Integrimi

Gjuha shqipe forcon integrimin

Në kontekstin e diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë, gjuha shqipe ka një rëndësi në mbajtjen dhe kultivimin e identitetit të saj shqiptar, por edhe është faktor me peshë në integrimin harmonik të shqiptarëve në Zvicër

Gjuha shqipe është çimento e identitetit kombëtar shqiptar. Përcaktimi në faktorin gjuhë, që nga rilindësit, reflekton vullnetin e bashkimit në një trup politik e kulturor të personave që flasin gjuhën e Naimit, Migjenit e Asdrenit.

Edhe pse një konstruksion historik, tek shqiptarët, por edhe kombe tjera, ajo është e sublimuar, sepse është nyje identitare, ajo e lidh ndjenjën e përkatësisë ndaj një territori politik apo sfere civilizimi. Pikërisht mbrojtja e gjuhës shqipe, si element kryesor kombëtar shqiptar, ka qenë në qendër të rezistencës ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në vendet e Ballkanit, si dhe ngushtimit të hapësirës së tyre kombëtare shqiptare. Nuk është e rastit përse në të kaluarën e viteve 80 dhe 90, politika e Sllobodan Millosheviqit, por edhe me një veçanti ajo e nacionalizmit shtetëror maqedonas, ka pasur në shënjestër bankat shkollore shqipe si dhe zbehjen e të drejtave nacionale shqiptare. Me një fjalë, për shqiptarët, gjuha dhe flamuri me shqiponjën dykrerëshe ngërthejnë një rëndësi të veçantë në rezistencën e tyre historike.

Në kontekstin e diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë, gjuha shqipe ka një rëndësi në mbajtjen dhe kultivimin e identitetit të saj shqiptar, por edhe është faktor me peshë që kontribuon në integrimin harmonik të bashkëkombësve shqiptarë në Zvicër. Me fjalë tjera, sa më mirë që fëmija apo edhe i rrituri e njeh gjuhën shqipe dhe gëzon leksik të gjerë të gjuhës amtare, më mirë i përvetëson gjuhët e vendit pritës apo ku ai është i lindur. Pra zotërimi i gjuhës shqipe e forcon integrimin.

Prandaj, investimi institucional i shteteve shqiptare, po edhe ai i strukturave shqiptare në diasporë, në favor të vazhdimësisë e transmetimit të gjuhës shqipe në suaza të imigracionit shqiptar duhet të jetë një prioritet, me resurse konkrete dhe jo vetëm fjalë. Përcjellja e gjuhës shqipe duhet të gëzojë nivel pedagogjik dhe përkushtim serioz. Ky investim u kontribuon edhe vendeve të tyre të prejardhjes sepse siguron mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në komunitetin e diasporës, por edhe pajis gjeneratat e dyta dhe të treta me resurse gjuhësore në nivel, gjë që edhe lehtëson shkëmbimet profesionale dhe ekonomike mes diasporës së madhe shqiptare që posedon atu të konsiderueshme dhe vendeve të Ballkanit.

Duhet investim në gjuhën shqipe dhe në promovimin e saj, sepse ajo ndikon në lulëzimin e kulturës shqiptare, të afrimit mes shqipes dhe kulturës zvicerane, si dhe do të ndikojë në ndryshimin e perceptimit të saj në Zvicër dhe vende tjera ku jetojnë shqiptarët. Pse jo, që edhe të rinjtë zviceranë apo të nacionaliteteve të tjera të kenë mundësi ta mësojnë gjuhën e shoqeve apo shokëve të tyre shqiptaro-zviceranë? Njohja dhe promovimi i gjuhës shqipe si pasurim individual dhe kolektiv do të luftojë paragjykimet dhe luftojë diskriminimet. Kjo punë do të ndihmojn po ashtu të lirohemi nga kompleksi i frikës së përdorimit të gjuhës shqipe, krahas gjuhëve zyrtare dhe të tjerave që fliten në Zvicër dhe më gjerë. Gjuha shqipe e pasuron kozmopolitizmin zviceran.