Privilegj apo sfidë? Një brez mes rrënjëve dhe horizonteve të reja

Në zemër të diasporës shqiptare në Zvicër po rritet një brez i ri që jeton mes dy botëve, dy kulturave dhe dy identiteteve. Të lindur ose të rritur në një shoqëri të zhvilluar dhe shumëkulturore, këta të rinj shqiptarë kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme në fusha të ndryshme, duke u integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane, por pa u shkëputur nga rrënjët e tyre.

Përmes 12 rrëfimeve personale, kjo temë sjell një pyetje thelbësore: a është të jesh shqiptar dhe zviceran një sfidë që duhet balancuar, apo një privilegj që krijon mundësi të reja, perspektiva më të gjera dhe një identitet më të pasur?

Pa dyshim, kush është rritur si fëmijë i prindërve mërgimtarë e njeh mirë ndjesinë e të jetuarit “mes dy botëve”. Në njërën anë janë vlerat, gjuha dhe traditat që përcjell familja, ndërsa në anën tjetër është shoqëria ku rritesh dhe arsimohesh, aty ku gradualisht formohet edhe identiteti. Pikërisht në këtë bashkëjetesë përvojash formësohet një brez i ri, me një identitet të dyfishtë që ndërthur natyrshëm përkatësinë shqiptare me kulturën dhe normat e vendit ku jeton.

Në Zvicër, kjo përvojë shfaqet qartë te gjenerata e dytë e diasporës shqiptare. Të rinj të shumtë, të lindur ose të rritur në këtë vend, kanë arritur të integrohen me sukses në sistemin arsimor dhe profesional zviceran, duke u afirmuar në fusha të ndryshme si shkenca, mjekësia, ekonomia, arti dhe kultura. Ata dëshmojnë se integrimi nuk është thjesht përshtatje, por edhe aftësi për të ndërtuar një rrugë të re pa mohuar origjinën.

Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë apo e shtruar. Prindërit, të rritur në trojet shqiptare, zakonisht përpiqen të ruajnë gjuhën, traditat dhe mënyrën e jetesës që kanë sjellë nga vendlindja, ndërsa gjenerata e dytë kërkon të ndërtojë pavarësinë e saj në një realitet tjetër. Në tema si përkatësia, ruajtja e gjuhës, identiteti, integrimi, ndarja mes kulturës së shtëpisë dhe realitetit shoqëror, si dhe me pritshmëritë e dyfishta që u vendosen, kjo përvojë shpesh shndërrohet në tension dhe sfidë në vete, por njëkohësisht edhe në një në avantazh, një mundësi për të jetuar me dy horizonte dhe për ta kthyer këtë dyzim në forcë.

Në këtë kontekst lind shpesh pyetja: A është privilegj apo sfidë të jetosh mes dy kulturave?

Përmes shumë intervistave me të rinj shqiptarë të suksesshëm që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, kjo temë përpiqet të sjellë pikërisht këtë perspektivë: si e përjetojnë ata identitetin e tyre mes dy kulturave dhe çfarë roli luan kjo përvojë në formimin e tyre personal dhe profesional.

 

Identiteti mes dy kulturave: të jesh shqiptar dhe njëkohësisht zviceran

Për shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, veçanërisht për brezin e dytë të diasporës, identiteti nuk përjetohet si një zgjedhje mes dy përkatësive, por si një proces i vazhdueshëm ndërthurjeje mes dy kulturave. Përvoja e tyre dëshmon se të qenit shqiptar dhe njëkohësisht pjesë e shoqërisë zvicerane nuk përbën një kundërthënie, por një realitet kompleks dhe shpeshherë pasurues. Në rrëfimet e të intervistuarve për revistën Albinfo.ch, identiteti i dyfishtë shfaqet si një hapësirë ku bashkëjetojnë disiplina dhe emocioni, tradita dhe moderniteti, rrënjët dhe perspektiva globale.

 

 

Kjo përvojë bëhet veçanërisht e dukshme në rrugëtimet profesionale të brezit të ri të diasporës.

Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” dhe sot pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich”, përfaqëson një shembull të qartë të kësaj ndërthurjeje kulturore. Për të, identiteti shqiptar nuk ka qenë kurrë diçka që duhej ruajtur me vetëdije, ai ka qenë gjithmonë pjesë organike e personalitetit të saj. Lidhja me komunitetin shqiptar dhe mënyra se si ajo ndërton marrëdhënie njerëzore i kanë dhënë një dimension tjetër profesionit të saj, aftësinë për të krijuar besim dhe bashkëpunim brenda ekipeve shumëkulturore, siç shprehet ajo: “Kombinimi i të dyjave më ka dhënë një balancë midis rigorozitetit analitik dhe inteligjencës emocionale”.

Edhe për Arbron Gashin, shkrimtar dhe autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, i cili njëkohësisht punon si “web designer” në Zvicër, jeta mes dy kulturave për të përfaqëson një sfidë të vazhdueshme balancimi. Ai thekson se dallimet mes dy mentaliteteve janë të dukshme, nga njëra anë struktura, rregulli dhe orientimi individual i shoqërisë zvicerane, ndërsa nga ana tjetër ngrohtësia, lidhja familjare dhe emocionaliteti që karakterizon kulturën shqiptare. Për të, sfida nuk qëndron në zgjedhjen e njërës kulturë ndaj tjetrës, por në aftësinë për të përthithur disiplinën dhe organizimin e njërës, duke ruajtur njëkohësisht dimensionin njerëzor dhe emocional të tjetrës.

Një perspektivë e ngjashme vjen edhe nga Vildane Rexhepi, menaxhere e prokurimit në sektorin e IT-së në bankën UBS. Sipas saj, për brezin e dytë të shqiptarëve në Zvicër integrimi shpesh fillon herët, përmes shkollës, rrethit shoqëror dhe përfshirjes në jetën profesionale. Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë, pasi komuniteti shqiptar mbetet i madh dhe shpesh krijon një hapësirë të vetën sociale. Për të, çelësi qëndron në vetëdijen për vlerat e origjinës dhe në aftësinë për t’i përfaqësuar ato me krenari, duke ndërtuar një personalitet që përçon më të mirën nga të dyja kulturat.

Ndërkohë, në profesionin e mjekësisë, ku përgjegjësia ndaj njerëzve është e jashtëzakonshme, identiteti i dyfishtë merr një dimension edhe më të thellë. Dr. Kaltrina Zahiti, mjeke oftalmologe në Zvicër, e përjeton këtë identitet si një pasuri të dyfishtë. Ajo thekson se kultura shqiptare i ka dhënë ndjeshmëri dhe empati ndaj pacientëve, ndërsa shoqëria zvicerane e ka formuar me disiplinë, korrektësi dhe përgjegjësi profesionale. Për këtë arsye, ajo e përshkruan identitetin e saj si “një pasuri të dyfishtë”, ku dimensioni njerëzor dhe ai profesional plotësojnë natyrshëm njëri-tjetrin.

Në fakt identiteti mes dy kulturave shprehet edhe përmes artit. Për piktoren Vanesa Lika, e lindur në Gjenevë nga prindër shqiptarë, rrënjët kulturore janë një nga burimet kryesore të frymëzimit artistik. Në veprat e saj, arti shndërrohet në një hapësirë reflektimi ku ndërthuren kujtesa, tradita dhe kërkimi personal shpirtëror. Siç thekson vetë ajo, përmes veprave të saj përpiqet të krijojë “një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes”, duke e shndërruar identitetin në një proces krijues dhe të vazhdueshëm kërkimi. Për Likën, të jetosh mes dy kulturave nuk është një ndarje identitare, por një proces krijimi, një mundësi për të parë botën nga dy perspektiva dhe për të ndërtuar një identitet më të lirë dhe më autentik.

Edhe në muzikë, përkatësia kulturore shpesh shndërrohet në burim shprehjeje dhe lidhjeje me rrënjët. Këngëtari shqiptar Elion Krasniqi (LMN) e sheh artin, sidomos muzikën, si një nga mënyrat më të fuqishme për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Përmes muzikës, sipas tij, krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë emocionale me gjuhën, traditat dhe trashëgiminë shpirtërore, duke bërë që identiteti të mos mbetet vetëm një koncept kulturor, por një përjetim i gjallë dhe i vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, për disa prej të intervistuarve, jeta mes dy kulturave përjetohet kryesisht si një përvojë pasuruese. Modelja Cendrine Berisha, e cila ka përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” e sheh këtë ndërthurje kulturore si një pasuri personale që ka ndikuar në formimin e saj si individ.

Një perspektivë interesante mbi këtë realitet ofrojnë edhe dy mjekët e rinj shqiptarë, Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi, të diplomuar në “University of Basel” dhe tashmë në rrugën e studimeve doktorale. Për ta, të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave ka qenë një element thelbësor formues. Morgan Hetemi e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të përfituar nga më të mirat e të dyja botëve, nga njëra anë vlerat familjare, respekti dhe ndjenja e bashkësisë që burojnë nga kultura shqiptare, dhe nga ana tjetër standardet e larta profesionale dhe akademike të shoqërisë zvicerane. Ndërsa për Thesar Abdullahun, kontrasti mes dy botëve e ka ndihmuar në zhvillimin e një perspektive më të hapur dhe fleksibile ndaj diversitetit.

Në tërësi, përvojat e këtyre të rinjve tregojnë se identiteti i shqiptarëve në Zvicër nuk është një realitet statik, por një proces dinamik ndërtimi, një identitet “hibrid” kulturor, që nuk ndahet mes dy botëve, por ndërtohet nga bashkimi i tyre. Mes disiplinës zvicerane dhe ndjeshmërisë shqiptare, mes traditës dhe modernitetit, brezi i ri i diasporës po krijon një identitet të ri, një identitet që nuk e mohon origjinën, por e shndërron atë në një burim force për të ndërtuar rrugëtimin e vet në një shoqëri gjithnjë e më shumë globale.

 

Suksesi i gjeneratës së dytë në arsim dhe integrim

Pas trajtimit të identitetit dhe mënyrës se si ai ndërtohet mes kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane, vlen të theksohet se një pjesë e madhe e të intervistuarve nuk dallohen vetëm për përjetimin kulturor, por edhe për arritjet e tyre profesionale dhe akademike. Shumica prej tyre, të përmendur më herët, bartin tituj të avancuar akademikë, përfshirë edhe nivele doktorature, dhe janë të integruar në mënyrë të suksesshme në tregun profesional të Zvicrës.

 

 

Megjithatë, në këtë kapitull fokusi zhvendoset edhe më tej drejt një grupi të ri profilesh, të cilët përfaqësojnë fusha të ndryshme si mjekësia, ekonomia, menaxhimi, arti dhe moda. Këto histori dëshmojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por gjithnjë e më shumë e suksesshme në fusha të ndryshme profesionale, duke ndërtuar karriera të qëndrueshme dhe të dukshme në shtetin zviceran.

Një nga këto raste është Lavdrim Xhemaili, artist shumëdimensional shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, i angazhuar në kërcim, aktrim dhe muzikë. Ai përfaqëson një profil artistik të kompletuar, i cili ka arritur të depërtojë në skenën zvicerane pa e humbur lidhjen me identitetin e tij kulturor. Rrugëtimin e tij ai e përshkruan si një proces natyral përshtatjeje, duke theksuar me një dozë ironie se “Zvicra është shtëpia ime, edhe pse jo gjithmonë e kam ndier ashtu”, duke reflektuar kështu raportin kompleks mes përkatësisë dhe përvojës personale në Zvicër.

Në aspektin profesional, ai thekson se depërtimi në tregun artistik zviceran nuk ka qenë domosdoshmërisht i vështirë për shkak të mungesës së mundësive, por më shumë për shkak të perceptimeve ekzistuese mbi diversitetin. Sipas tij, shpesh paragjykimet vizuale dhe kulturore ndikojnë në mënyrën se si interpretohet një artist në skenë, duke krijuar sfida të padukshme për individët me prejardhje të ndryshme.

Një rol të veçantë në këtë dimension të arsimit dhe integrimit profesional e zë edhe Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” në Lugano, e cila sot është gjithashtu post-doktorante dhe pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich” në Departamentin e Shkencave Kompjuterike dhe “ETH AI Center”. Paralelisht me angazhimin akademik, ajo vepron edhe si “Data Scientist” në IKEA në Bazel, duke lidhur kështu kërkimin shkencor me aplikimin praktik në industri.

Ajo thekson se sistemi arsimor zviceran ka ndikuar thellësisht në mënyrën e saj të të menduarit dhe të punuarit, duke e orientuar drejt cilësisë, precizitetit dhe rigorozitetit shkencor. Sipas saj, në fushën e inteligjencës artificiale “nuk mjafton që një model të funksionojë, ai duhet të jetë i dokumentuar, i justifikuar dhe i riprodhueshëm”, qasje kjo që e ka bërë pjesë të pandashme të punës së saj të përditshme.

Një tjetër profil i rëndësishëm është Vildane Rexhepi, e angazhuar në sektorin e IT-së në bankën UBS, me formim akademik në transformimin digjital nga “ZHAW Zurich University of Applied Sciences”. Ajo e përshkruan edukimin zviceran si vendimtar në formimin e saj profesional, duke theksuar rëndësinë e saktësisë, efikasitetit dhe menaxhimit të prioriteteve në punën e përditshme.

Mes profileve të suksesshme që dëshmojnë integrimin profesional në Zvicër është edhe Dr. Kaltrina Zahiti. Si mjeke e specializuar për sëmundjet e syrit, ajo ka themeluar dy ordinanca oftalmologjike në Biberist dhe Emmen, të cilat ofrojnë shërbime moderne dhe kujdes cilësor për pacientët.

Ndërsa fushën e ekonomisë dhe biznesit, një histori veçanërisht e dallueshme është ajo e Fjolla Gashit, e cila ka ndërtuar një rrugëtim të shumëfishtë akademik dhe profesional në Zvicër. Ajo ka përfunduar studime në infermieri dhe ekonomi e biznes, duke arritur deri në nivelin Master në “University of Basel”, ndërsa sot punon si menaxhere klientësh në kompaninë “BDO AG”. Rrugëtimi i saj akademik karakterizohet nga një intensitet i lartë dhe një disiplinë e jashtëzakonshme, duke dëshmuar njëkohësisht aftësinë për të kombinuar studimet me integrimin profesional në një sistem të kërkuar si ai zviceran.

Po ashtu edhe në botën e modës, Cendrine Berisha, modele shqiptare nga Zvicra, përfaqëson një tjetër dimension të këtij integrimi. Ajo ka ndërtuar karrierën e saj në skenën ndërkombëtare të modës, duke përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” në Napoli dhe duke bashkëpunuar me agjenci dhe revista në vende të ndryshme. Për të, përfaqësimi i Zvicrës në një skenë ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht edhe rrënjët shqiptare, përbën një përvojë të veçantë dhe të rëndësishme në aspketin e integrimit në shoqërinë zvicerane.

 

Ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare

Në jetën e përditshme të shqiptarëve në Zvicër, gjuha dhe kultura shqiptare mbeten një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit. Në rrëfimet e tyre, ruajtja e shqipes nuk paraqitet vetëm si një çështje tradite, por si një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët, historinë familjare dhe përkatësinë kulturore. Kjo përpjekje shpesh fillon brenda familjes, por forcohet edhe përmes institucioneve arsimore dhe aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Një rol të veçantë në këtë proces luajnë shkollat plotësuese të gjuhës shqipe. Një nga figurat që i ka kushtuar vite të tëra këtij misioni është mësuesja Ida Jashari, e cila prej afro dy dekadash u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Ostermundigen të Bernës. Në klasat e saj, ku shpesh mësojnë edhe fëmijë të gjeneratës së tretë, gjuha nuk trajtohet vetëm si mësim gramatike, por si pjesë e identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. “Shkolla shqipe është zemra që mban gjallë identitetin tonë larg atdheut,” shprehet ajo, duke theksuar se aty fëmijët mësojnë jo vetëm të flasin shqip, por edhe të ndjejnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Sipas saj, ruajtja e gjuhës në diasporë është një proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes familjes dhe shkollës. Ajo vëren se brezi i ri nuk e ka humbur shqipen, por ka nevojë për më shumë mbështetje për ta kultivuar atë. “Brenda tyre ekziston dëshira për ta ruajtur gjuhën, ne vetëm duhet ta ushqejmë me dashuri dhe përkushtim,” thekson Jashari. Për këtë arsye, ajo e konsideron bashkëpunimin mes prindërve dhe mësuesve si një faktor vendimtar, kur këto dy shtylla ecin së bashku, gjuha dhe kultura bëhen më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Në fund të fundit, siç thotë ajo me shumë ndjenjë, të edukosh fëmijët shqiptarë në mërgatë do të thotë “të mbash gjallë një copë atdheu në zemrat e tyre”.

Ruajtja e gjuhës shfaqet edhe në përvojat e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Për shembull, mjekët e rinj të diplomuar në Bazel, Morgan Hetemi dhe Thesar Abdullahu, tregojnë se lidhja me gjuhën dhe kulturën shqiptare i ka shoqëruar edhe gjatë rrugëtimit të tyre akademik. Ata u njohën që në semestrin e parë të studimeve dhe zbuluan se ndanin jo vetëm të njëjtin profesion, por edhe të njëjtën prejardhje nga Ferizaj. Kjo afërsi krijoi një ndjenjë të veçantë bashkëpunimi dhe përkatësie. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim,” kujton Thesari, duke nënvizuar se kjo lidhje i ka ndihmuar të ruajnë më lehtë edhe kontaktin me gjuhen dhe kulturën shqiptare brenda një mjedisi akademik zviceran.

Edhe në botën e letërsisë, gjuha shqipe mbetet një mjet i rëndësishëm për të ruajtur lidhjen me origjinën. Shkrimtari Arbron Gashi, autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, tregon se të jetosh në Zvicër shpesh të shtyn të përdorësh më shumë gjuhë të tjera në përditshmëri, por zgjedhja për të shkruar në shqip është një vendim i vetëdijshëm. “Kam dashur që njerëzit e mi në Kosovë dhe në Zvicër të mund të lexojnë atë që kam për të thënë,” shprehet ai, duke theksuar se ruajtja e gjuhës në nivel të mirë kërkon praktikë dhe vetëdije të vazhdueshme.

 

Keystone SDA
Keystone

 

Në mënyrë të ngjashme, edhe profesionistë të tjerë shqiptarë në Zvicër e shohin gjuhën si një lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin e tyre. Menaxherja në sektorin e IT-së bankare, Vildane Rexhepi, thekson se familja ka qenë faktori kryesor në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare, ndërsa lidhja e vazhdueshme me Kosovën dhe Shqipërinë e ka ndihmuar që kjo përkatësi të mbetet e gjallë. Edhe mjekja e syve, Kaltrina Zahiti tregon se, ndonëse në përditshmërinë profesionale përdor kryesisht gjuhët zvicerane, në jetën private shqipja mbetet thelbësore. “Përmes gjuhës kam një lidhje të drejtpërdrejtë me rrënjët e mia, me traditat dhe me një mënyrë të menduari që është pjesë e rëndësishme e identitetit tim,” shprehet ajo.

Në fushën e artit dhe muzikës, kjo lidhje merr një dimension tjetër. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) nga Gjeneva ka zgjedhur të këndojë kryesisht në gjuhën shqipe, duke e parë atë si një pjesë të pandashme të identitetit të tij artistik. Ai tregon se ndikimi i familjes ka qenë vendimtar në këtë drejtim, pasi është rritur në një mjedis ku gjuha dhe muzika shqiptare ishin gjithmonë të pranishme. “Kam vendosur të këndoj në shqip sepse kjo është pjesë e pandashme e identitetit tim,” thotë ai, duke shtuar se publiku shqiptar e përjeton këtë me shumë emocion, ndërsa edhe publiku ndërkombëtar e vlerëson autenticitetin e artistëve që ruajnë rrënjët e tyre.

Në të gjitha këto rrëfime, gjuha shqipe shfaqet jo vetëm si një element komunikimi, por si një urë që lidh brezat dhe kulturat. Për shqiptarët në Zvicër, ajo mbetet një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive, për të kultivuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të mbajtur gjallë një pjesë të atdheut, edhe larg tyre.

 

“Një shqiptari e re”, gjenerata moderne e diasporës

Gjenerata e dytë e diasporës po formon një mënyrë të re të të qenit shqiptar, më të artikuluar, më të vetëdijshme dhe të lidhur njëkohësisht me rrënjët dhe me realitetin global. Në rrëfimet e të intervistuarve kjo “shqiptari e re” nuk shihet si shkëputje nga tradita, por si një vazhdimësi që merr forma të reja në kontekstin e jetës në Zvicër.

Për studiuesen dhe shkencëtaren e të dhënave Shkurta Gashi, kjo dukuri nuk përfaqëson krijimin e një identiteti krejtësisht të ri, por zgjerimin e atij ekzistues. Sipas saj, brezi i dytë është rezultat i një evolucioni që ndërthur vlerat e trashëguara nga familja me standardet që ofron sistemi arsimor zviceran. Ajo e vendos këtë zhvillim edhe në kontekst historik, duke e lidhur me valët e migrimit të viteve ’70 dhe ’90, kur shumë shqiptarë u përballën me sfida të mëdha integrimi. Pikërisht mbi përvojën dhe sakrificat e atij brezi është ndërtuar stabiliteti dhe mundësia e zhvillimit për brezin e dytë. Në këtë kuptim, sipas saj, kontrasti mes tradicionales dhe modernes është shpesh artificial, sepse në realitet po ndodh një sintezë mes tyre. “Brezi i dytë nuk po krijon një ‘shqiptari të re’, po e zgjeron atë,” shprehet ajo, duke theksuar se identiteti sot ndërtohet duke mbajtur fort rrënjët dhe duke përfshirë përvojën ndërkombëtare. Në një përkufizim të shkurtër, ajo e përmbledh këtë përvojë me fjalët: “Të kesh dy perspektiva dhe të dish t’i shndërrosh të dyja në vlerë.”

Edhe shkrimtari Arbron Gashi sheh në këtë brez një zhvillim të natyrshëm drejt një identiteti më të hapur dhe më modern. Sipas tij, mundësitë më të mëdha për arsim dhe zhvillim kanë krijuar një gjeneratë më të vetëdijshme për potencialin e saj. Megjithatë, ai thekson se kjo rrugë kërkon edhe një përpjekje të vazhdueshme për të mos humbur lidhjen me rrënjët. “Po, mendoj që brezi i dytë po formon një lloj ‘shqiptari të ri’, më të hapur dhe më modern,” thotë ai, duke shtuar se ruajtja e gjuhës dhe kulturës është thelbësore për të mbajtur gjallë këtë identitet. Në një fjali të vetme, ai e përkufizon këtë përvojë si “të jetosh mes dy botëve dhe të marrësh më të mirën nga të dyja”.

Edhe në fushën e mjekësisë, përvoja e Kaltrina Zahitit e përforcon këtë ide. Sipas saj, brezi i dytë i shqiptarëve në Zvicër po ndërton gradualisht një identitet më të integruar, ku gjuha, traditat dhe lidhja me origjinën mbeten pjesë e rëndësishme e vetëdijes kulturore, ndërsa integrimi në shoqërinë zvicerane vazhdon të thellohet.

Një perspektivë të ngjashme sjell edhe profesionistja në sektorin bankar Vildane Rexhepi, e cila vëren se brezi i dytë karakterizohet nga orientimi drejt qëllimeve dhe nga këmbëngulja për të përballuar sfidat. Sipas saj, ky brez po dëshmon çdo ditë se integrimi dhe suksesi profesional mund të ecin paralelisht me ruajtjen e identitetit kulturor. Prania e shqiptarëve në fusha të ndryshme, nga mjekësia dhe infermieria deri te ekonomia dhe drejtësia, krijon një urë të natyrshme mes dy kulturave, duke reflektuar atë që ajo e përshkruan si “bukurinë e identitetit shqiptar me atribute zvicerane”.

Në art dhe kulturë, ky identitet shfaqet përmes mënyrës se si artistët e rinj përfaqësojnë rrënjët e tyre në një skenë ndërkombëtare. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) e përshkruan këtë përvojë në mënyrë të thjeshtë dhe domethënëse: “Të jesh shqiptar në Zvicër do të thotë të jetosh mes dy botëve, duke ruajtur origjinën dhe duke u integruar me dinjitet.” Një mesazh të ngjashëm përcjell edhe modelja Cendrine Berisha, e cila e sheh gjeneratën e re si një brez që arrin të balancojë traditën me modernitetin. “Është një brez që di të balancojë traditën me modernitetin, me shumë vetëdije dhe ambicie,” thotë ajo, ndërsa për veten e saj të jesh shqiptare në Zvicër do të thotë “të jesh krenare për rrënjët dhe e vendosur për të ardhmen”.

Në të gjitha këto perspektiva, gjenerata e re e diasporës shqiptare shfaqet si një brez që nuk e sheh identitetin si një kufi mes dy kulturave, por si një hapësirë ku ato bashkëjetojnë dhe pasurojnë njëra-tjetrën. Kjo “shqiptari e re” nuk e zëvendëson traditën, por e zgjeron atë, duke e bërë identitetin shqiptar më të hapur, më të sigurt dhe më të pranishëm në një botë gjithnjë e më globale.

Në katër nënkapitujt e këtij artikulli u shpalosën disa nga dimensionet më të rëndësishme të këtij realiteti, siç janë identiteti mes dy kulturave, roli i arsimit dhe integrimit profesional, ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe formimi i një gjenerate të re të diasporës. Së bashku, këto rrëfime krijojnë një mozaik përvojash që tregojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por edhe shumë e suksesshme në fusha të ndryshme, nga shkenca dhe mjekësia, te arti, ekonomia dhe kultura.

Një element që shfaqet vazhdimisht në këto histori është roli i familjes dhe i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit. Për shumë prej tyre, gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një lidhje e drejtpërdrejtë me rrënjët, kujtesën dhe kulturën e prejardhjes. Në të njëjtën kohë, arsimi dhe përvoja profesionale në Zvicër kanë ndihmuar në formimin e një brezi të ri të profesionistëve të përgatitur, të disiplinuar dhe të hapur ndaj botës.

Kjo gjeneratë, në shumë mënyra, përfaqëson një urë të padukshme mes dy kulturave. Ajo lëviz natyrshëm mes traditave shqiptare dhe standardeve të shoqërisë zvicerane, duke marrë më të mirën nga të dyja. Përmes këtij ndërthurje, identiteti shqiptar në diasporë nuk mbetet i ngrirë në kohë, por evoluon, duke u pasuruar me përvoja të reja dhe duke fituar një dimension më të gjerë.

Në fund, historitë e këtyre të rinjve dëshmojnë se diaspora shqiptare në Zvicër nuk është vetëm një histori migrimi, por edhe një histori zhvillimi, integrimi dhe suksesi. Ajo tregon se si rrënjët mund të mbeten të forta edhe larg vendit të origjinës dhe se si një identitet i dyfishtë, larg të qenit një pengesë, mund të shndërrohet në një forcë që hap horizonte të reja për individin dhe për komunitetin si një pasuri dhe privilegj.

 

Gentiana, e specializuar në shitblerjen e pasurive të paluajtshme

“Gentiana Real Estate” është adresa ku ju jo vetëm mund të gjeni shtëpinë e ëndrrave tuaja, por të cilës edhe mund t’ia besoni shtëpinë, banesën apo pronën tuaj për shitje. Gentiana Bajrami ka një përvojë të gjatë në tregun e paluajtshmërive, është kreative dhe e guximshme.

Ajo është krenare me të arriturat e shqiptarëve në Zvicër, sidomos në patundshmëri.

“Jam e lumtur kur takoj njerëzit tanë që kanë kursyer për shumë vite për të blerë një shtëpi që kanë ëndërruar gjatë gjithë kohës sa kanë punuar e kursyer”.

Kurrë nuk ka qenë më lehtë të jetosh si shqiptar në Zvicër. Pothuajse në çdo fushë e kudo gjeni dikë, me të cilin mund të komunikoni e të këshilloheni edhe në gjuhën shqipe për punët për të cilat ju po kërkoni zgjidhje. Pasuritë e paluajtshme janë bërë trend në kuptimin që pothuaj secili blen apo investon në këtë fushë. Ky biznes duket i thjeshtë e lukrativ, por nëse nuk bëni një analizë profesionale, ju mund të paguani shumë. Pasojat mund të jenë afatgjate dhe kriza e shkaktuar financiare, e pariparueshme. Që kjo mos të ndodhë, shumica e qytetarëve të Zvicrës, menaxhimin e pronës dhe shitblerjen ua besojnë kompanive të specializuara për pasuri të paluajtshme.

Në mesin e kompanive të shumta të tilla ju gjeni edhe kompaninë “Gentiana Real Estate”. Mbrapa kësaj kompanie qëndron një grua e re e me vetëbesim. Ajo sjell një përvojë të gjatë në këtë fushë. Misioni i Gentiana Bajramit është bashkimi i njerëzve dhe pasurive të paluajtshme. “Blerja e një prone është më shumë se një investim. Është detyrë e zemrës sonë të realizojmë dëshirat, kërkesat dhe qëllimet e jetës. Ne heqim dorë nga kërkimi ynë vetëm kur klientët dhe pronat tona janë bashkuar në një simbiozë unike, thotë Gentiana Bajrami, e cila ju këshillon në blerjen e një shtëpie, banese apo një prone. Ajo qëndron pranë jush edhe në dhënien me qira të pasurive të paluajtshme e menaxhimin e pronës. Për Gentianën, shtëpitë apo banesat janë më shumë se vetëm hapësira boshe. Ato janë një shtëpi, një vend për të jetuar, një pjesë ardhmëri dhe ajo i shikon dhe i trajton si të tilla.

“Pasuritë e paluajtshme kanë qenë pasioni im i madh për 10 vjet. Secila prej tyre është unike. Më gëzojnë edhe më shumë fytyrat e lumtura të pronarëve pas emërimit të noterit dhe ato të blerësve të rinj që mundën të blejnë pronën e tyre të ëndrrave. Të bashkoj njerëzit dhe pasuritë e paluajtshme – kjo është një çështje personale e zemrës sime”, shprehet Gentiana.

“Si kompani, ne fokusohemi në cilësi dhe jo në sasi, në mënyrë që të jemi aty për ju dhe pronën tuaj. Është e rëndësishme për ne që ju të shijoni rrugëtimin e shitjes së një prone dhe që ne të mund të kujdesemi për pjesën tjetër. Kjo na gëzon dhe na bën të lumtur për ju dhe pronën tuaj”, thotë drejtuesja e “Gentiana Real Estate”, Gentiana Bajrami e cila merr përsipër tërë procesin e shitblerjes për ju. Përmes “Gentiana real Estate” ju mund të shijoni “udhëtimin” falas- me 0% komision e 100% shërbim. Çmimet jane fikse dhe ju paguani vetëm nëse kemi pasur një ndërmjetësim të suksesshëm.

6-hapat tanë deri te shitja e pasurive të paluajtshme

  1. Konsultimi fillestar, falas

Për të qenë në gjendje të krijojmë një vlerësim tregu, ne vizitojmë shtëpinë tuaj së bashku me ju. Sigurish, pa pagesë dhe pa detyrim. Ju përfitoni nga përvoja jonë shumëvjeçare në shitje dhe qira. Mos hezitoni të caktoni takimin tuaj të shikimit, sot!

  1. Oferta jonë: 0% komision – 100% shërbim

Ne shesim pronën tuaj për një çmim fiks prej 12,500 CHF. Falë modelit tonë transparent të çmimeve, ju i dini kostot aktuale që nga fillimi i shitjes së pronës. Si klient i “Gentiana Real Estate” ju jo vetëm që kurseni më shumë se 50% në krahasim me komisionet konvencionale të brokerimit – ju mund të prisni një shërbim profesional në një nivel të lartë.

  1. Foto – shkrepje me dron – turne 360°

Pasi të keni vendosur për shërbimet tona, ne fillojmë menjëherë. Fotografi ynë personal, i specializuar në fotot e pasurive të paluajtshme, do të prezantojë pronën tuaj në dritën më të mirë. Ne ofrojmë shërbime shtesë të regjistrimit të pronës tuaj me dron.

  1. Krijimi i dokumenteve të shitjes

Pas regjistrimeve, do të krijohet një dokumentacion gjithëpërfshirës dhe shumë tërheqës i shitjes së pronës suaj. Pas inspektimit të suksesshëm, blerësi i mundshëm do të tregojë dokumentacionin e shitjes në mjedisin e afërt dhe do të diskutojë pronën tuaj. Prandaj është thelbësore që dokumentacioni i shitjes t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve dhe të lërë një përshtypje të qëndrueshme.

  1. Pyetje dhe vizita

Ne jemi kontakti i drejtpërdrejtë për të gjithë blerësit e mundshëm dhe koordinojmë të gjitha takimet e shikimit për ju. Ne përgatitemi për vizitën dhe pasqyrojmë dokumentacionin e shitjes – tërheqës dhe informues. Nëse blerësi i mundshëm ka një ndjenjë të mirë të brendshme dhe të gjitha pyetjet janë sqaruar, përvoja ka treguar se asgjë nuk mund të pengojë një blerje.

  1. Negociatat dhe mbyllja e shitjes

Çdo ofertë kontrollohet me ju. Qëllimi ynë është të arrijmë të ardhurat më të larta të mundshme nga shitja e pronës suaj. Sigurisht që ne jemi pranë jush deri në përfundimin e emërimit të noterit! 

“Besimi- Puna efikase – Çmime të drejta”

Janë fjalët kyçe që e kanë provuar eksperiencën tonë 10 vjeçare në industrinë e pasurive të paluajtshme. Ajo që ka rëndësi për ne jeni ju, prona juaj dhe besimi juaj tek ne. Ne përpiqemi të shohim pronën tuaj të dashur përmes syve tuaj në mënyrë që të bindim plotësisht blerësin e mundshëm. Empatia dhe çmimet fikse të drejta të shoqëruara me përvojën shumëvjeçare në fusha të ndryshme të lëmit të pasurive të paluajtshme janë ato që na dallojnë dhe na bëjnë partnerin e përsosur për ju. Ju presim me padurim.

Shumë vite eksperiencë

Për shumë vjet kemi arritur të ndërthurim njohuritë e thella të tregut me ekspertizën personale dhe kështu të gjejmë gjithmonë pronën ideale për klientët tanë.

Besim, jo mashtrim

Për ne, pasuria e paluajtshme është më shumë sesa thjesht hapësira boshe. Ata janë një shtëpi, një ëndërr e jetës, një pjesë e së ardhmes dhe pikërisht kështu i shohim dhe i trajtojmë ne.

Cilësi, jo sasi

Qëllimi ynë nuk është të shesim me çdo kusht. Qëllimi ynë është t’ju bëjmë të lumtur, të respektojmë, pranojmë dhe zbatojmë dëshirat tuaja.

www.g-realestate.ch

[email protected]

+41 79 887 88 77

Instagram: gentiana_real_estate

/Shkrim i sponzorizuar/

 

Diaspora, paketa më e mirë e rimëkëmbjes për Kosovën

Shumë mërgimtarë erdhën gjatë muajit korrik dhe gusht 2021 në Kosovë, fluksi më i madh i regjistruar deri tani. Madje disa prej politikanëve e vlerësuan rekord ardhjen e tyre këtë verë që nga pas lufta. Ardhja e tyre solli shumë të mira për vendin. Mërgimtarët mbushen kuletën e shtetit duke paguar taksat, pagesat e rrymës, ujit dhe pronës.

 

Mos të flasim për sektorin privat, ku secili bisnes kishte marrë «infuzion» pas krizës së shkaktuar si pasojë e pandemisë dhe izolimit të vendit me virusin.

 

Fehmi Fetahi, biznesmen dhe njëherësh kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Zvicrës, Fehmi Fetahu e vlerëson diasporën paketën më të mirë të rimëkëmbjes nga ana tjetër i cilëson si të vonuara paketat e shpëtimit nga Qeverie e vendit.

 

«Diaspora ka shpëtuar nga falimentimi shumë biznese kosovare. Përfundimisht mërgimtarët  kanë treguar për një rritje të barometrit, dhe kjo për vërehet gjithkund, tha afaristi shqiptaro-zviceran, Fehmi Fetahi, pronar i resortit më të madh “Vali Ranch. Ai  thotë se këtë rritje e ka regjistruar edhe në «Vali Rach»,  “Qytetin e Bardhë” në Gjilan.

 

Duke komentuar gjendjen ekonomike në vend, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Zvicrës, ka bërë të ditur për albinfo.ch se do të mbahet nga mesi i shtatorit Kuvendi Zgjedhor i Rrjetit të Bizneseve në Zvicër, ku edhe do të zgjidhet kryetari dhe kryesia e re. Vendi dhe ora do të komunikohen me kohë.

 

 

Vetëm vozitja është më e mirë se „MeinMech“

Mekaniku“ im është një nga idetë më brilante për servisimin e veturave, që po shtrihet me hapa të shpejtë në mbarë Zvicrën. Mbrapa idesë „MeinMech“ qëndron një shqiptar ambicioz që sjell përmes këtij projekti risi në tregun e servisimit të veturave në Zvicër. Duke u futur kështu në mes garazhistit që kërkon të ketë sa më shumë qarkullim dhe pronarit të veturës që kërkon ta ngasë veturën me sa më pak shpenzime e pa humbur shumë kohë në Zvicrën dinamike, ku koha është gjëja me e shtrenjtë e njeriut.

Projekti „MeinMech.ch“ është ideuar e konceptuar për një kohë të gjatë në shkollën e Lartë Ekonomike HWZ në Cyrih nga ish-studenti i këtij fakulteti, Naim Osmani. Synimi i tij ishte ruajtja e klientëve nga shpenzimet e panevojshme të servisimit të veturës dhe kursimi i kohës duke ua ofruar mundësinë e marrjes dhe sjelljes së veturës në shtëpi.

„Pasi kisha shkruar dhe dorëzuar idenë time tek profesorët e fakultetit, ata më ftuan për ta prezantuar para eksperteve të Swiss Startup Factory. SSF është një kompani e madhe ne Zvicër që analizon idetë dhe nxjerr në treg produktin”, tregon ekonomisti 33 vjeçar.

Pas një faze shtatëmujashe të testimit të projektit, Naimi regjistron në maj të 2019-ës idenë e tij duke e kthyer atë në një model biznesi që merr rolin e ndërmjetësuesit mes garazhit, që është specialist, dhe klientit që s’ka pothuajse fare njohuri mbi veturën apo gjendjen teknike të veturës.

 

Servisimi që nuk ka ndryshuar prej 50 vitesh

„Ju nuk e paramendoni dot, por garazhet e servisimit punojnë ende sikur para 50 viteve. Ka shumë garazhistë që shpesh ndërrojnë pjesë, edhe pa pasur nevojë. Kur pronari dorëzon veturën në garazh, mekaniku e kontrollon dhe ia thotë çmimin e riparimit ose servisimit pa e ditur mjaftueshëm se a duhet ndërruar ato pjesë apo jo“, shpreh revoltën e tij Naimi që për një kohë të gjatë mendonte vetëm si të gjejë modelin më të mirë për të parandaluar keqpërdorime të këtilla që varfërojnë financiarisht klientin.

„Një pjesë e mirë e garazhistëve nuk janë korrektë. Ka raste kur frenat mund t`i përdorësh p.sh. edhe nja 15 mijë kilometra, por ata t`i ndërrojnë seüpse duan t`i marrin paret. Këto pika jo korrekte nuk më pëlqenin mua, prandaj kërkoja një model të ri për të ndryshuar këtë mënyrë të servisimit e riparimit të veturave“, flet me vendosmëri babai i dy fëmijëve që deri ne moshën 6 vjeçare ishte rritur larg prindërve, vetëm më vëllanë e madh dhe gjyshërit e tij, në Gostivar.

 

MeinMech servison në mbarë Zvicrën rreth 300 vetura në muaj

 Naimi ka aktualisht 300 klientë në muaj që i servisojnë veturat e tyre përmes kompanisë së tij, MeinMech. Firma e tij është rritur me 10 punëtorë. Ndërkohë ata kanë nisur punën me filialin e tyre edhe në Austri, duke ofruar shërbime servisimi në Vjenë.

„Në Zvicër pika jonë frekuentuese është në Cyrih. Kemi 35 garazhe partnere me shtrirje në St. Gallen, Bernë, Argau e vende tjera me rreth 90% të klientëve zviceranë, tregon ai. Klientët që synojnë MeinMech janë ata që ngasin vetura të segmentit 4, që nënkupton ato pa garancion servisimi. Janë kryesisht vetura prej 8 deri në 15 vjet që i ngasin zakonisht klientë të moshës 40 deri 50 vjeç, të cilët në shumicën e rasteve nuk duan ta ndërrojnë veturën. Numri i veturave të segmentit 4 që qarkullojnë rrugëve të Zvicrës, shkon në 1.5 milion.

Pas 15 vjetësh punë nëpër garazhe, diplomon për Biznes dhe Ekonomi

„Para se te filloja me biznes, vëllanë e kam parë si idhull”, rrëfgen Naimi. Doja të bëhesha si Rifati, mirëpo interesimi im ishte te motoristika, kështu që pasi kisha mbaruar zanatin, punova dy vjet si mekanik, por doja gjithnjë të bëja diçka më shumë. Me interesonte elektronika e automjeteve, diagonoza, dhe jo vetëm të ndërroja pjesë. Kështu, unë vazhdova specializimin për “automobil diagonostiker”, pastaj për mësues të nxënësve të drejtimeve mekanike dhe mbarova një vit shkollor për të qenë ekspert i provimeve përfundimtare (LAP) për nxënësit.

Naimi kishte bërë 15 vjet punë nëpër garazhe, kishte ndërruar tri vende pune dhe në fund nuk kishte arritur të bëhej më shumë se një shef i një garazhi të Mercedesit me një pagë normale. “Një ditë u ndala dhe i thashë vetes: a dua unë vërtet ta kaloj tërë jetën duke punuar në garazh? Natyrisht që jo- u përgjigja dhe fillova të interesohem për shkollim të metutjeshëm. Por shkollën që doja të bëja, më thanë që është shumë e vështirë, plus e vëreja që nuk e kisha mbështetjen e plotë të familjes. Ata donin të më kursenin dhe të gjithë frikësoheshin se mos ndoshta nuk arrij të shkoj deri në fund me studimet“. Pas shumë diskutimeve në familje dhe me shoqëri, unë regjistrova në vitin 2015 në HWZ-Cyrih studimet për Bachelor “Betriebsökonomie”. Tre semestrat e parë mësoja nga tetë orë në ditë. Isha i motivuar dhe doja t’ju dëshmoja të gjithëve që kishin pasur dyshime, se mund t’ia dal. Katër vite të studimeve, me tetë semestra, ishin shumë të rënda për mua, por njëkohësisht edhe koha më e mirë e jetës sime sepse u lidha me shumë shokë e njerëz të profileve të ndryshme dhe mbi gjitha mora diplomën Bachelor për Biznes dhe Ekonomi.

Të gjitha shërbimet për klientin, jo më larg se 15 km nga vendbanimi i tij

Garazhi duhet të garantojë punë cilësore. Klienti në anën tjetër do të dijë me saktësi çfarë duhet bërë në veturën e tij dhe sa do t`i kushtojë. Klientët mund të japin në faqen tonë modelin e veturës dhe çfarë duhet bërë. Ne i bëjmë ofertën klientit në një garazh jo më larg se 15 km nga vendbanimi i tij. Garazhisti shkon mandej e merr veturën te klienti, e rregullon dhe ia kthen prapë në shtëpi. Kurse ne jemi partneri apo garantuesi i servisimit dhe tërë komunikimi bëhet me ne. Madje edhe fatura kalon përmes nesh. Garazhet e vogla familjare me nga katër pesë punëtorë, nuk kanë asnjë shans t`i konkurrojnë garazhet e mëdha si Amag, Merbach, Emil Frey me marketing, punëtorë e cilësi. Këtu ne kërkojmë një mes për të gjithë, marketingun për garazhet e vogla e marrim ne përsipër.

Foto:Armend Berisha

/Publireportazh/

 

 

 

Punonte për kafshatën e gojës, sot udhëheq tri biznese

Sikur shumë mërgimtarë, edhe për Kened Baftiajn nuk ishte aspak e lehtë ndarja nga familja, shoqëria dhe shkolla ku ishte një nxënës shembullor. Ai la prapa të gjitha në vendlindjen e tij, në komunën e Therandës dhe mori rrugën drejt perëndimit.

Austria ishte ndalesa e parë e Kenedit, përkatësisht në Wolfsberg ku dhe gjeti punë si punëtor krahu. Megjithatë, kjo nuk zgjati për shumë kohë, meqë ai kishte dëshirë të punonte si kamerier.

Aq vullnet të madh kishte, sa që për disa muaj kishte punuar falas në një restorant vetëm për ta mësuar zanatin, që më vonë i shërbeu shumë.

Kenedi hap lokalin në qendër të Graz-it 

“Isha i detyruar të punoja punë të ndryshme, por puna e krahut nuk më bënte të lumtur. Kafshatën e gojës e kisha siguruar, por unë doja të arrija më lartë. Po punoja në një fabrikë të skive, por sërish nuk isha i kënaqur, doja që të mësoja zanatin e kamarierit. Punova për një kohë të gjatë falas në një restorant  nga ora 18:00 deri në 24:00. Punën në fabrikë e lash dhe për mua nisi një kapitull tjetër. Punova si kamerier në restorante të ndryshme dhe në zona të skive në tërë Austrinë. Nuk gjeja qetësinë shpirtërore, andaj edhe hapa lokalin tim në Graz”, ka thënë ai për Albinfo Austria.

Sot, pronar i tri bizneseve 

Pasi hapi lokalin e tij në Graz, Kenedi nuk u ndal. Ai pas vitit 2008 arriti të jetë pronar i tri bizneseve; një restoranti në Graz  dhe i dy firmave të tjera.

“Ëndrra ime u realizua dhe deri më tash çdo gjë po shkon mbarë. Tani jam pronar i një restoranti në zonën këmbësore të Graz-it dhe i disa pasurive të paluajtshme (Eigentümer). Dy firma të tjera janë aktive, njëra për: Zhvillim dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme (Immobilienentwicklung und Vermittlung) dhe tjetra për: Menaxhim, blerje dhe shitje të pasurive të paluajtshme. (Hausverwaltung, Kaufen und Verkaufen von Immobilien). Landi Steiermark është një ndër partnerët kryesorë në bizneset e mia dhe unë u jam shumë mirënjohës për besimin që kanë treguar tash dhjetë vite për mua”, ka thënë Kenedi për Albinfo Austria.

Ai shprehet se të bësh biznes në Austri nuk është e vështirë, deri sa t`u përmbahesh rregullave dhe bën punë cilësore.

Investimi në Kosovë dështoi për shkak të institucioneve kosovare

Kenedi kishte menduar të sillte një grup investitorësh austriakë në Kosovë, por ideja e tij nuk kishte hasur në mirëkuptim nga institucionet kosovare.

“Kam pasur mundësinë dhe dëshirën për të investuar në Kosovë, por për fat të keq nuk kam hasur në mirëkuptim nga institucionet kosovare. Me një grup austriak kemi dashur të ndërtojmë një zonë për testimin e veturave sportive “Formula” dhe veturave tjera. Kosova i përshtatej Austrisë, sepse ata donin t`i testonin veturat 24 orë për 365 ditë. Kishin kontratë me Mercedesin, Audi-në dhe BMW. Këtë nuk ua lejonte asnjë shtet i BE-së, andaj e zgjodhën Kosovën, por nuk mund të siguronim leje. Kështu që ata vendosën ta zbatojnë idenë në Poloni”, ka sqaruar ai.

Krenaria më e madhe, familja 

Prindërit ishin gjithmonë kundër që Kenedi te merrte  rrugën e mërgimit, por pasi që ai tashmë kishte vendosur, ata i dhanë bekimin dhe përkrahjen. Sidomos, siç thotë ai, ishte babai i tij që i dha këshilla të cilat më pas e përcollën gjithë jetën. “Këshilla e parë që babai më tha ishte: Për të mbijetuar në dhe të huaj, së pari duhet të mësosh gjuhën e atij vendi dhe të respektosh rregullat dhe ligjet e atij vendi. Ndërsa e dyta ishte: Kudo që shkon dhe jeton, ruaje identitetin tënd, bujarinë dhe sinqeritetin”, kujton Kenedi këshillat e babait për të cilat thotë se kanë qenë udhërrëfyese gjatë gjithë jetës së tij.

Biznesmeni shqiptar nga Grazi po ashtu falënderon edhe vëllain e tij Dedën, të cilën e quan si krah i djathtë në gjithë rrugëtimin e tij biznesor dhe jetësor.

Por, përkundër tri bizneseve, ajo me të cilën krenohet më së shumti Kenedi, janë katër fëmijët e tij dhe bashkëshortja, të cilët e përkrahin dhe e motivojnë çdo ditë.

Vajza e madhe Anita ka përfunduar studimet për biznes ndërkombëtar (IBWL) . Vajza tjetër, Marta, është absolvente e Juridikut kurse vajza e tretë, Martina, studion mjekësinë. Ndërsa djali, Roberti vijon shkollimin në gjimnazin akademik në Graz, thotë Kenedi.

Ne u ndamë me Kenedin duke i uruar shëndet dhe suksese edhe në të ardhmen me bizneset e tij.

Poezi nga Kened Baftiaj

Biznesmeni nga Theranda ka pasion poezinë. Ai sjellë një poezi për lexuesit e albinfo.at, të cilën Baftiaj e ka shkruar më 13 prill të vitit 1991, ditën kur kishte lënë Kosovën.

Një ditë-këtë ditë

Një ditë, ditë e shënuar,

një ditë, ditë e paharruar

Këtë ditë u largova,

familjen përshëndeta.

Këtë ditë u nisa, shkova

e botën e pa fund në sy e mora.

Një ditë,

mora një rrugë të gjatë e të pa kufi

këtë ditë lashë familjen, u largova,

por se për ku, as vet nuk e di.

U nisa e nga mbrapa mbeti një botë e tërë,

mbet familja, prindërit, libri.

Mbetën lojërat e ëndrrat e fëmijërisë,

mbrapa mbet edhe shkopi,

me të cilin bagëtinë ruaja.

Por, më së shumti mu dhimbs,

lapsi me të cilin shkruaja.

Një ditë,

nga njëra botë në tjetrën kalova.

Këtë ditë,

nga i pamëshirshmi, mëshirë kërkova.

E tani jam pjesëtar i dy botërave,

në njërën jetoj, vuaj e punoj,

kurse në tjetrën më djeg malli, digjem,

por vetëm mund ta ëndërroj.

E tëra kjo më ndodhi brenda një dite,

ditë e shënuar.

Jeta ime kështu ndryshoi, brenda një dite,

dite e pa harruar.

Shtëpi kosovare për familje zvicerane

Albinfo.ch fillon prezantimin e gjashtë video-portreteve të para të realizuara me pjesëtarët e diasporës kosovare. Që tani e tutje do të zbuloni profilet e sipërmarrësve nga diaspora kosovare në Zvicër dhe gjetkë në Evropë, të cilët kanë nisur projekte inovuese dhe me vlerë të shtuar në Kosovë.

Projekti “Storie suksesi” synon të prodhojë dymbëdhjetë video-portrete të emigrantëve ose ish-emigrantëve kosovarë, të cilët kanë ndërmarrë iniciativa të pazakonta në favor të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit të tyre të origjinës. Bëhet fjalë, pra, për kosovarët e diasporës që kanë përfituar nga arritjet e tyre në Zvicër apo në vende të tjera të Evropës për të nisur projekte origjinale ekonomike, shkencore, kulturore apo socio-politike në favor të Kosovës. Nëpërmjet këtyre portreteve ne mund të kuptojmë më konkretisht ndikimin që diaspora kosovare mund të ketë në prosperitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo qasje pozitive e projektit “Storie suksesi” synon të influencojë vendimmarrësit në Kosovë dhe në rajon, në mënyrë që të jenë më të vetëdijshëm për potencialin që ka diaspora në modernizimin e vendit. Ky projekt gjithashtu synon të promovojë shembuj të suksesshme, duke ngritur vetëdijen dhe duke nxitur anëtarët e tjerë të diasporës të ndërmarrin iniciativa të ngjashme, pasi që Kosova është e mbushur me mundësi për investime ekonomike.

“Storie suksesi” i përgjigjet një nevoje prioritare sa i përket përpjekjeve për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm dhe institucionalë në transferimin e njohurive në Kosovë. Më konkretisht, transmetimi gjatë gjithë vitit të këtyre video-portreteve ka për qëllim të theksojë projektet që kanë efekte direkte ose indirekte në Kosovë.

Ky projekt është hartuar pas një reflektimi afatgjatë dhe është ndërtuar me një qasje moderne dhe dinamike. Ai është i pasuruar nga një shumëllojshmëri vendesh xhirimi në Kosovë, Zvicër dhe vende të tjera perëndimore. Intervistat e ndryshme janë kryer me bashkëbisedues dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Gjithë kjo punë sjell një komponent të rëndësishëm informacioni në marrëdhëniet e diasporës me vendin e origjinës.

Cikli i dymbëdhjetë portreteve “Storie suksesi” është i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim në Kosovë (SDC-DEZA-DDC), Programit për Promovimin e Shoqërisë Demokratike (DSP) dhe projekti po zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Isufi zotohet për zgjerimin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Mustafa, ushtrues detyre i pozitës së kryetarit, në Kuvendin e së dielës ka raportuar për punën e deritashme të këtij organizmi ekonomik të komunitetit të bizneseve shqiptare në Zvicër.

Ai ka numëruar aktivitetet e deritanishme të Rrjetit, duke potencuar edhe disa nga kontratat milionëshe të lidhura mes tyre. Pastaj ka treguar për organizimet dhe vizitat që i ka bërë Rrjeti, donacionet humanitare, si dhe për kontributet që kanë dhënë anëtarët e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare. Ka raportuar edhe për bashkëpunimin që solli, sipas tij, eksportimin e mallrave nga Kosova në Zvicër. “Në këtë rrugëtim 4-vjeçar, Rrjeti i Bizneseve ka ecur mirë. Ne sot në Zvicër mund të krenohemi që kemi filluar të njohim njëri-tjetrin. Kemi filluar të krijojmë një klimë të të bërit biznes, të unifikohemi dhe të bashkëpunojmë mes veti, duke shkëmbyer informata me shumë biznese”, ka deklaruar Mustafa.

Me të marrë besimin e anëtarëve biznesmenë, Isufi ka pranuar kritikat për numrin e vogël të anëtarëve të Rrjetit dhe është zotuar se do të punojë në masivizimin e këtij asociacioni biznesesh. “Pa qenë pak, nuk bëhemi kurrë shumë. Aq sa jemi këtu, po të kemi vullnet, mund të bëjmë shumë. Flitet për 5 mijë biznese shqiptare në Zvicër, dashtë e pa dashtë, ata janë anëtarë të Rrjetit. Dhe, ka shumë arsye pse të gjithë nuk janë anëtarë të Rrjetit… dhe është fatkeqësi që nuk janë pjesë jona”, ka deklaruar kryetari i sapozgjedhur i Rrjetit, Qamil Isufi, duke deklaruar se kjo organizatë nuk është e askujt, por është e të gjithëve dhe secili mund të japë kontributin e tij.

Kryetar nderi dhe njëri nga iniciatorët për krijimin e këtij asociacioni në Zvicër, Fehmi Fetahu, ka kërkuar nga kryetari i sapozgjedhur më shumë punë, e pak fjalë.

Kritika për numrin e vogël të anëtarëve të Rrjetit

Punimet e Kuvendit nuk kaluan pa kritika për punën e deritanishme 4-vjeçare të Asociacionit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër.
Madje, kishte kërkesa të tilla që të dorëhiqen të gjitha strukturat e deritanishme të Asociacionit të Bizneseve. Më kritik ishte arkitekti Ibrahim Sylaj, i cili tha se duhet të gjejnë mënyrën se si t’i bëjnë bashkë bizneset shqiptare në Zvicër. “As unë si anëtar, po as kryesia nuk ka legjitimitet që ta udhëheqë më tutje Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Rrjetin duhet ta udhëheqin anëtarë të firmave të reja që e kanë vullnetin dhe dëshirën për ta zgjeruar atë. Pas katër vjetëve ne takohemi me vetëm 100 anëtarë, apo edhe 200, po themi të regjistruar. Pse të mos jenë 2 mijë anëtarë të Asociacionit të Bizneseve. Fuqia e asociacionit është anëtarësimi i bizneseve dhe masivizimi i bizneseve shqiptare”, ka deklaruar Ibrahim Sylaj.

Edhe biznesmeni tjetër, Rexhep Berisha, është shprehur i pakënaqur me punën që ka bërë deri tani Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër. “Edhe pse është ndër rrjetet e para të bizneseve që është krijuar në Zvicër, megjithatë është më i dështuari në krahasim me rrjetet e tjera shqiptare nëpër botë. Fajin për këtë e ka kryesia që ka më shumë dështime sesa suksese. Në Zvicër ka aq shumë potencial të bizneseve shqiptare dhe ky potencial duhet të shfrytëzohet”, ka thënë Rexhep Berisha, afarist nga Bazeli.

Në këtë Kuvend të biznesmenëve shqiptarë ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Kosovës, Nazane Breca, i dërguari nga Ministria e Diasporës, këshilltari i lartë, Agim Kuleta, dhe Shukrije Ramadani nga Qendra Kulturore në Cyrih. “Rrjeti në Zvicër çdo ditë më shumë ia del të krijojë emër dhe të japë shembullin më të mirë se si duhet organizuar dhe si duhet punuar për të bashkuar idetë e tyre dhe veprimet, në mënyrë që të ndihmohet zhvillimi i Kosovës”, ka deklaruar diplomatja kosovare, Breca.
Agim Kuleta nga Ministria e Diasporës u ka thënë biznesmenëve se kanë kaluar fazën e parë të zhvillimit dhe pas këtij Kuvendi duhet të përballen me fazën tjetër që nënkupton konsolidimin dhe funksionalizimin e mëtutjeshëm të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Ai u ka kërkuar biznesmenëve që të hapin një zyrë dhe krijimin e një strukture administrative të Rrjetit të Bizneseve. “Rrjeti përbën dëshmi që në një hark kohor më pak se dy dekada njerëzit tanë kanë arritur që nga punëtorët në kompanitë zvicerane, të shndërrohen në udhëheqës e pronarë të kompanive të tyre në Zvicër”, tha Kuleta.

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër është themeluar në vitin 2013, si organizatë e parë e pavarur jopolitike dhe joprofitabile, si urë lidhës e bizneseve të diasporës me vendlindjen.Tashmë funksionojnë 26 rrjete biznesesh të shqiptarëve në tërë botën.

Bashkatdhetari nga Zvicra e bën Skromën fshat turistik

Investimi i një bashkatdhetari nga Zvicra është konkretizuar sot në fshatin Skromë të Vushtrrisë, duke rikthyer një fshat gati të humbur, në një qeder turistike. Përurimi i këtij fshati turistik u bë në prani të ministrit të Diasporës, Valon Murati, kryetarit të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Kanada, Naser Berisha dhe përfaqësuesve të Komunës së Vushtrrisë.

Në këtë fshat ka investuar afaristit shumë i suksesshëm nga Zvicra, Femzi Braha. Në fjalën e hapjes, Braha tha se qëllimi kryesor i investimit të tij në fshatin Skromë ka qenë t’ia kthejë gjallërinë kësaj zone përmes rritjes së frekuentimit në këtë pjesë dhe punësimit të banorëve të kësaj zone.

Ndërkaq, ministri Murati, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se diaspora përbën mundësinë më të madhe të vendit tonë për të sjellë investime serioze, dije, kulturë dhe disiplinë pune në Kosovë.

“Sa herë flasim për investimet nga jashtë, jam i vetëdijshëm se vija e parë e frontit janë njerëzit tanë nga diaspora, të cilët kanë ardhur dhe po vazhdojnë të vijnë, me gjithë vërejtjet që mund t’i kenë. Në këtë mënyrë, ata po e ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës në kohën më të nevojshme për të”, u shpreh Murati, duke ofruar mbështetje të plotë për të gjithë investitorët nga diaspora.

Në emër të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, të pranishmit i përshëndetën edhe Naser Berisha, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Kanada, dhe përfaqësues nga Komuna e Vushtrrisë.

CNN: Kosovari, nga refugjati në biznesmen në Londër

Derisa po vazhdon kriza e refugjatëve në Evropë, rrjeti botëror CNN ka sjellë historinë e një emigranti nga Kosova dhe familjes së tij, të cilët për shkak të luftës kishin kaluar rrugën e refugjatëve për një jetë më të mirë.

Bëhet fjalë për Përparim Ramën, i cili kishte kërkuar azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992.

„Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pashë të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, rrëfehet Përparim Rama në CNN, përcjell albinfo.ch.
Gjatë kohës së krizës në Kosovë ai vendosi të linte punën në studion e arkitekturës dhe t’i përkushtohej çështjes së refugjatëve të vendit të tij për t’i ndihmuar.

Familja e Përparimit ishte larguar nga Kosova gjatë sulmeve të NATO-s mbi Serbinë

Ai humbi të paktën dy muaj kontaktim me familjen.

“Familjes sime iu lanë vetëm pesë minuta në dispozicion për të marrë ç’të mundej e të largoheshin. Kështu që mamaja ime mori vetëm një album fotografik të familjes dhe im atë, si një piktor dhe pedagog artesh, mori punimet e tij më të mira. Prej aty shkuan në Maqedoni dhe më vonë për në SHBA”, vijon tregimin Rama.

Përparimi kishte vijuar studimet në Britani për arkitekturë dhe sot ai ka një kompani që kryen punime në mbarë botën dhe në të ka të punësuar edhe refugjatë.

Imazhet e refugjatëve ia kujtojnë Përparimit familjen dhe bashkëkombësit që në ato vite ndiqnin të njëjtën rrugë për një jetë më të mirë.

Përparimi ka një porosi: “Në kohë si këto që po kalojmë, të gjithë duhet të bëhemi solidarë. T’i ndihmojmë ata dhe t’i udhëheqim drejt një jete më të mirë”.

Mërgimtari nga Zvicra ndërton fabrikë të biogazit në Kërçovë

Në zonën industriale Ivanidol-2 ka filluar ndërtimi i fabrikës së parë të biogazit në Kërçovë të Maqedonisë, një investim privat i mërgimtarit shqiptar nga Zvicra.

Fabrika e re do të ketë një kapacitet të përpunimit të 25 tonëve të mbeturinave bio nga sistemi me digestor për të fituar rreth 3000 metra kub të biogazit në ditë, të cilat mund të përdoren për qëllime të ndryshme.

Në ceremoninë e inaugurimit të fabrikës ka marrë pjesë edhe kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari.

“Një fabrikë e re është vetëm hapi i parë drejt zhvillimit më të shpejtë të rajonit të Kërçovës. Përfitimet e ndërtimit të këtij kapaciteti do të jenë si në aspektin mjedisor, ashtu edhe ekonomik. Sepse përveç për të punësuar një numër më të madh të të papunëve, nga kjo fabrikë do të përfitojmë energji të pastër”, tha kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari.

Investitori nga Zvicra, Faik Sherifi, në këtë kapacitet të ri do të investojë fonde private që shkojnë deri në 1 milion euro. Dëshira e tij është që përvojën shumëvjeçare në Zvicër ta implementojë në vendin prej nga vjen.

“Unë jam plot 40 vjet në Zvicër dhe kam qenë në gjendje për të parë mbi 30 fabrika me biogas dhe kështu kam vendosur që përvojat e tyre t’i aplikoj në vendin tim. Me këtë fabrikë do të përfitojnë të gjithë, sepse do të prodhojë energji të pastër, ndërsa në të njëjtën kohë do të punësohen më shumë njerëz”, tha Faik Sherifi, pronar i fabrikës së re.

Fabrika e re do të jetë gati deri në fund të shtatorit.