Lajme
Sulmet seksuale në taksi: një fenomen i nënvlerësuar në Zvicër

Një drejtues taksie u dënua të mërkurën nga Gjykata Penale e Lozanës me 24 muaj burg, prej të cilëve 9 me kusht, për sulm seksual dhe shtrëngim. Në nëntor 2023, ai sulmoi një grua që po e çonte në shtëpi natën. Ky rast ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në taksi.
Atë natë nëntori, Lara (emër i ndryshuar) mori një taksi për t’u kthyer në shtëpi pas një vizite në tregun e Krishtlindjeve në Lozanë. Pak metra larg shtëpisë së saj, shoferi devijoi rrugën në një rrugicë të fshehur, uli sediljen e saj dhe e sulmoi.
“Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte, isha në panik. U paralizova. Ai filloi të më prekte dhe të më puthte. U ngjit mbi mua. I thashë: ‘Jo, po shkoj në shtëpi, më lër të iki. Mendova se do të vdisja’”, rrëfeu Lara në RTS, transmeton albinfo.ch.
Ajo arriti të çlirohej dhe të arratisej. Po atë mbrëmje bëri një kallëzim penal. Falë një fotoje të targës që pati arritur të bëjë, autori u identifikua. Pas dy vitesh procedurë, ai u dënua me 24 muaj burg (9 me kusht) dhe u urdhërua të paguante 8,000 franga dëmshpërblim moral. Licenca e tij u hoq.
Megjithëse dënimi e ka qetësuar disi Larën, trauma mbetet. “Nuk marr më kurrë taksi. Nuk dal më natën. Kam sulme paniku, më duket sikur nuk marr frymë. Djersitem dhe mendoj se do të fikem. Kam shumë frikë, sidomos kur ka grupe burrash përreth. Edhe ditën më kap frika,” rrëfen ajo.
Raste të përsëritura
Për të kuptuar nëse ky rast është i izoluar apo pjesë e një fenomeni më të përhapur, zyra e RTS në kantonin Vaud analizoi disa raste të bujshme në Zvicrën frëngjishtfolëse.
Megjithëse policia e Lozanës ka marrë pak kallëzime vitet e fundit, avokatja e viktimës, Sarah Meyer, tha të enjten për La Matinale se shumë raste nuk raportohen. “Shumë viktima nuk guxojnë të kallëzojnë, qoftë sepse nuk e dinë kush ishte sulmuesi, apo sepse nënvlerësojnë atë që ndodhi,” tha ajo.
Meyer thekson se nëse do të pyeteshin gratë në përgjithësi, shumë prej tyre do të rrëfenin përvoja të pakëndshme me taksi.
Dëshmitë e mbledhura nga RTS në qendër të Lozanës një mbrëmje të së shtunës e konfirmojnë këtë tendencë. Nga dhjetëra gra të pyetura, gjysma thanë se kishin pasur përvoja negative ose të sikletshme. Njëra prej tyre tregoi se shoferi i dërgonte mesazhe sa herë ndodhej pranë shtëpisë së saj, duke përdorur fjalë si “zemër” dhe duke i kërkuar të dilte.
Përgjegjësia e kompanive të taksive
Megjithëse disa viktima mendojnë të raportojnë sjelljet e papërshtatshme tek kompanitë, kjo shpesh nuk mjafton, sipas Sarah Meyer. Vetëm kallëzimi penal mund të trembë agresorin.
Kompania më e madhe në Vaud, Taxi Service Lausanne, me të cilën punonte edhe Lara, shpjegon se shpërndan porosi vetëm për shoferë të pavarur dhe nuk ka të drejtë t’i ndëshkojë ata. Megjithatë, ajo deklaron se gjurmon çdo automjet me GPS kur është e nevojshme.
Uber, nga ana tjetër, ofron masa shtesë sigurie. Shoferët janë më të identifikueshëm dhe ndjeken përmes aplikacionit, i cili përfshin një buton emergjence për raste sulmi.
Në Zvicër, shoferët e taksive rrallë detyrohen të ekspozojnë qartë identifikimin e tyre. Deri më tani, vetëm komunat Delémont dhe La Chaux-de-Fonds e kanë bërë këtë praktikë të detyrueshme.
Masat për mbrojtjen personale
Për klientët që ndihen të pasigurt, këshillohet të aktivizojnë vendndodhjen (GPS) dhe të qëndrojnë në kontakt me familjarët gjatë udhëtimit.
Në rast sulmi, mund të kontaktohet ndihma juridike falas dhe të bëhet kallëzim pa pagesë, për shembull, në zyrat e Qendrës Sociale Protestante (CSP).
E-Diaspora
-
Si shqiptarja Mira Murati po e ndryshon njerëzimin përmes një Inteligjence Artificiale “etike” Shpërthimi i OpenAI si një ndër kompanitë e të ardhmes dhe shumë shpejt një prej më...
-
Presidentja Osmani dhe presidentja Keller-Sutter vizituan fabrikën Stadler
-
Shqipe Sylejmani bashkë me Xherdan Shaqirin pritën presidenten Osmani
-
Kur historia dhe identiteti takohen në një shesh
-
Presidentja Osmani: Dolli për miqësinë mes popujve tanë dhe për të ardhmen e partneritetit
Jeta në Austri
-
Italia konfirmon lidhjet hekurudhore të shpejtësisë së lartë me Gjermaninë dhe Austrinë “deri në vitin 2026” Italia po ecën përpara me planet për lidhje të reja të shpejtësisë së lartë me Gjermaninë...
-
97% e austriakëve blejnë online, kanë shpenzuar 30 miliardë euro në 2024-ën
-
Graz: Shoqata “Atdheu” edhe këtë vit do të organizojë Ditën Kulturore Shqiptare
-
Gjithçka që duhet të dini për kontrollet mjekësore falas në Vjenë
-
Komisioni Evropian propozon thjeshtimin e procedurave për deportimin e azilkërkuesve në vendet e treta