Lajme

Punonte për kafshatën e gojës, sot udhëheq tri biznese

Ishin rrethanat ekonomike ato që e shtynë Kened Baftiajn të braktiste Kosovën në vitet e 90-ta. Duke mos parë të ardhmen në atdhe, ai u nis për në kurbet. Fati deshi që Kenedi të ndalej në Austri. Nga një punëtor krahu, ai ka arritur të krijojë dhe të udhëheqë tashmë tri biznese të tij.

Sikur shumë mërgimtarë, edhe për Kened Baftiajn nuk ishte aspak e lehtë ndarja nga familja, shoqëria dhe shkolla ku ishte një nxënës shembullor. Ai la prapa të gjitha në vendlindjen e tij, në komunën e Therandës dhe mori rrugën drejt perëndimit.

Austria ishte ndalesa e parë e Kenedit, përkatësisht në Wolfsberg ku dhe gjeti punë si punëtor krahu. Megjithatë, kjo nuk zgjati për shumë kohë, meqë ai kishte dëshirë të punonte si kamerier.

Aq vullnet të madh kishte, sa që për disa muaj kishte punuar falas në një restorant vetëm për ta mësuar zanatin, që më vonë i shërbeu shumë.

Kenedi hap lokalin në qendër të Graz-it 

“Isha i detyruar të punoja punë të ndryshme, por puna e krahut nuk më bënte të lumtur. Kafshatën e gojës e kisha siguruar, por unë doja të arrija më lartë. Po punoja në një fabrikë të skive, por sërish nuk isha i kënaqur, doja që të mësoja zanatin e kamarierit. Punova për një kohë të gjatë falas në një restorant  nga ora 18:00 deri në 24:00. Punën në fabrikë e lash dhe për mua nisi një kapitull tjetër. Punova si kamerier në restorante të ndryshme dhe në zona të skive në tërë Austrinë. Nuk gjeja qetësinë shpirtërore, andaj edhe hapa lokalin tim në Graz”, ka thënë ai për Albinfo Austria.

Sot, pronar i tri bizneseve 

Pasi hapi lokalin e tij në Graz, Kenedi nuk u ndal. Ai pas vitit 2008 arriti të jetë pronar i tri bizneseve; një restoranti në Graz  dhe i dy firmave të tjera.

“Ëndrra ime u realizua dhe deri më tash çdo gjë po shkon mbarë. Tani jam pronar i një restoranti në zonën këmbësore të Graz-it dhe i disa pasurive të paluajtshme (Eigentümer). Dy firma të tjera janë aktive, njëra për: Zhvillim dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme (Immobilienentwicklung und Vermittlung) dhe tjetra për: Menaxhim, blerje dhe shitje të pasurive të paluajtshme. (Hausverwaltung, Kaufen und Verkaufen von Immobilien). Landi Steiermark është një ndër partnerët kryesorë në bizneset e mia dhe unë u jam shumë mirënjohës për besimin që kanë treguar tash dhjetë vite për mua”, ka thënë Kenedi për Albinfo Austria.

Ai shprehet se të bësh biznes në Austri nuk është e vështirë, deri sa t`u përmbahesh rregullave dhe bën punë cilësore.

Investimi në Kosovë dështoi për shkak të institucioneve kosovare

Kenedi kishte menduar të sillte një grup investitorësh austriakë në Kosovë, por ideja e tij nuk kishte hasur në mirëkuptim nga institucionet kosovare.

“Kam pasur mundësinë dhe dëshirën për të investuar në Kosovë, por për fat të keq nuk kam hasur në mirëkuptim nga institucionet kosovare. Me një grup austriak kemi dashur të ndërtojmë një zonë për testimin e veturave sportive “Formula” dhe veturave tjera. Kosova i përshtatej Austrisë, sepse ata donin t`i testonin veturat 24 orë për 365 ditë. Kishin kontratë me Mercedesin, Audi-në dhe BMW. Këtë nuk ua lejonte asnjë shtet i BE-së, andaj e zgjodhën Kosovën, por nuk mund të siguronim leje. Kështu që ata vendosën ta zbatojnë idenë në Poloni”, ka sqaruar ai.

Krenaria më e madhe, familja 

Prindërit ishin gjithmonë kundër që Kenedi te merrte  rrugën e mërgimit, por pasi që ai tashmë kishte vendosur, ata i dhanë bekimin dhe përkrahjen. Sidomos, siç thotë ai, ishte babai i tij që i dha këshilla të cilat më pas e përcollën gjithë jetën. “Këshilla e parë që babai më tha ishte: Për të mbijetuar në dhe të huaj, së pari duhet të mësosh gjuhën e atij vendi dhe të respektosh rregullat dhe ligjet e atij vendi. Ndërsa e dyta ishte: Kudo që shkon dhe jeton, ruaje identitetin tënd, bujarinë dhe sinqeritetin”, kujton Kenedi këshillat e babait për të cilat thotë se kanë qenë udhërrëfyese gjatë gjithë jetës së tij.

Biznesmeni shqiptar nga Grazi po ashtu falënderon edhe vëllain e tij Dedën, të cilën e quan si krah i djathtë në gjithë rrugëtimin e tij biznesor dhe jetësor.

Por, përkundër tri bizneseve, ajo me të cilën krenohet më së shumti Kenedi, janë katër fëmijët e tij dhe bashkëshortja, të cilët e përkrahin dhe e motivojnë çdo ditë.

Vajza e madhe Anita ka përfunduar studimet për biznes ndërkombëtar (IBWL) . Vajza tjetër, Marta, është absolvente e Juridikut kurse vajza e tretë, Martina, studion mjekësinë. Ndërsa djali, Roberti vijon shkollimin në gjimnazin akademik në Graz, thotë Kenedi.

Ne u ndamë me Kenedin duke i uruar shëndet dhe suksese edhe në të ardhmen me bizneset e tij.

Poezi nga Kened Baftiaj

Biznesmeni nga Theranda ka pasion poezinë. Ai sjellë një poezi për lexuesit e albinfo.at, të cilën Baftiaj e ka shkruar më 13 prill të vitit 1991, ditën kur kishte lënë Kosovën.

Një ditë-këtë ditë

Një ditë, ditë e shënuar,

një ditë, ditë e paharruar

Këtë ditë u largova,

familjen përshëndeta.

Këtë ditë u nisa, shkova

e botën e pa fund në sy e mora.

Një ditë,

mora një rrugë të gjatë e të pa kufi

këtë ditë lashë familjen, u largova,

por se për ku, as vet nuk e di.

U nisa e nga mbrapa mbeti një botë e tërë,

mbet familja, prindërit, libri.

Mbetën lojërat e ëndrrat e fëmijërisë,

mbrapa mbet edhe shkopi,

me të cilin bagëtinë ruaja.

Por, më së shumti mu dhimbs,

lapsi me të cilin shkruaja.

Një ditë,

nga njëra botë në tjetrën kalova.

Këtë ditë,

nga i pamëshirshmi, mëshirë kërkova.

E tani jam pjesëtar i dy botërave,

në njërën jetoj, vuaj e punoj,

kurse në tjetrën më djeg malli, digjem,

por vetëm mund ta ëndërroj.

E tëra kjo më ndodhi brenda një dite,

ditë e shënuar.

Jeta ime kështu ndryshoi, brenda një dite,

dite e pa harruar.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI