Lajme

Projekti i Brezovicës, para dështimit

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe njohës të çështjeve ekonomike, janë plotë dyshime nëse kozorciumi francez mund t’i siguroj mjetet e parapara për investime

Komani që është shpallur fituese për privatizimin e Brevovicës, Kozorciumi i kompanive “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, ka dështuar t’i siguroj 163 milionë euro për fazën e parë të investimeve në kompleksin turistik “Brezovica. Dhe sipas parashikimeve, Projekti i Brezovicës, me gjasë do të dështoj edhe në 2016-ën.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), disa herë e ka shtyrë afatin për t’i dhënë mundësi kozorciumit që të përmbush kushtet e kontratës. Por, as pas shtyrjeve, kompania franceze ka dështuar ta bëj këtë, duke i zbehur shpresat se privatizimi më i madh i Kosovës së pasluftës, që kalon 410 milionë euro, mund të jetësohet.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe njohës të çështjeve ekonomike, janë plotë dyshime rreth asaj se kozorciumi do të siguroj mjetet e parapara për investime.

Nga ana tjetër, Vjollca Dibra, këshilltare në MTI, ka thënë se kozorciumi francez për zhvillimin e qendrës turistike “Brezovica”, ka afat deri më 31 maj për të përmbushur kushtet e parapara me kontratë.

“MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, sipas zyrtarëve të MTI-së ka dorëzuar garancinë për sigurim të tenderit në vlerë prej 500 mije euro, i cili ekzekutohet në rast se kompania nuk përmbush detyrimet sipas kontratës. Me këtë rast Qeveria do të veproj në përputhje me ligjet në fuqi”, tha Dibra për KPress.

Agim Demukaj, ekspert nga Banka Botërore, beson se Brezovica nuk do të dështoj, pasi sipas tij efektet e mos koncesionimit të saj do të ndikojnë në imazhin e Kosovës.

“Afati për ofrimin e dëshmive që ekziston ‘financimi adekuat’ deri në fund të muajit maj, po i afrohet koha. Ne ende besojmë. Nuk kemi të drejtë me paragjykua që nuk ka me ndodh. Për momentin ai është valid si fakt, mirëpo e përmenda si mundësi e rrezikut të zvogëlimit të rritjes ekonomike. Në rast të tillë nëse nuk ndodh, efekti nuk do të jetë i madh, për shkak se edhe ashtu Brezovica këtë vit nuk kishte mundur të realizonte investime të drejtpërdrejta”, tha ai.

Safet Gërxhaliu është kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Ai tha se e kanë mbështetur këtë projekt dhe nuk dëshiron të dështoj.

“Vetë fakti që kozorciumi në fjalë si duket nuk ka qenë i përgatitur ta përmbush pakon financiare për këtë projekt, e kamë një drojë të skepticizmit, në të cilin nuk dua të besoj që projekti në fjalë është në rrugën e dështimit. Një dështim i tillë edhe përkundër asaj që është edhe një periudhë kohore ku ata duhet të përgatiten, mirëpo në qoftë se deri më tani nuk e kanë atë mundësi që të sigurojnë një garancion bankarë, ose të përmbushin hapin e parë për të treguar një seriozitet, vërtetët është një simptomë ose janë sinjale negative të cilat mua më bëjnë skeptik”, tha ai.

Ndërsa Lorik Haxhiu, përfaqësues i kozorciumit të kompanive “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, i pyetur se a i kanë gjetur mjetet financiare, ka thënë se nuk ka të drejtë të flasë për media.

Përndryshe, përgatitjet për koncesionimin e kompleksit turistik “Brezovica” kishin nisur që nga viti 2006. Komiteti ndërministror në vitin e kaluar kishin shpallur fitues kozorciumin e vetëm “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, i cili ka paraparë të investoj 410 milionë uro për disa vite.