Kosova

Te gjitha rrugët na çojnë drejt vendlindjes

Pak rëndësi ka se me çka shkojnë apo nëpër cilën rrugë udhëtojnë, e rëndësishme për mërgimtarët tanë dhe për ne është se: Të gjitha rrugët na çojnë drejt vendlindjes

Pushimet verore tashmë kanë filluar. Për bashkatdhetarët tanë nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare, kjo është stina më e preferuar e vitit. Edhe këtë vit padyshim që destinacioni kryesor për shumicën e mërgimtarëve mbetet udhëtimi drejt vendlindjes. Pavarësisht situatës dhe raporteve më të tensionuara kohëve të fundit në mes të shtetit të Kosovës e Serbisë dhe pavarësisht thirrjeve të shumta që të mos kalohet nëpër Serbi, pavarësisht kilometrave të shumta dhe pritjeve të gjata nëpër kufi me vetura dhe autobus, e po ashtu pavarësisht çmimeve të larta të udhëtimit me aeroplan, mërgimtarët tanë nuk mund t’i ndalë askush që të shkojnë për t`i vizituar shtëpitë, familjet dhe farefisin e tyre. Pak rëndësi ka se me çka shkojnë apo nëpër cilën rrugë udhëtojnë, e rëndësishme për ta dhe për ne është se: Të gjitha rrugët na çojnë drejt vendlindjes.

Diaspora, burim i pashtershëm për ekonominë e Kosovës

Bashkatdhetarët tanë në vendlindje nuk shkojnë vetëm për t’u çmallur me familjet dhe vendin e tyre. Me vete ata dërgojnë edhe kursimet. Rritja e çmimeve  dhe kostos jetësore në vendet ku jetojnë dhe punojnë, ka prekur edhe buxhetin e mërgimtarëve, megjithatë ata vazhdojnë tu dërgojnë para familjarëve të tyre.

Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës, dërgesat e remitencave nga diaspora në Kosovë janë çdo vit në rritje.

Vetëm përmes transaksioneve bankare për muajt janar deri në maj të vitit 2023 kanë arritur 502 milionë euro ose 51.5 milionë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, gjatë vitit 2022 po ashtu vetëm përmes bankave, bashkatdhetarët kanë dërguar 1 miliardë e 222 milion euro, në vitin 2021 shuma ishte 1 miliardë e 153 milionë, kurse në vitin 2020  rreth 1 miliardë euro.

Por, raportet e BQK-së tregojnë vetëm njërën formë të dërgesave të parave nga diaspora.

Shkuarja e bashkatdhetarëve dhe sjellja me vete e parave “kesh” është një tjetër formë e të hyrave të parave në Kosovë dhe shpenzimet e tyre gjatë kohës sa qëndrojnë në vendlindje, përbëjnë një tjetër “infuzion” të madh për buxhetin e shtetit dhe funksionimin e bizneseve të ndryshme. Nëse llogariten këto forma dhe të tjera, të dërgesave të parave në Kosovë nga diaspora, atëherë mendohet se, kontributi i diasporës është afërisht sa buxheti i Kosovës.

Albinfo.at sjell edhe një numër me përplot tema interesante

Teknologjia dhe rritja enorme e mediave online (portale) ka bërë që  shumë media të mbyllin formën tradicionale të gazetarisë. Nëpër kioska në Kosovë më nuk mund të gjeni gazeta apo revista të shtypura. Kjo krizë mediale duket që ngadalë po prek edhe tregun evropian. Ndonëse ende ka gazeta të shumta të shtypura ditore në Austri, ditë më parë, gazeta më e vjetër në botë “Wiener Zeitung” pas 320 vjetësh, për shkaqe financiare, mbylli botimin e shtypur, për të kaluar vetëm në versionin online.

Megjithëkëtë, platforma Albinfo, krahas versionit të përditshëm online, vazhdon të botojë edhe dy revista të ndryshme shtyp/print për Zvicër dhe Austri

Botimi më i ri i revistës albinfo.at edhe këtë herë vjen falë mbështetjes së kompanive të shqiptarëve në Austri dhe Kosovë. Përkrahja e tyre e vazhdueshme ka bërë që të sjellim para jush edhe një numër të ri me përplot materiale interesante që mund t’i lexoni gjatë pushimeve verore.

Përveç temave për turizmin në Kosovë e Shqipëri, vazhdojmë traditën për të sjell portrete interesante të shqiptarëve dhe bizneseve në Austri, pa munguar edhe tema tjera interesante.

E jona është të vazhdojmë t’ju mbajmë të informuar, e juaja është: të na përkrahni dhe ta lexoni!

E për fund, nuk na mbetet tjetër, përveç të ju dëshirojmë lexim dhe pushim të këndshëm!