Skip to content

GATI përgatit shtëpitë e mërgimtarëve në Kosovë para kthimit për pushime

E themeluar nga Silvi Ceka, e cila jeton në Zvicër, GATI ofron shërbime për përgatitjen dhe mirëmbajtjen e shtëpive në Lipjan dhe rrethinë, para ardhjes së familjeve nga diaspora dhe pas kthimit të tyre në vendet në diasporë.

Për shumë mërgimtarë, kthimi në Kosovë nis me pastrimin e shtëpisë, rregullimin e shtretërve, blerjet dhe kujdesin për oborrin. Këto përgatitje marrin një pjesë të kohës së pushimeve ose mbeten përgjegjësi e familjarëve që jetojnë në vendlindje.

Pikërisht nga kjo përvojë ka lindur GATI, një shërbim që u drejtohet familjeve të diasporës me shtëpi apo banesë në Lipjan dhe rrethinë. “Synimi është që prona të jetë e përgatitur para mbërritjes, në mënyrë që familjet të kenë më shumë kohë për të afërmit dhe pushimet.”, thotë Silvi Ceka.

Një ide nga përvoja e jetës në Zvicër

Themeluesja e GATI, Silvie, jeton në Zvicër dhe e njeh nga afër nevojën për t’i organizuar nga larg punët e shtëpisë në Kosovë.

“Jetoj në Zvicër dhe e di sa bukur është të kthehesh në Kosovë kur gjithçka të pret gati”, shprehet ajo për albinfo.ch në prezantimin e shërbimit.

Sipas përshkrimit të kompanisë, shërbimet mund të përfshijnë pastrimin e shtëpisë, përgatitjen e shtretërve me çarçafë të pastër, peshqirët dhe blerjet e para. Me marrëveshje, mund të organizohen edhe kontrolli i ujit dhe i energjisë elektrike, si dhe interneti.

Shërbime sipas nevojave të secilës familje

albinfo.ch: A duhet të kërkojnë familjet përgatitjen e të gjithë shtëpisë apo mund të zgjedhin vetëm shërbime të caktuara?

Silvie: Kjo varet nga nevojat e secilës familje. Dikush dëshiron ta gjejë të gjithë shtëpinë gati, ndërsa dikush ka nevojë vetëm për pastrimin e dritareve dhe të roletave apo për kujdesin ndaj oborrit. Punët i përcaktojmë paraprakisht dhe ofertën e përshtatim sipas pronës dhe shërbimeve të kërkuara.

albinfo.ch: Si organizohen përgatitjet kur familja ndodhet ende jashtë Kosovës?

Silvie: Para nisjes, dakordohemi me familjen për punët që duhet të kryhen, mënyrën e dorëzimit të çelësave dhe çdo nevojë të veçantë të shtëpisë. Sipas marrëveshjes, mund të dërgojmë edhe fotografi ose video, që familja të shohë çfarë është përgatitur para mbërritjes.

albinfo.ch: Po gjatë kohës kur shtëpia qëndron e mbyllur, a ofroni mirëmbajtje?

Silvie: Po, mund të kujdesemi për kopshtin dhe hapësirat e jashtme edhe gjatë vitit. Bashkë me familjen përcaktojmë çfarë punësh nevojiten dhe sa shpesh duhet të kryhen.

Kujdes për shtëpinë edhe pas pushimeve

Përmes këtij organizimi, kompania e Silvie Ceka synon t’ua lehtësojë familjeve punët praktike gjatë qëndrimit në Kosovë, duke zvogëluar edhe angazhimin e të afërmve që zakonisht kujdesen për përgatitjet.

“Për informata dhe ofertë të përshtatur, të interesuarit mund të kontaktojnë GATI përmes mesazhit privat në profilin e kompanisë. Shërbimet ofrohen në Lipjan dhe rrethinë, sipas marrëveshjes”, tregon Silvi Ceka.