Lajme

Zvicra ndan 2 milionë € shtesë për Gjilanin

Për çdo vit për Kosovën ndahen nga 25 milionë €, për investime, zhvillim ekonomik dhe punësim. Këtë vit për Gjilanin janë të destinuara rreth 2 milionë €, tha Patrick Etienne, drejtor i SDC-së

Qeveria e Zvicrës mbetet njëri nga investitorët me serioz në Republikën e Kosovës, duke ndihmuar në vijimësi zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të vendit. Për këtë vit, Zvicra ka ndarë 25 milionë euro për investime në Kosovë, ndërsa vetëm në rajonin e Gjilanit janë parashikuar 2 milionë euro shtesë për investime.

Kështu u tha të enjten në një takim që nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu zhvilloi me Patrick Etienne, drejtor i SDC-së në Kosovë.

Në këtë takim, siç thuhet në një njoftim për media, kanë bisedua për investime shtesë nga qeveria zvicerane prej rreth 2 milionë euro, që kanë të bëjnë kryesisht me investime në fushën e ujërave, zhvillimit ekonomik dhe punësimit.

Kadriu ka informuar delegacionin për vendimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për eliminim të korrupsionit apo rasteve të keqpërdorimit, që parasheh shpërblim në para të gatshme nga 500 deri në 2 mijë euro, për të gjithë ata që lajmërojnë rastin e korrupsionit ndaj zyrtarëve komunal.

Ndërsa nga ana e tij, Patrick Etienne, drejtor i SDC-së në Kosovë, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për angazhimin dhe përgatitjen e këtij plani për integritet, duke paralajmëruar se agjencionet e ndryshme ndërkombëtare, investimet dhe bashkëpunimin e tyre do ta bëjnë, vetëm me Komunat që kanë një plan të tillë.

“Çdo vit në Kosovë ndahen nga 25 milionë euro, për investime, zhvillim ekonomik dhe punësim, sikur që edhe këtë vit për Gjilanin si komunë janë të destinuara rreth 2 milionë euro. Sot problem për qytetarët dhe për donatorët në përgjithësi mbetet përfolja e madhe për korrupsionin, për çka ende nuk është duke u bërë një punë e vendosur që ky fenomen negative të adresohet në organet e drejtësisë”, deklaroi ai.

Plani i integritetit, sipas Etienne, është hap i madh dhe i mençur nga Komuna e Gjilanit. “Agjencione të ndryshme ndërkombëtare, të cilat ndajnë fonde për Kosovën, do të bashkëpunojnë vetëm me komunat të cilat tashmë kanë plan të qartë për integritet”, ka thënë ai ndër të tjerash.