Shqipëria

NZZ: “A ishte Rama gjithmonë vetëm një demokrat fasadash?”

"Shqipëria duket sikur të jetë e nemur sepse çdo politikan i suksesshëm zhvillohet në një despot arrogant brenda një periudhe të shkurtër kohe..."

Gazeta e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” në botimin e saj të së dielës (NZZ am Sonntag) ka botuar një portret të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që e titullon “Frikësimi është mjeti i tij”. Autore është gazetarja austriake Adelheid Wölfl, eksperte e Ballkanit.

albinfo.ch sjell artikullin në gjuhën shqipe, me shkurtime.

Për një kohë të gjatë ai jetonte nga imazhi i tij si artist dhe njeri  sharmant. Megjithatë, si Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, ashtu si paraardhësit e tij në detyrë, po bëhej gjithnjë e më autoritar.

Para zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen të dielën e ardhshme, Rama me sa duket nuk po lë derë pa hapur për të siguruar rizgjedhjen e tij. Autoritar, agresiv, i shfrenuar, seksist gjithsesi, 56-vjeçari lufton për të mbetur në pushtet.

Edi Rama dikur qe ngritur për të luftuar nepotizmin dhe korrupsionin në Shqipëri, për të mbështetur mendimin e lirë dhe demokratik si dhe për të krijuar një shoqëri më sociale, sepse ai është kreu i Partisë Socialiste. Dikur i njohur si artist dhe sharmant, ai befasonte vazhdimisht bashkëbiseduesit e tij politikë në Bashkimin Evropian, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane.  Një shqiptar të tillë nuk kishin takuar kurrë më parë.

“Kryebashkiaku i botës”, në vitin 2004

Djali i një skulptori dhe një mjekeje, kishte studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë ku pastaj kishte dhënë mësim. Qe zhvendosur në Paris në mes të viteve 1990 dhe më vonë pati drejtuar Ministrinë e Kulturës të vendit të tij. Ai konsiderohej një njeri “i lirisë dhe i perëndimit”.

Në vitin 2000, Rama qe zgjedhur kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe që nga ajo kohë kishte bërë që ngjyra gri, komuniste e kryeqytetit të pastrohej me tone pastel. Ai kishte rrënuar ndërtesa të ngritura në mënyrë të paligjshme. Në vitin 2004 ai madje mori çmimin e kryebashkiakut më të mirë të botës (World Mayor).

Një reformë gjyqësore në të cilën gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar u larguan nga zyrat e tyre konsiderohet merita e madhe e mbretërimit të tij, përcjell albinfo.ch. Po çfarë ndodhi në të vërtetë me Ramën?

Trashëgimia e diktatorit

Pas tetë viteve si kryetar i qeverisë, historia duket se përsëritet. Në vitin 2013, Rama donte të largonte nga zyra Sali Berishën e etur për pushtet. Opozita tani dëshiron të bëjë diçka të ngjashme me Ramën. Shqipëria duket sikur të jetë e nemur sepse është evidente se çdo politikan i suksesshëm zhvillohet në një despot arrogant në një periudhë të shkurtër kohe, si  një riinkarnim, në formë më të butë, i diktatorit stalinist, Enver Hoxha.

Duket kështu, sepse  edhe Rama përdor frikën si mjetin më të rëndësishëm në politikë. Në Shqipëri, që dikur ishte diktatura më e keqe staliniste në Evropë, trauma e persekutimit brutal të atyre që mendojnë ndryshe, mbamendja për kontrollin total të shtetit deri në nivelin personal, është akoma e ngulitur në ndërgjegjen e shoqërisë.

Frika nga ajo mund të ngjallet përsëri në çdo kohë.

Edhe tani, më shumë se 30 vjet pas përmbysjes së diktaturës, shumë qytetarë nuk e kanë kuptuar se kanë të drejtë për të jetuar në liri, trasnmeton albinfo.ch. Përballë agresivitetit të diskursit politik, shumë shqiptarë po bien në një lloj ligështie qytetare.

Dikur ishte “Sigurimi” i tmerrshëm i shtetit ai që kryente terror, përgjime dhe burgosje të dhjetëra mijë shqiptarëve.

Sot, pak para zgjedhjeve të 25 prillit, është bërë e njohur se një bazë e të dhënave e krijuar gjoja nga Partia Socialiste Ramës, përmban prejardhjet familjare dhe marrëdhëniet e punës të 910,000 votuesve në rajonin e Tiranës.

Të dhënat besohet se kanë ardhur nga një faqe në internet e qeverisë që për herë të fundit është përdorur për t’u dhënë qytetarëve qasje gjatë karantinës. Ato gjithashtu japin informacione rreth asaj se kush ka votuar në të kaluarën dhe cilat preferenca të partive ka gjasa të jenë të pranishme sot.

Është  padyshim një sistem patronimi dhe kontrolli që të kujton komunistët. Dhe si mund të ndihesh i lirë kështu?

Rama ishte mbase gjithmonë vetëm një demokrat fasadash. Ai që  prirjen drejt mendimit autoritar dhe kontrollit të qytetarëve e  pikturoi me ngjyrat e ndezura të lirisë dhe demokracisë, ashtu sikundër kishte pikturuar dikur fasadat në Tiranë.

Edhe më shumë se paraardhësit e tij, kreu i qeverisë së Shqipërisë ka marrë kontrollin e mediave dhe sektorëve që jetojnë nga tenderët shtetërorë. Disa oligarkë marrin praktikisht të gjithë tenderët – qoftë në menaxhimin e mbeturinave, në sektorin e shëndetësisë apo në ndërtimin e rrugëve.

Krimi i organizuar

Sipas një raporti nga Transparency International nga viti 2020, partneriteti midis politikës, biznesit dhe krimit të organizuar është forcuar në dhjetë vitet e fundit. Në vendin me 2.8 milionë banorë, i cili në vitet e fundit ka regjistruar rritje të vazhdueshme ekonomike, nuk ka një ekonomi reale të tregut, përcjell albinfo.ch. Rreth një e katërta e shqiptarëve jetojnë në kufi të varfërisë.

Partnerët më të afërt në politikën e jashtme të Ramës sot janë dy udhëheqës po aq autoritarë – presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidenti i Turqisë, Tajip Erdogan, i cili i ka siguruar Ramës një aeroplan VIP prej 90 milionë dollarësh, transmeton albinfo.ch.

Lideri socialist shqiptar jeton në një vilë moderne si një bunker në periferi të Tiranës.

Buzëqeshja tërheqëse e Ramës i ka lënë tani vendin asaj të një pashai të zymtë, të kotë, konstatojnë ish të besuarit e tij. Një diçka që në Shqipëri është e njohur, që nga paraardhësit e tij.