykuar edhe rastet civile. Sipas tyre, që nga fillimi i mandatit të tij në Kosovë ata kanë nxjerrë 146 aktgjykime civile.

“Misioni EULEX i ka hetuar apo ka ngritur aktakuza në 250 raste të krimeve të luftës, duke zvogëluar kështu në mënyrë të konsiderueshme rastet e pazgjidhura të krimeve të luftës në Kosovë. Përveç ‘rasteve të trashëguara’, misioni i ka filluar 98 hetime të reja për krime të luftës dhe i ka zhvilluar hetimet e para lidhur me dhunimin si krim i luftës, duke e ndjekur një numër të rasteve të tilla”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Aktualisht prokurorët e misionit të EULEX-it në Prokurorinë Speciale të Kosovës janë të përfshirë në 15 raste të korrupsionit, në 40 raste të krimit të organizuar, si dhe në 7 raste që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit.

Mirëpo, sipas Institutit Kosovar për Drejtësi, numri i aktgjykimeve të nxjerra nga EULEX-i është tejet i vogël me mundësitë profesionale dhe buxhetore që i ka pasur ky mision në luftimin e kriminalitetit në Kosovë.

Betim Musliu nga kjo organizatë ka thënë se edhe pse mbetet enigmatik numri i prokurorëve dhe gjykatësve, të cilët kanë qenë të angazhuar në këtë mision, rezultati i punës së tyre ka një performancë të dobët, shkruan zëri, transmeton Albinfo.Ch.