Lajme

Zyrtare: Selia e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë

Autoritetet holandeze kanë pranuar që Haga të jetë nikoqir i Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë. Holanda tashmë ka nisur themelimin e saj

Autoritetet holandeze kanë pranuar kërkesën e Bashkimit Evropian që një pjesë e Gjykatës Speciale të Kosovës, që parashikon t’i gjykojë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për krime eventuale të luftës, të jetë në Holandë. Mirëpo të dënuarit eventual, nuk do ta vuajnë dënimin në këtë shtet.

Sipas autoriteteve holandeze, një gjykatë e veçantë (Speciale) do të krijohet në Hagë, për të gjykuar rastet e krimeve të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.
Gjykata, që zyrtarisht njihet si Instituti Gjyqësor Special i Zhvendosur i Kosovës (Kosovo Relocated Specialist Judicial Institution), pritet të fillojë të veprojë gjatë këtij viti, dhe do të vendoset në ish-ndërtesën e Europolit, menjëherë pasi që të ndërtohet një aneks për një sallë gjyqi. Në ndërkohë, Gjykata do të vendoset diku tjetër në Hagë, raporton Koha.net.

Gjykata do të gjykojë krimet e rënda që supozohet të jenë kryer në vitet 1999-2000 nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve të vetë politikë. Vendimi për të përcaktuar vendndodhjen e gjykatës në Hagë është bërë pas konsultimeve ndërmjet autoriteteve holandeze, BE-së dhe Kosovës. Gjykata do të financohet nga fondet e BE-së.

“Është e rëndësishme që drejtësia të bëhet. Pra, ne jemi të kënaqur që jemi në gjendje t’i ofrojmë një vend kësaj gjykate në vendin tonë”, tha ministri i jashtëm holandez, Bert Koenders.

Ky i fundit së bashku me ministrin e Sigurisë dhe Drejtësisë, Ard van der Steur, benë të ditur se Holanda beson se ka një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim, si një vend pritës i një numri të gjykatave speciale ndërkombëtare dhe gjykatave të tjera kriminale, dhe tribunaleve.

“Kjo është një mundësi e mirë për të siguruar që drejtësia të vihet në vend më në fund dhe për të mbajtur njerëzit përgjegjes për gabimet që ata kanë berë,” tha Van der Steur.

Gjykata, e cila përbëhet nga gjyqtarë ndërkombëtarë, duhet të themelohet sipas ligjit të Kosovës. Kjo do të thotë se nuk do të jetë një gjykatë ndërkombëtare, por një gjykatë kombëtare kosovare që administron drejtësinë jashtë Kosovës. Gjykata do të veprojë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të ligjit procedural. Personat e dënuar nuk do të vuajnë dënimet e tyre në Holandë.

Kryetari Jozias van Artsen mirëpret gjykatën në Hagë, qyteti i paqes dhe drejtësisë.

“Për sa kohë që nuk ka drejtësi, nuk mund të ketë paqe të vërtetë e të qëndrueshme,” tha ai. “Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që kjo gjykatë mund të bëjë punën e vet këtu në qytetin tonë”.

Qeveritë e Holandës dhe Kosovës kanë përfunduar një marrëveshje sigurimi, e cila përcakton masat që zbatohen në gjykatë. Tani, marrëveshja duhet të miratohet nga parlamentet e secilit vend.

Kjo gjykatë besohet se do t’i gjykojë edhe krimet që kanë ndodhur pas luftës, kur për çështje politike janë vrarë kundërshtarët politikë. Zbardhja e këtyre vrasjeve po kërkohet një kohë të gjatë nga familjarët, por edhe nga zyrtarët e partisë së kryeministrit Isa Mustafa (LDK), parti kjo më e prekura nga këto vrasje.