Lajme

Bashkimi Evropian, rrugë e vështirë për kosovarët

Sot, përmes një instalacioni artistik, shoqëria civile ka paraqitur në mënyrë simbolike rrugën e vështirë të shtetit të Kosovës për në Bashkimin Evropian

Bashkimi Evropian mbetet ëndërr për qytetarët e Kosovës, pavarësisht që javëve të fundit institucionet në Prishtinë kanë marrë mesazhe pozitive për integrim. Pranimi në UEFA dhe marrja e rekomandimit për liberalizim të vizave, kanë qenë lajmet më të mira që kanë pritur kosovarët për 9 majin-ditën e Evropës.

Sot, përmes një instalacioni artistik të vendosur në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, shoqëria civile ka paraqitur në mënyrë simbolike rrugën e vështirë të shtetit të Kosovës në secilin proces të Bashkimit Evropian.

Instalacioni “Let-GO-EU”, mban mbishkrimin “Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të popujve dhe shteteve. Kosova nuk mund të jetë copëza që mungon në këtë tërësi”.

Etrit Zeneli, ideatori i këtij instalacioni, ka theksuar se përveç tjerash, kjo vepër artistike paraqet pakënaqësinë e qytetarëve të Kosovës, të cilët për 17 vite kanë qenë të izoluar.

“Ky është një objekt në formë të ‘legos’, që mund t’i ketë 100 kuptime, por sot më 9 maj, në Ditën e Evropës, e ka vetëm një kuptim, pra simbolizon Kosovën. Këto gjashtë pulla paraqesin gjashtë komunitetet që jetojnë në Kosovë, po ashtu simbolizon lënien anash të Kosovës në shumë procese dhe të fundit në secilin proces”, ka theksuar ai, citon REL.

Për ideatorin e këtij instilacioni Etrit Zeneli, Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës në familjen evropiane.

Në anën tjetër, Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka theksuar se pas rekomandimit pozitiv për liberalizim të vizave, Kosovën e presin mjaft procese tjera, të cilat janë edhe më të vështira.

“Rruga që e kemi përpara mbetet akoma shumë e komplikuar. Por, tani pasi që kemi gjetur shtegun ne do të vazhdojmë në atë shteg sigurt. Ne e dimë që nuk ka rrugë të shkurtër drejt Bashkimit Evropian, por ne do të dimë ta gjejmë dhe do të vazhdojmë hapat e sigurt deri në destinacionin përfundimtar që ta bëjmë Kosovën zyrtarisht pjesë të familjes evropiane”, ka theksuar ministri Çollaku.

Dita e Evropës e cila në Kosovë shënohet si festë zyrtare, sipas ministrit Çollaku, është më kuptimplotë tani, kur qytetarët e këtij vendi, së shpejti do të mund të lëvizin lirshëm pa viza në shtetet evropiane.

Ndërkohë, Besa Luzha, pjesëtare e shoqërisë civile, ka potencuar se në të gjitha analizat dhe studimet e bëra është theksuar se Kosova në proceset integruese është lënë anash nga Bashkimi Evropian.

“Ky katror i ‘legos’ në këtë instalacion duhet të jetë i fundit në ndërtimin e asaj që e paramendojmë në Evropë, sepse Evropa e plotë nuk mund të jetë pa Kosovën. Për këtë, ne të gjithë duhet të angazhohemi që në periudhën në vazhdim t’i kryejmë detyrat që i kemi”, ka shtuar Luzha.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka theksuar se destinacioni i ardhshëm i Kosovës është Evropa.

“Sot më shumë se kurdoherë duhet t’i kujtojmë vlerat mbi të cilat është ngritur Bashkimi Evropian dhe të përsërisim përkushtimin tonë për t’i përqafuar këto vlera dhe parime, siç janë përkushtimi për paqe dhe dialog, për bashkëpunim ekonomik, treg të lirë dhe lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, drejtësi dhe sundim të ligjit, për shoqëri multi-kulturore në të cilën askush nuk diskriminohet dhe të gjithë janë të barabartë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Ndërkaq, njohësi i politikave ndërkombëtare, Dashnim Ismajli, ka thënë për ‘zëri’ se Kosova në mënyrë urgjente duhet të merret me sfidat e natyrave të ndryshme.

“E para është normalizimi dhe përfundimi i dialogut me Serbinë. Respektimi i marrëveshjeve të arritura nga ana e Beogradit dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo do shërbente edhe si paraprij dhe një përfundimit me njohjen e dy shteteve reciprokisht”, ka thënë Ismajli.

E dyta, sipas tij, ndërtimi dhe fuqizimi i shtetit ligjorë, i vendosur  si parakusht nga ana e Unionit Evropian për të gjitha shtetet që duanë të integrohen në këtë Union. “Me fuqizimin e shtetit ligjorë, Unioni Evropian ka vendosur si kriter qenësor, në veçanti luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Ismajli. Ai nuk ka lënë anash as zhvillimin ekonomik si një faktorë të rëndësishëm në këtë mes.