Opinione

Liria e tregut ka çmimin e saj ose: A duhet protestuar për biletat?

Liria në përgjithësi dhe liria e tregut në këtë rast, ka çmimin e saj. Në Zvicër po e shijojmë në maksimum këtë sistem liberal, që na mundëson parimisht punë dhe jetë të mirë. Si të tillë duhet ta pranojmë, edhe në rastet kur nuk na pëlqen

Diaspora shqiptare përballet me disa vështirësi gjatë pushimeve verore, në korrik e gusht. Së fundi po diskutohen dy çështje, ajo e biletave të shtrenjta të udhëtimeve ajrore nga vendet e Europës për në Shkup, Prishtinë e Tiranë; si dhe trafiku i madh gjatë rrugës me automjete për në Ballkan. Madje është paralajmëruar dhe një protestë në lidhje me biletat e shtrenjta. Një ide e cila fillimisht duket se buron nga një parti majtiste ekstreme, e cila po synon heqjen e ekonomisë së lirë duke e zëvëndësuar me pamfletin marksist të funksionimit të ekonomisë. Por, iniciativa vjen si rezultat i frustrimit të një pjese të shqiptarëve në Zvicër, ndoshta edhe përtej, e cila organizohet nga një moderator shqiptar në Zvicër. Iniciatori ka të drejtë kur thotë që biletat e shtrenjta të udhëtimit po rëndojnë jashtë mase buxhetin e familjeve shqiptare në Zvicër. Por, iniciatori gabon me idenë që kjo gjë në Zvicër luftohet përmes protestave.

Në rastin e biletave të shtrenjta, bëhet fjalë për një rezultat të tregut të lirë i cili, reagon në bazë të kërkesave dhe ofertave. Gjatë sezonit, si zakonisht, kërkesa është më e madhe për të udhëtuar dhe biletat rrjedhimisht bëhen më të shtrenjta – ligj i thjeshtë i ekonomisë së lirë. E gjithë bota e zhvilluar funksionon sipas këtij rregulli dhe ligji, ekonomia është parimisht e lirë të vendos për çmime dhe oferta të produkteve. Parimisht dhe brenda ligjit dhe idesë së tregut të lirë dhe brenda etikës për të mbrojtur konsumatorin. Si shembull, në rastin e Zvicrës, ka zyra shtetërore përkatëse që mbikëqyrin çmimet për konsumatorin (qytetarin), si dhe institucione shtetërore që kontrollojnë nëse tregu në të vërtet funksionon i lirë. Rreziku i mundshëm do të ishte, për shembull: nëse brenda një tregu të caktuar (në rastin konkret, brenda tregut të udhëtimeve ajrore nga Zvicra për në Prishtinë dhe Shkup), ka marrëveshje të fshehtë, jo ligjore, nga dy ose më shumë operatorë të ndryshëm, për ti mbajtur çmimet sa më lartë dhe për të përfituar maksimalisht.

 

Në rastin konkret, ku operatorët janë kompani të mëdha si për shembull Edelweiss Air, që operon në mbarë botën, një marrëveshje joligjore duket e pamundur. Madje në situata të tilla institucionet zvicerane të përmendura më lart, do të aktivizoheshin shumë shpejtë. Arsyeja e çmimeve të larta, që fundja është relative, qëndron brenda tregut. Tregu nga Zürichu për në Shkup e Prishtinë është shumë i madh, aq sa ka dy, deri në katër udhëtime në ditë, edhe jashtë sezonit. Por operatorët janë të paktë, gjë që këtë biznes e bën shumë fitimprurës për operatorët ekzistues, derisa shumica e biletave shiten shumë shpejt. Një zgjidhje mund të jetë, që brenda tregut të përfshihen operatorë të tjerë që do të ofrojnë udhëtime, dhe si rezultat i kësaj konkurrence natyrale, edhe çmimet do të ulen në një nivel të arsyeshëm.

 

Me protestë në Zürich nuk do arrihet asgjë në këtë drejtim. Kujt iu drejtohet protesta? Konsullatës së Kosovës, lexova diku. Konsullata ka lidhje me biletat e udhëtimeve, sa unë me UFO-t, asnjë lidhje. Shteti ka shumë përgegjësi, por jo për çmimet e udhëtimeve ajrore. Dhe shumë mirë që s’ka përgjegjësi aty, sepse kështu funksionon tregu i ekonomisë së lirë. Shtetet që ndërhyjnë në ekonomi, si për shembull Venezuela me sistemin komunist, janë duke u vetëshkatërruar dhe drejt falimentimit total.

 

Shteti mban përgjegjësi për diçka tjetër që gjithashtu i brengos shqiptarët: trafiku i madh gjatë rrugës dhe në kufi. Sepse Kufiri shtetëror është pjesë e institucioneve shtetërore dhe pronarët e atyre institucioneve janë qytetarët. Nuk e di nëse do të kishte efekt, por së paku adresimi për këtë problem është i drejtë.

 

Liria në përgjithësi dhe liria e tregut në këtë rast, ka çmimin e saj. Në Zvicër po e shijojmë në maksimum këtë sistem liberal, që na mundëson parimisht punë dhe jetë të mirë. Si të tillë duhet ta pranojmë, edhe në rastet kur nuk na pëlqen.

Autori është parlamentar në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut, nga Partia Liberale (FDP).

  • Ky është një opinion i autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimin e redaksisë