Shqipëria

Shqipëria renditet e para në botë për sigurinë kibernetike, Rama: Sukses historik

Shqipëria renditet e para në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë, sipas të dhënave të publikuara në këtë indeks.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi arritjen si një sukses historik, duke theksuar transformimin e kapaciteteve të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike pas sulmit të rëndë ndaj infrastrukturës digjitale të vendit në vitin 2022.

“Nga një sulm brutal, te vendi i parë në botë”, shkroi Rama në reagimin e tij, duke vënë në dukje se Shqipëria ka kaluar nga një situatë e dobët e mbrojtjes kibernetike në një pozicion udhëheqës në nivel global.

Sipas kryeministrit, sulmi kibernetik i 15 korrikut 2022, i atribuar nga autoritetet shqiptare regjimit të Teheranit, shërbeu si pikënisje për një transformim të thellë të arkitekturës së mbrojtjes kibernetike të vendit.

“Ai sulm mund të na kishte kthyer mbrapa në epokën e sporteleve dhe radhëve të pafundme, duke na hedhur në lumë qindra miliona euro të investuara ndër vite në Shqipërinë Digjitale, sepse mbrojtja jonë kibernetike ishte ende e dobët. Por edhe falë partnerëve tanë, rezistuam dhe nuk na gjunjëzuan”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se pas sulmit u ndërmorën hapa për krijimin e një sistemi të ri mbrojtjeje, me synim forcimin e infrastrukturës publike dhe rritjen e kapaciteteve profesionale e institucionale.

“Përkundrazi, ai sulm u bë pikënisja e një kthese epokale”, shkroi kryeministri.

Rama bëri gjithashtu një përmbledhje të progresit të Shqipërisë në renditjen ndërkombëtare. Sipas tij, pas sulmit të vitit 2022, Shqipëria u rendit në vendin e 54-t në vitin 2023, ndërsa në vitin 2025 u ngjit në vendin e 15-të.

“Sot jemi në majën e klasifikimit botëror për zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se ky rezultat nuk është një “kërcim magjik” në renditje, por rezultat i investimeve dhe punës për krijimin e kapaciteteve teknologjike, institucionale dhe profesionale.

Sipas tij, Shqipëria ka ndërtuar një sistem që synon të mos presë goditjen për të reaguar, por të punojë në mënyrë të vazhdueshme për parandalimin e sulmeve kibernetike. Rama përmendi gjithashtu përdorimin e Inteligjencës Artificiale në arkitekturën e mbrojtjes kibernetike.

Ai vlerësoi edhe rolin e partneriteteve ndërkombëtare, duke veçuar bashkëpunimin me partnerët izraelitë në zhvillimin e arkitekturës së re të mbrojtjes.

“Regjimi i Teheranit deshi të na tregonte sa të dobët ishim. Në fakt, na detyroi të bëhemi fuqia që jemi sot në mbrojtjen e Shqipërisë Digjitale”, u shpreh Rama.

Sipas tij, nga të qenit objektiv i një prej sulmeve më të rënda kibernetike ndaj një vendi anëtar të NATO-s, Shqipëria tashmë është në mesin e vendeve kryesuese në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike.

“Si gjithnjë, përgjigjja më e mirë ndaj atij që kërkon të të gjunjëzojë është thjesht të ngrihesh më lart se ç’ke qenë ndonjëherë”, përfundoi kryeministri.

Rama theksoi se puna në këtë fushë do të vijojë, duke argumentuar se në një botë ku teknologjia zhvillohet me ritme të shpejta, pozicioni i sotëm nuk garanton të njëjtin rezultat nesër. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për zgjerimin e mbrojtjes kibernetike edhe në sektorin privat.