Lajme
Pranimi në UEFA: Lajmi më i mirë pas Pavarësisë
Votimi i UEFA-s pro pranimit të Kosovës si shteti i 55 i saj, në Prishtinë u konsiderua ngjarja më e madhe pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Kosova tani pret njohjen nga FIFA
Pranimi i Kosovës nga Unioni i Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA) si shteti i 55-të i saj, është pritur me entuziazëm të madh nga qytetarët, sportdashësit e institucionet e Republikës së Kosovës. Madje në Prishtinë lajmi që erdhi nga Kongresi i UEFA-s në Budapest, u konsiderua si ngjarja më e madhe pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Votimi i parë “kundër”, ndryshimeve në statutin e UEFA-s, që do t’u ua mundësonte shteteve njohjen edhe pa qenë pjesë e OKB-së, në Kosovë krijoi shumë paqartësi e madje pranimi u konsiderua si “mision i pamundur”. Por, më pas gjërat ndryshuan dhe UEFA duke refuzuar implikimet politike, “vendosi që të flet futbolli”.
Dhe kështu, me 28 vota për, 24 kundër dhe një abstenim, UEFA ia mundësoi Federatës kosovare të Futbollit pranimin në gjirin e saj si shteti i 55. Me këtë njohje, pas 25 vjet izolim, iu hapën dyert futbollit kosovar që të garojë përkrah atij evropian.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vendimin e UEFA-s e ka vlerësuar historik.
“Më në fund erdhi kjo ditë. Një drejtësi e vonuar, por rëndësi ka që tashmë jemi pjesë e UEFA-s. Edhe këtë herë prapë u munduan të na bllokojnë, por në fund ia dolëm. Edhe më herët e kam thënë se me nenin apo pa nenin rreth Kombeve të Bashkuara ne do të jemi anëtarë të UEFA-s dhe kjo u bë. Anëtarësimi erdhi në momentin më të duhur”, ka thënë Vokrri.
Na tradhtuan vendet mike
Ai e ka pranuar se ka pasur emocione të mëdha, si çdo shqiptar tjetër gjatë rrjedhës së Kongresit të UEFA-s.
Sipas ish-legjendës kosovare të futbollit, kanë qenë momente mjaft të vështira, “duke pasur parasysh kahen që i dhanë disa shtete që i konsiderojmë si mike”. Pasi dështoi miratimi i ndryshimeve statusore, Vokrri thotë të ketë pasur frikë se do të hiqet i gjithë procesi i votimit për Kosovën.
Por, me anëtarësimin në UEFA, siç tha Vokrri, janë hapur dyert edhe për në FIFA.
“Kjo është një fitore e të gjitha gjeneratave që punuan dhe kontribuojnë për futbollin e Kosovës dhe jam krenar që sot kam qenë përfaqësues i tyre”, ka shtuar Vokrri.
Gjatë fjalimit në Kongresin e UEFA-s, përfaqësuesi i Federatës Serbe kërkoi që Kosova të mos pranohet derisa nuk bëhet anëtare e OKB-së. Por, kundër kësaj deklarate doli Armand Duka, presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë.
Ai i ka kërkuar UEFA-s që fëmijëve të Kosovës t’u lejohet të luajnë futboll, ku ka kujtuar se edhe Shqipëria mund të humbas lojtarë nga ekipi kombëtar. “Ata nuk janë pjesë e Serbisë. Ju po ju mohoni fëmijëve të Kosovës që mos të luajnë futboll. Edhe ne kemi në kombëtare futbollistë kosovarë, dhe jo vetëm shtetet tjera”, tha Duka.
Në Kosovë, mediat i kanë kushtuar rëndësi të veçantë sidomos përfaqësuesit të Federatës së Zvicrës, i cili thuhet se ka luajtur rol jo miqësor në raport me pranimin e Kosovës. Fillimisht përfaqësuesi helvetik kërkoi votim të fshehtë për statutin e UEFA-s, që krijoi paqartësi, e më pas edhe gjatë votimit duke mbajtur anën kundër.
Edhe politika i gëzohet sportit
Pranimit të Kosovës nuk i janë gëzuar veç futbollistët, si Lorik Cana, Granit Xhaka, Etrit Berisha etj, që kanë uruar futbollistët kosovarë për pranim, por edhe përfaqësuesit e institucioneve kosovare. Për presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa, njohja nga UEFA është lajm tepër i madh për Kosovën.
“Kosova në UEFA! Lajmi më i mirë i mundshëm për tifozët e panumërt në Republikën tonë. Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare – disa lojë do t’i fitojmë, disa do t’i humbim, por kurrë më s’do të na ndalin nga fusha e gjelbër”, ka shkruar presidenti Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ndihet shumë i lumtur dhe krenar që Kosova arriti të anëtarësohet në UEFA. Mustafa, i cili gjendet edhe vetë në Budapest, ka thënë se futbolli kosovar së shpejti do të jetë edhe anëtar i FIFA-s.
“Të dashur miq, Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që shteti ynë sapo arriti edhe një sukses kulminant historik. Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme”, tha Mustafa.
Ndërkaq, në Kosovë meritat më të mëdha ia japin zyrtarit ligjor të UEFA-s Alasdair Bell, i cili kërkoi që të flet futbolli, jo politika.
“Kombet e Bashkuara nuk kanë kompetencë për t’i njohur shtetet, por shtetet i njohin shtetet. Nëse nuk je anëtar i OKB nuk do të thotë se nuk je shtet. Katër kriteret e të qenit shtet janë përcaktimi i territorit, popullata, qeveria dhe aftësia për të arritur marrëveshje me të tjerët”, ishte deklarata e Bell.
Pas kësaj deklarate, u vendo që sërish të votohet për pranimin e Kosovës, ku mori 28 vota, aq sa edhe nevojiteshin për t’u pranuar në UEFA.
Rusia, aleatja tradicionale e Serbisë në lobimet kundër Kosovës nëpër organizmat ndërkombëtare, jo vetëm në sport, kërkon respektimin e vendimit të Kongresit të UEFA-s.
Rusia kundër Kosovës, por përshëndet vendimin e UEFA-s
Ministri i Jashtëm rus, Vitaly Mutko tha se vendi i tij votoi kundër anëtarësimit të Kosovës, por se duhet të respektohet dhe njihet vendimi i shumicës. “Rusia nuk mbështeti vendimin e Kongresit për të anëtarësuar Kosovën, por kjo është demokracia, ky ishte vendimi i shumicës dhe ky vendim duhet të zbatohet”, deklaroi ministri rus i Sportit, Mutko.
Ndërkaq, sekretari i UEFA-së, Theodore Theodoridis ka thënë se skuadrat kosovare duhet të presin deri në fund të muajit maj për të mësuar nëse do të marrin pjesë në kualifikimet e ardhshme në Ligën e Kampionëve dhe atë të Evropës.
“Komiteti brenda UEFA-s për garimin e klubeve, do të marrë vendim para fundit te majit. Më pas ai vendim aprovohet nga komiteti ekzekutiv i UEFA-s se sa klube marrin pjese ne garat evropiane këtë vit”, ka thënë Theorodis.
Ndryshe, me 12 dhe 13 maj në Meksiko City mbahet Kongresi i FIFA-s. Atje pritet të pranohet Kosova edhe nga FIFA.
E-Diaspora
-
Gastroenterologu Dr. Mentor Bilali – një nga mjekët më të kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës Për shqiptarët, Dr. Bilali me ordinancën e tij MagenDarm Zentrum Oberaargau ka edhe një peshë të... -
Nxënësit shqiptarë në Parma festojnë Pavarësinë e Shqipërisë -
Paris
Paris: Inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve -
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora
Jeta në Austri
-
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 Anëtarët e Komisionit të Përbashkët të Parlamentit të Austrisë kanë miratuar në mënyrë unanime vazhdimin e... -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje











