Të tjera

Vijon udhëtimi nëpër Greqi: Korinth, Arta, Preveza, Parga, Igumenica…

Që në nisje të këtij shkrimi e kuptova: edhe me strukturat më të mundshme të artikuluara nuk do të mund të shprehja atë që kisha përjetuar gjatë këtij udhëtimi...

Nga Athina, në një mëngjes plot diell, u nisëm drejt Patras, për t’u ndalur në Korinth, për ta parë atë vepër të punës njerëzore: kanalin e Korinthit, i cili teknikisht e bën Peloponezin një ishull. Një arritje e rëndësishme kjo për kohën e ndërtimit (1880-1893), por aktualisht ka pak rëndësi ekonomike dhe pretendon të jetë kryesisht një atraksion turistik, por, për mendimi tim, larg pritjeve të secilit vizitor.

Κανάλι Κορίνθου (Ισθμός)

Pa ndonjë emocion të veçantë, u nisa autostradës së Peloponezit dhe para qytetit të Patras u ktheva në të majtë, para se të hyhet në urën e Rios, një urë ikonike dhe shumë e veçantë, për ta vizituar kalanë buzë detit. Madhështia e urës sikur ia përhumbte rëndësinë asaj kalaje, së cilës vetëm muret i kishin mbetur mbi ujë.

Ura e Patras në Greqi: Njihuni me pagesën e çmendur për të kaluar mbi të - Politika

Rruga drejt Arta-s, qytetit të parë të kohës ilire në Greqinë e mesme, ishte lehtë e kalueshme. Shumë më kishte bërë përshtypje emri Arta. Dhe vetë qyteti! Prandaj e kisha ndarë mendjen ta vizitoja gjithsesi. Nga burimet e shkruara për këtë qytet gjejmë: “Arta është një vendbanim iliro-epirot, pranë gjirit të Ambrakisë në Greqi. Si vendbanim në burimet e lashtësisë del me emrin e saj autentik Arachthos (Άραχθος). Siç dihet, emërtimi i vendbanimeve sipas emrit të lumit mbi të cilin, ose pranë të cilit, ato shtrihen është karakteristik për emërtimin e vëndbanimeve ilire”.

Posa e lëshuam autoudhën, iu afruam qytetit nga ana veriore, ku në anën e majtë të rrugës u ndeshëm me muret e Kalasë së Artas. Një kala tipike ilire, relativisht e ruajtur mirë, me një staf në hyrje që me mirësjellje na tregoi se vizitat janë të mundshme dhe, bile, një pjesë e asaj arkitekture të kalasë ka ngjashmëri me Akropolin. Kështu që vetëm sa na u shtua kureshtja të hynim brenda saj për ta parë atë “ngjashmëri”. Mure të larta, kthina të shumëfishta, interesante, por, them, jo të modelit Akropolis! Sidoqoftë, ia vlejti që i vizituam. Po vetë qyteti sikur po dremiste, pak kalimtarë dhe po mbretëronte një heshtje që vështirë ta paramendoje dhe ta kuptoje.

Në anën tjetër të qytetit kisha piketuar ta vizitoja edhe urën e lashtë, pranë së cilës e ndalëm makinën dhe po e vështroja me shumë interes. Urë me shumë harqe, e kohës së Perandorisë Osmane, çuditërisht e ruajtur shumë mirë! E bukur për syrin e vizitorit, sidomos ta vështroje nga hija e një rrapi të madh buzë lumit në anën jugore të saj…

Bridge of Arta - Wikipedia

Preveza ishte caku i radhës: një rrugë vende-vende jo shumë e mirëmbajtur, na çoi drejt e në qytet. Tash po vërehej një gjallëri tjetër: kudo lëvizje njerëzish, dyqane të hapura dhe rrugë plot qarkullim. Vijova deri në rrethin e fundit pranë detit, për ta vizituar bregdetin deri te porti. U ulëm në një restorant buzë detit, në një platformë kafeneje me një pamje të mirë, me portin në të majtë, me shumë anije në lëvizje dhe detin e qetë në horizont, një ndjenjë që më zhyti në një përjetim unik! Krejt rastësisht m’u rikujtuan vargjet e s’di kujt:

“Mbushem me frymë, sikur fluturoj,

                                          Një kafe gjetiu, nuk është kurrë – njësoj”.

E unë po pija kafenë me shumë qetësi dhe po ndihesha mirë, mbase jo krejt “njësoj”, ama i lumtur që po vështroja ujërat e detit Jon nga brigjet e Prevezës! Aq më shumë kur historia më thoshte se ky vend ka qenë i banuar me shqiptarë, e sot! Kurrsesi të mund ta kuptoja me nivelin e dinjitetit intelektual një fakt të tillë…tregohesha i paaftë të kapja kuptimin e ekzistencës sonë… Por, pse t’i shtroja vetes pyetje, të cilave nuk mund t’u jepja përgjigje! E… s’kishte si të të mos kujtoheshin vargjet e Pashko Vasës:

“Qysh prej Tivarit deri në Prevezë,

                                        Gjithkund lëshon dielli vapë edhe rrezë,

                                        Asht tokë e jona, prind na e kanë lanë…

                                        Kush të mos na e preku se vdesim të tanë…”

 

Një humnerë kruspëndjellëse po më sillej gjithandej, sado që po mundohesha ta mospërfillja. Ecja rrugëve të atij qyteti dhe po vështroja me kujdes mbishkrimet e dyqaneve, firmave dhe të institucioneve të ndryshme, asnjë mbishkrim shqip, asnjë fjalë shqipe ta dëgjoje nga dikush, asnjë gjurmë shqipe të vëreje kudo qoftë! Së paku, për aq sa unë po shihja. Atë që thellë brenda vetes po e ndieja, kurrë të mund ta shprehja në përmasat reale dhe t’ua bëja të ditur të tjerëve! Nëse është fare e rëndësishme kjo!

Preveza

Nga njëra anë, i hutuar, i përhumbur dhe i dëshpëruar, nga ana tjetër i përmbushur me ndjesinë që e “shkela” këtë tokë, që e vizitova dhe e pashë nga afër këtë vend të mrekullueshëm, vijova rrugën drejt Pargas, e cila ishte pikëndalesa e radhës. Një qytet i vogël, por i bukur, me kalanë në anën e djathtë, sipas burimeve të shkruara thuhet të jetë e kohës venedikase, me pamje magjepsëse të bregdetit Jon. Një vijë e përthyer bregdetare, platformë shëtitore buzë ujit dhe disa ishuj të afërt me pamje panoramike të krijonin përjetime të veçanta, duke e bërë një destinacion shumë popullor turistik. Shikuar me një vëmendje të sipërfaqshme, të dilte thjesht një qytet që ia vlen të vizitohet, të njihet dhe të shijohet në çdo stinë.

Parga Travel Guide | Parga Tourism - KAYAK

Vijuam një rrugë të lodhshme drejt Igumenicës, deri në pjesën e rrafshët bregdetare, për t’iu afruar qytetit që përveç portit funksional, nuk ofronte shumë përjetime. Nuk u ndala gjatë dhe vijova rrugën drejt pikës kufitare me Shqipërinë, në Qafë Botë, për t’i kaluar procedurat pa asnjë telash, për të vijuar drejt Sarandës, ku u ndala për pushimin e radhës, duke bërë përpjekje që të mos reflektoja tutje për historinë, por për tashmësinë…

Igoumenitsa

 

Muhamet Reçica