Kosova

Rama: Burimet e ujit brenda Kosovës nuk janë të Serbisë

Rama i përgjigjet Gjuriqit: “Kosova nuk është territor i Serbisë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, pas përplasjes së fundit mes Tiranës dhe Beogradit lidhur me lumin Ibër, përcjell albinfo.ch.

Rama ka theksuar se Kosova është shtet më vete dhe se qytetarët e saj kanë të drejtë të përcaktojnë të ardhmen e tyre.

“Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në krah të kësaj të drejte”, ka deklaruar Rama.

Ai ka qenë i drejtpërdrejtë edhe sa i përket pretendimeve të Serbisë për Kosovën, duke thënë se Beogradi “e humbi Kosovën”.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e ka humbur mund ta shndërrojë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por, për fat të keq, hartat janë më pak të përshtatshme për këtë”, ka shkruar ai.

Rama ka theksuar se territori i Kosovës nuk mund të konsiderohet territor i Serbisë dhe se burimet natyrore që ndodhen në Kosovë nuk janë burime të Republikës së Serbisë.

Në lidhje me lumin Ibër, kryeministri shqiptar ka argumentuar se bëhet fjalë për një sistem ujor ndërkufitar dhe se çdo ndërhyrje duhet të marrë parasysh pasojat që mund të ketë përtej kufirit.

“Lumenjtë kanë vesin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo deklaratat diplomatike”, ka ironizuar Rama.

Ai ka folur edhe për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, duke theksuar se siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e fetare duhet të mbrohen.

Rama ka kundërshtuar gjithashtu akuzat e Beogradit për “ekspansionizëm etnik” nga Shqipëria, duke theksuar se Tirana mbështet respektimin e kufijve ekzistues dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Ekziston një parakusht i vogël përpara se kufijtë të bëhen më pak të rëndësishëm: pranimi i kufijve që tashmë ekzistojnë”, ka shkruar ai.

Në fund, Rama ka mohuar çdo projekt të fshehtë territorial nga Shqipëria, duke thënë se “asnjë ‘Shqipëri e Madhe’ apo asgjë tjetër ‘e Madhe’ nuk është e nevojshme”.

Përplasja mes Tiranës dhe Beogradit është nxitur nga debati për lumin Ibër, ku Gjuriq ka insistuar në të drejtën e Serbisë për të menaxhuar burimet që i konsideron të sajat, ndërsa pala shqiptare argumenton se çdo ndërhyrje në një sistem ujor ndërkufitar duhet të marrë parasysh pasojat përtej kufirit./Albinfo.ch