Integrimi

Psikiatri Afrim Emini: Pandemia dëmton rëndë edhe shëndetin mental  

Intervistë me mjekun psikiatër Dr. Afrim Emini, i sapo ardhur nga Gjermania në Zvicër, i cili ka hapur një ordinancë në St. Gallen  

Pandemia e Covid 19 po ushtron ndikim në tërë botën, si në anën ekonomike, financiare, fizike dhe psikike. Psikiatri me përvojë Afrim Emini në një intervistë për albinfo.ch, ka treguar për pasojat e pandemisë në shëndetin mental. Emini ka përvojë të madhe në Gjermani, kurse së fundi është zhvendosur në St. Gallen. Ai ka folur edhe për rritjen e numrit të psikiatërve shqiptarë, por edhe qasjen e shqiptarëve lidhur me trajtimin psikoterapeutik psikiatrik, apo edhe psikologjik.  

Albinfo.ch: Në Zvicër, viteve të fundit kemi një rritje të numrit të psikiatërve shqiptarë, tashmë jo vetëm të punësuar në klinika por edhe me ordinanca private. Çfarë mendoni se e ka mundësuar këtë rritje apo është thjesht, rrjedhojë logjike e rritjes së komunitetit tonë këtu?  

Dr. Afrim Emini: Specializimi në lëmin e psikiatrisë në kontekst formal nuk dallon nga fushat e tjera të mjekësisë. Por specializimi në gjuhë të huaj është pakrahasimisht më i vështirë se specializimet tjera. Mendoj që kjo është arsyeja që specialistët psikiatër janë dukshëm më të pakët në numër se sa profilet tjera. Të paktën kështu është në Gjermani. Edhe  integrimi profesional  në vend të huaj është më i vështirë në krahasim me profilet kirurgjike, internistike e të ngjashme. Unë nuk jam në dijeni për dikëme këtë profil (Psikiatri apo Psikologji)  që do të ketë marrë guximin të vijë në Evropë apo kontinent tjetër pa njohuri të mirëfillta gjuhësore të vendit përkatës. Gjuhën e shpirtit nuk e karakterizon universaliteti, ajo ngërthen në vete një mori specifikash që e karakterizojnë njeriun e një kulture të caktuar. Ky aspekt merr tani një dimension të veçantë përballë faktit që  edhe gjenerata e parë Diasporës Shqiptare  në përditshmëri është e konfrontuar me kulturën e vendit ku jetojnë. Këtu pastaj fillon lufta jo vetëm për (mbi)jetesë, për integrim por edhe ruajtjen e identitetit kombëtar, religjioz, social etj. Shqetësimet brenda familjes pastaj vijnë e shtohen kur fëmijët fillojnë të rriten (gjenerata e dytë e migrantëve) dhe fillojnë të kërkojnë identitetin e tyre. Këtu shfaqen tani krizat tek prindërit dhe tek fëmijët. Nga përvoja ime mendoj që vajzat janë në pozitë më delikate, ndërsa djemtë, me kalimin e kohës vërejnë manipulimin e bërë, që në të shumtën e rasteve është veprim ndërdijësor (jo me qëllim) nga prindërit. Intervenim psikoterapeutik me kohë mundëson maturim më të shëndoshë të fëmijëve dhe prindërve, ju kursen shumë pakënaqësi dhe brenga. Mbase studimet psikosociologjike do të ndriçojnë këtë aspekt në mënyrë shkencore edhe në dimensionin kuantitativ. 

Keystone

Albinfo.ch: Çfarë mund të na thoni për qasjen e shqiptarëve (edhe në Zvicër) lidhur me trajtimin psikiatrik ose edhe psikologjik. A kanë ngurrim ata të drejtohen te psikiatri?  

Dr. Afrim Emini: Kjo pyetje imponon një shtjellim të veçantë. Diaspora Shqiptare – cilësohet nga heterogjeniteti, të paktën në kontekst arsimor, religjioz dhe topografik. Që të tri këto kategori e kanë një strumbullar të përbashkët. Ne ishim popull i pushtuar dhe i privuar nga shkollimi i mirëfilltë. Lojaliteti dhe konformizmi ishin kushte për përparim profesional. Shqiptarët kanë qenë të shtrënguar që për të siguruar mbijetesën të largohen për në Evropë e më larg. Se ku ishte trysnia më e madhe e pushtuesit sllav, mund të kuptoni më së miri nëse analizoni kontekstin topografik. Shqiptarët (tanimë të moshuar) nga trevat shqiptare të pushtuara nga sllavo-maqedonasit duhet të jenë më të shumtit në numër. Por, edhe brenda Kosovës ka ndryshime të mëdha topografike. Për shqiptarët nga Lugina e Preshevës edhe sot nuk ka ndryshuar asgjë. Vështruar nga ky kënd, do të gjejmë edhe arsyen e njohurive të pakta që kemi të gjithë ne shqiptaret jashtë londinez për domosdoshmërinë e ruajtjes së shëndetit në përgjithësi, e këtu bën pjesë edhe shëndeti mental. “Mens sana in corpore sana” (Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë), ky është proverb i vjetër latin që sot në kohën e pandemisë ka peshë të veçantë.  

Edukimi shëndetësor është obligim shtetëror dhe kombëtar, prandaj mosedukimi shëndetësor ka qenë armë efikase e pushtuesve jugosllavë.  

Derisa keni një të sëmurë në shtëpi, jo domosdoshmërisht të sëmurë psikik, i gjithë stabiliteti i familjes është i çekuilibruar. Kjo dhe ishte arsyeja që trevat shqiptare nuk ishin të mbuluara me shërbim shëndetësor adekuat. Kulmi i saj ishte në vitin 1990 kur u mbyll Fakulteti i Mjekësisë dhe u paralizua sistemi shëndetësor në Kosovë. Eksperimente të tilla ishin dëshmuar shumë efikase në Maqedoni dhe Mal të Zi shumë vite më herët.  

Mendoj që rëndësia e stabilitetit psikik është margjinalizuar jo rastësisht. Stigmatizimi i të sëmurëve psikikë në shoqërinë tonë ka qenë (dhe është mjerisht akoma) shumë i shprehur, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe tërthorazi përmes privimit të mundësive mjekuese.  

Ndonëse qytetari ynë akoma ngurron shumë për të kërkuar ndihmë për të stabilizuar shëndetin mental, kam përshtypjen që ecuria është pozitive. E kur ekziston mundësia që për shqetësimet shpirtërore të flisni në gjuhën shqipe, kjo e bën dukshëm më të lehtë kërkesën për ndihmë. Të paktën përvoja ime mbi 20 vjeçare në Gjermani më lejon një konstatim të tillë. Nuk besoj të jetë ndryshe në Zvicër. Përshtypjet e mia tani në St. Gallen në ordinancën time nuk dallojnë nga përvoja ime e mëhershme. Të thuash në gjermanisht: “Më ka prekur në loçkë të zemrës” e pandeh shumë të vështirë. Por, edhe nëse merrni mbesën për të përkthyer, për doktoreshën jo shqipfolëse do të jetë shumë vështirë të kuptohet. Pra, jo vetëm konteksti gjuhësor, por edhe ai kulturor kanë rëndësi të veçantë në trajtimin e shqetësimeve shpirtërore.    

Tek çrregullimet e ritmit të zemrës apo këmba e thyer, pengesat gjuhësore janë sekondare.  

Keystone

Albinfo.ch: Cilat janë problemet më të shpeshta dhe më tipike për të cilat ju drejtohen pacientët shqiptarë këtu?  

Dr. Afrim Emini: Unë kam ardhur në Zvicër para disa muajsh dhe ndoshta lidhur me këtë pyetje do të ju them më shumë pas një viti apo më vonë. Por, mendoj që ka rëndësi edhe informimi i qytetarëve tanë, se për shembull edhe çrregullimi i gjumit si rezultat i problemeve në punë, mospajtueshmëria në partneritet, diskrepanca në mes gjeneratave (prindërit me fëmijët), vështirësitë adaptuese tek të ardhurit në Zvicër (martesat, puna etj.) janë probleme që mund të kalohen më lehtë përmes ndihmës profesionale.   

Sa u përket vendësve, pra qytetarëve zviceranë, kam përshtypjen që arsyet pse kërkohet ndihma profesionale janë në të shumtën e rasteve, shqetësimet shpirtërore si rezultat i problemeve në vendin e punës dhe ato në partneritet.   

Albinfo.ch: Pandemia e Covid-19 është bërë tashmë mbi një vit temë kryesore që po na ndjek në çdo fushë të jetës. Krahas rrezikut që ajo paraqet për shëndetin fizik, kjo pandemi po dëmton seriozisht edhe shëndetin mental të njerëzve. Cilat janë përvojat tuaja në këtë drejtim?  

Dr. Afrim Emini: Mendoj që është tematikë që në mediat në gjuhën shqipe nuk është trajtuar sa e si duhet. Gjenerata e dytë e Diasporës është e informuar më mirë. Pasojat për shëndetin mental janë në shfaqje e sipër, por do të vijnë duke u shtuar. Grupet më të rrezikuara janë moshat e shtyra për shkak të rrezikut për jetë nga Corona, por edhe nga izolimi, respektivisht vetmia e imponuar. Kurse grupi tjetër janë personat më të ndjeshëm me intencë për të reaguar me frikë nga e panjohura që mund të jetë e rrezikshme dhe i tillë është SARS Cov 19. Të dy këto grupe përfitojnë nga trajtimi profesional. Gratë dhe vajzat e reja duket se janë më të arsyeshme dhe paraqiten pa hezitim për ndihmë. Kurse për moshat e shtyra përgjegjësia bie më shumë tek familjarët e integruar. Për këtë grupmoshë mund të organizohen edhe vizita në shtëpi.   

 

Rëndësia e gjuhës dhe kulturës në psikiatri 

Të thuash në gjermanisht: “Më ka prekur në loçkë të zemrës” e pandeh shumë të vështirë. Por, edhe nëse merrni mbesën për të përkthyer, për doktoreshën jo shqipfolëse do të jetë shumë vështirë të kuptohet. Pra, jo vetëm konteksti gjuhësor, por edhe ai kulturor kanë rëndësi të veçantë në trajtimin e shqetësimeve shpirtërore.    

 

Këto janë grupet më të rrezikuara nga korona  

Pasojat për shëndetin mental janë në shfaqje e sipër, por do të vijnë duke u shtuar. Grupet më të rrezikuara janë moshat e shtyra për shkak të rrezikut për jetë nga Corona, por edhe nga izolimi, respektivisht vetmia e imponuar. Kurse grupi tjetër janë personat më të ndjeshëm me intencë për të reaguar me frikë nga e panjohura që mund të jetë e rrezikshme dhe i tillë është SARS Cov 19 

 

Kush është Afrim Emini  

Afrim Emini është i lindur më 1964 në afërsi të Prishtinës (fshati Milloshevë). Gjimnazin e ka përfunduar në Prishtinë dhe studimet në Fakultetin e Mjekësisë, po ashtu në Prishtinë. Në vitin 1993 ka emigruar në Gjermani.   

« Me përfundinim e luftës i përkushtohem vetëm profesionit të mjekut. Specializimin për psikiatri dhe psikoterapi e përfundova në Bavari. Gjate 11 viteve të fundit kam punuar kryemjek dhe krahas punës së rregullt edhe psikiatër konsiliar në dy klinika të tjera somatike në afersi. Në nëntor të vitit të kaluar kam ardhur në Zofingen (Kanton Aargau) dhe deri në fund të marsit kam udhehequr njerën nga ordinancat e PDAG-së.   

Me preferencën e doktoreshës Leonora Zajmi (Wil), kam filluar të punojë në St.Gallen (Mövenstrasse 12). Aty kam huazuar një pjesë të ordinances për gjysmë jave dhe nga 21 qershori do të jem në ordinancen time në Vadianstrasse 41, po ashtu në St. Gallen“, është shprehur Afrim Emini.  

Dr.med.Afrim Emini  

FMH / Psychiatrie und Psychotherapie  

Mövenstrasse 12  

Tel.:071 331 31 33  

Natel: 076 723 88 11  

E_Mail: [email protected]  

 

 * Intervista është realizuar gjatë muajit prill, për numrin aktual të magazinës albinfo.ch