Kosova

Rama: Shqipëria, e gatshme për BE

"Kosova ka plotësuar gjitha kriteret për liberalizim të vizave"

Sot, kryeminisri i Shqipërisë, Edi Rama, në një shkrim në faqen “Politico.eu”, ka thënë se Shqipëria është e gatshme për BE, përkundër vonesave të shumta. Ai ka qenë kritik ndaj BE-së, duke thënë se po turpërohet, ndërsa ka cekur edhe faktin se qytetarët e Kosovës ende nuk kanë liberalizim të vizave, ndonëse kanë plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme.

Ai është shprehur se qysh 18 vjet më parë në Samitin BE-Ballkan Perëndimor në Selanik u tha se e ardhmja e Ballkanit është në BE. Ai thotë se BE-ja këtë e përsërit në çdo samit që atëherë, por ka pak lëvizje.

Po ashtu, Rama ka thënë se nuk po presin thjesht BE-në. Po bëhen gati për të dhe për krijimin e mundësive për njerëzit e vet.

“Besoj se shqiptarët janë në mesin e komuniteteve më pro-BE në Evropë. Kur ra komunizmi dhe ishim të lirë për të zgjedhur, ne zgjodhëm Brukselin. Që nga atëherë, ne kemi bërë çdo gjë që na është kërkuar në aplikimin tonë për anëtarësim. BE-ja mund të mos jetë në gjendje të përmbushë premtimet e veta, por Shqipëria është ende e përkushtuar ndaj idealeve evropiane dhe ne do t’u qëndrojmë besnikë atyre, edhe pasi vetë anëtarët e saj i kanë braktisur ato”, ka shkruar Rama. “Gjeneratat tona të ardhshme duhet të shijojnë shpërblimet e anëtarësimit, por jemi peng të ndarjeve të njëjta historike të forcave për të cilat i krijua BE-ja që t’i eliminojë. BE-ja duhet ta kuptojë se po e humb fytyrën me mbrojtësit e saj më të vendosur, ndërsa përparimi ynë drejt anëtarësimit po bllokohet nga një veto e vetme e çuditshme – Bullgaria. E njëjta pasiguri vlen edhe për Maqedoninë Veriore, që ka shkuar aq larg sa ka ndryshuar emrin – dhe po ashtu për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët tash janë më pak të lirë të udhëtojnë sesa që ishin më parë, edhe pse kanë përmbushur të gjitha kriteret e BE-së”.

Rama ka thënë se mund të merren hapa konkretë dhe se BE-ja mund të krijojë mekanizma bashkëpunimi që vendosin në mënyrë efikase disa nga përfitimet e dyanshme të mekanizimit, pa e ngritur indinjatën e atyre që kundërshtojnë anëtarësimin.

Rama ka shkruar edhe për Ballkanin e Hapur.

“Nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të vijë në BE, atëherë ndoshta BE-ja mund të vijë te Ballkani Perëndimor”, ka shkuar Rama. “Përfundimisht, BE-ja mund të marrë hapa konkretë, që të implementohen katër liritë themelore të BE-së: lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve – në tri shtetet tona Shqipëri, Maqedoni të Veriut e Serbi. Është një gjë që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta bëjmë nëse duam t’i bashkohemi tregut të përbashkët, dhe Banka Botërore ka thënë se duke e bërë këtë rritet 10 për qind GDP-ja e shteteve tona. Të tria e quajtëm këtë Iniciativa Ballkani i Hapur, dhe është diçka që kemi filluar tashmë duke zotëruar frymën dhe parimet e Procesit të Berlinit. Shpresojmë të fillojnë lëvizjet e lira të mallrave në janar të vitit 2022 dhe të hapim kufijtë tanë deri në janar të vitit 2023. Ballkani i Hapur është i hapur për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që të bashkohen. Kjo ide shkon përpara në agjendën tonë që është përsëritur që nga Selaniku dhe që formon forma të prekshme të Procesit të Berlinit, të shpallura në vitin 2014”.

Rama ka thënë se vazhdojnë të mbështesin si procesin e Selanikut, ashtu edhe atë të Berlinit, por se nuk duan vetëm të presin, por duan të jenë gati, të bëjnë reforma dhe qytetarët të përfitojnë. Ai ka kërkuar përkrahje për iniciativën.

“Mbështetja për këtë nismë do të tregonte se BE-ja është serioze për vetë Procesin e Berlinit dhe ne do të mirëprisnim ndihmën. Shpresojmë që BE-ja dhe miqtë tanë në Londër e Washington do të na bashkohen dhe do të inkurajojnë në rajon që po ashtu të ecet para. Kështu ndërtojmë mbështetjen këtu dhe tregojmë se jemi të gatshëm të jemi më afër Evropës. Si shtete të Ballkanit Perëndimor, ne duhet të shikojmë të ardhmen tonë, jo një të ardhme që kurrë mund të mos realizohet, por një gjë që mund ta kontrollojmë”, ka shkruar Rama.