Bota

Shpikësit e vaksinës së “BioNTech” parashikojnë fundin e kufizimeve

Shpikësit e vaksinës “Biontech”/”Pfizer”, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin, presin që masat e kufizimit në Gjermani, për shkak të pandemisë së COVID-19, të përfundojnë deri në vjeshtë.

“Në shumë vende në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fund të verës ndoshta do të jemi në situatën që të mos na duhet të futemi më në mbyllje të jetës publike”, ka thënë Sahin, duke folur bashkë me bashkëshorten shkencëtare për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.

Sipas tij, do të duhet të paktën një vit para se situata të vihet tërësisht nën kontroll në gjithë botën. “Sigurisht që do të vazhdojë të ketë shpërthime lokale, kjo do të na shoqërojë”, ka theksuar ai. “Do të ketë mutacione. Por, ka shumë pak gjasa që këto të përhapin ndonjë tmerr”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, ka specifikuar se më pas duhet të përshtaten edhe vaksinat e prodhuara.

“Po përgatitemi për këtë qysh sot”, ka bërë të ditur ai.

Sahin beson se virusi nuk do të zhduket. Porse, sapo të vaksinohen rreth 70 për qind e njerëzve në Gjermani, situata mbase do të bëhet më e menaxhueshme.

“Duhet të shohim nëse kemi nevojë për vaksinim çdo vit apo çdo pesë vjet”, ka thënë Sahin.

Kur u pyet nëse dikur do të ketë vetëvaksinime, studiuesi ka thënë se nuk duhet të jetë e nevojshme. Me përfshirjen e mjekëve të familjes dhe stafit mjekësor, vaksinimi i 80 milionë njerëzve një herë në vit nuk do të jetë problem. Vaksinimi nga personeli mjekësor shërben gjithashtu për të monitoruar një reaksion të mundshëm alergjik, i cili – megjithëse rrallë – mund të ndodhë.

Së bashku me bashkëshorten e tij, Sahini ka themeluar kompaninë “BioNTech” me bazë në Mainz. Vaksina kundër koronavirusit e këtij institucioni dhe partnerit të saj amerikan “Pfizer” ishte e para që e mori miratimin për përdorim të Bashkimit Evropian më 21 dhjetor të vitit të shkuar.