Lajme
Marrëveshjet me Serbinë, të pa zbatueshme
Tri vjet pas marrëveshjes së 19 Prillit 2013, nxirret bilanc i përfitimeve Kosovë – Serbi. Sipas analistëve kosovarë, nga kjo marrëveshje ka fituar vetëm Serbia
Marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që bëri jehonë të madhe në rajon, duke u konsideruar si hapi vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve më të hasmuar të Ballkanit, doli të mos jetë profitabile. Madje, sipas analistëve nga kjo marrëveshje ka fituar vetëm Serbia.
Marrëveshja e 19 prillit, ndër të tjera përmban pika që flasin për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri. Por tre vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, nuk mund të thuhet se ka zbatim, në asnjërën nga pikat e marrëveshjes së Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiq, dy ish kryeministrat.
Analisti Mushkolaj, thotë se tri vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë, shihet se përfituese e vetme nga këto bisedime dhe marrëveshje, del të jetë Serbia, citon KPress.
“Së pari duhet me përmend se kur është nënshkruar kjo marrëveshje, na u tha se kjo do të shërbejë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Mirëpo nëse shohim se çfarë është arritur në këtë aspekt, tash tre vite pas ne shohim se në fakt jo që nuk janë normalizuar këto marrëdhënie, por përkundrazi Serbia vazhdon të sabotojë, të pengojë shtetin e Kosovës, kudo që mundet dhe kudo që ka fuqi”, konsideron Mushkolaj.
Mushkolaj thotë se nuk ka përparime të dukshme as sa i përket përmirësimit të jetës së qytetarëve serbë dhe se lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të zhvillohet me probleme. Megjithëse Kosova ka paralajmëruar kushte disa herë, ai thotë se kjo nuk ka ndodhur në realitet.
Ndërsa deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa për vënie të kushteve për Serbinë, sipas tij janë pak të besueshme, duke i pasur parasysh deklaratat e tilla edhe në të kaluarën, por të cilat nuk janë jetësuar asnjëherë.
“Qasja e Prishtinës, respektivisht Kosovës në negociata, duhet të ndryshojë radikalisht. Përndryshe nëse vazhdojmë kështu, ne këto bisedimet si pa kokë, atëherë do të nënshkruajmë dhe një grumbull edhe të marrëveshjeve tjera. Mirëpo nëse shikojmë në aspektin e zbatimit, ato nuk janë të zbatueshme, siç ka ndodhur në këto marrëveshjet e deritashme”, tha ai.
Ndërsa Zgjim Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se rezultatet e arritura nga negociatat me Serbinë, kanë qenë të njëanshme dhe se Kosova gjithmonë ka dalë e dëmtuar.
Në fakt, sipas tij, prej gjithë këtyre negociatave, fituesi i vetëm ka qenë Serbia, qoftë sa i përket aspektit të integrimit në Unionin Evropian, por edhe sa i përket rritjes së fuqisë dhe ndikimit, brenda territorit të Kosovës.
“Deri më tash nga negociatat pa parime me Serbinë, pa barazi midis palëve, pa parim të reciprocitetit, sigurisht që edhe rezultatet kanë qenë të njëanshme. Me ç’rast gjithmonë është dëmtuar Kosova. Marrëveshja e 19 Prillit, paraqet një hap të madh përpara, drejtë krijimit të një entiteti autonom serb brenda territorit të Kosovës, duke i legalizuar strukturat paralele të Serbisë”, thotë ai.
Hyseni thotë se dialogu kështu siç është, duhet ndaluar sa më parë, pasi që ky dialog po e ofron Kosovën më afër Serbisë dhe Serbisë po i rritet ndikimi brenda Kosovës. Madje ai thotë se përkundër marrëveshjeve të arritura, Serbia vetëm sa ka vazhduar ta pengojë Kosovën aty ku ka mundur dhe ka pasur fuqi.
E-Diaspora
-
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës Dan Morina vjen me një “Comedy Show” të radhës, ndërsa publiku në Zvicër pritet të argëtohet... -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë -
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi
Jeta në Austri
-
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç Austria do të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 14 vjeç, sipas një marrëveshjeje... -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja












