Lajme
Liderët shqiptarë urojnë presidentin Trump, shpresojnë në mbështetjen amerikane
Shqiptarët besojnë se mbështetja amerikane për vendet e Ballkanit, kryesisht ato të banuara me shqiptarë, nuk do të mungojë
liderët politikë e institucionalë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni kanë uruar presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për marrjen e detyrës së re. Shqiptarët besojnë se mbështetja amerikane për vendet e Ballkanit, nuk do të mungojë.
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka uruar presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me rastin e marrjes së detyrës, ku ka shprehur mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në mbështetje të shqiptarëve për më shumë se një shekull.
“Shkëlqesia juaj, inaugurimi dhe marrja e detyrës së Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më jep edhe njëherë kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju shpreh urimet më të mira e të sinqerta dhe t’ju uroj shumë suksese në përmbushjen e angazhimeve presidenciale”, ka shkruar Nishani në letrën e tij.
“Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për gjithçka Shtetet e Bashkuara kanë bërë në mbështetje të shqiptarëve për më shumë se një shekull, si dhe bindjen se partneriteti strategjik mes dy vendeve do të thellohet edhe më shumë gjatë presidencës suaj. Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë për Shqipërinë dhe shqiptarët mikun dhe partnerin kryesor strategjik dhe ju siguroj se shqiptarët do të vijojnë të jenë krah jush në realizimin e agjendës suaj kundër ISIS dhe terrorizmit ndërkombëtar, por edhe për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të agjendës euroatlantike”, ka thënë Nishani.
Edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka uruar presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për marrjen e detyrës së re.
“Ju uroj për detyrën e re, Shkëlqesia Juaj, president Trump. E mirëpresim energjinë dhe pasionin që keni dëshmuar për përgjegjësinë tuaj në krye të shtetit”, është shprehur presidenti Thaçi në urimin e tij.
“Kosova i ka gjithmonë sytë e drejtuar nga Uashingtoni. Jemi krenarë që ndajmë të njëjtat vlera, prioritete dhe aspirata me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”, ka thënë në urimin e tij presidenti Thaçi.
“Kemi konsensus të plotë në Kosovë për miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për marrëdhëniet tona speciale”, theksoi presidenti Thaçi, i cili shtoi se “i gëzohemi mundësisë që të zhvillojmë tutje këtë miqësi me juve president Trump”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, se në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës përgëzon Presidentin e posa inauguruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, duke i uruar gjithë të mirat dhe suksese.
“Roli i presidentëve amerikanë ka qenë vital për Kosovën dhe qytetarët e saj, gjatë tri dekadave të fundit. Presidenti George H. Ë. Bush, në vitet ’90, i vuri Vijën e Kuqe regjimit kriminal të Millosheviqit për Kosovën. Gjatë presidencës së Presidentit Bill Clinton, Kosova u çlirua. Presidenti George Ë. Bush dha kontribut esencial për pavarësimin e Kosovës. Administrata e Presidentit Obama, nën kujdesin e veçantë të zëvendëspresidentit Biden, e kishte në vëmendje të politikës së jashtme Kosovën”, ka kujtuar Mustafa.
“Jam plotësisht i bindur se Presidenti Trump me lidershipin e tij, do përkrahë Kosovën në anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe rrumbullakimin e të gjitha elementeve të shtetësisë. Qeveria dhe populli i Kosovës janë jetësisht të përkushtuar për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e bartur me krenari epitetin e ‘popullit më proamerikan në glob’”, ka shkruar më tej Mustafa.
Presidentin e ri amerikan e ka uruar edhe lideri opozitar në Shqipëri, Lulzim Basha.
“Urime Presidentit Trump! Zoti e ndihmoftë në detyrën e tij! Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!”, shkruan Basha në rrjetin social Facebook.
Edhe kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka uruar në Facebookun e tij presidentin e ri amerikan, Donald Trmp.
“Urime për Presidentin e ri të posa inauguruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump. Presidenti Trump dhe SHBA-të do vazhdojnë ta mbështetin dhe të jenë partner strategjik i Kosovës ashtu siç kanë qenë gjithmonë”, ka shprehur bindjen Limaj.
“Historikisht, për ne Amerika është vendi dhe amerikanët janë populli që vetëm pozitivitet ka ditur të na sjellin në çdo kohë. Kosova do jetë çdo herë mike e mirë e Amerikës”, thotë ai.
Kryetarine ri amerikan e ka uruar edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti. Edhe ky i fundit thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë partner strategjik i Maqedonisë, shqiptarëve dhe Ballkanit në rrugëtimin e pandalshëm euro-atlantik.
”Duke i uruar shëndet në sukses në detyrën e re Presidentit Trump, mbetemi besimplotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë partner strategjik i Maqedonisë, Shqiptarëve dhe Ballkanit në rrugëtimin tonë të pandalshëm euro-atlantik”, thotë ai.
E-Diaspora
-
“Një brez mes rrënjëve dhe integrimit”, temë bosht e numrit të ri të albinfo.ch Në artikullin bazë të revistës përmes rrëfimeve personale, tregohet se si dy kultura mund të bashkëjetojnë dhe... -
Gjermani
Stuttgart: Kryeministri i ri është me origjinë nga Turqia, zonja e parë një shqiptare -
Pandova
Filmi “Zgjoi” prezantohet në Padovë para audiencës italiane dhe diasporës shqiptare -
Suedi
Arsimi dual në Kosovë, përvoja suedeze dhe fuqizimi i vajzave në shkollat profesionale -
Londër
Eralda Qirjo dhe Arben Neza zgjidhen në Këshillin Bashkiak të Enfield-it në Londër
Jeta në Austri
-
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” Artisti shkodran përfaqëson Shqipëria në Eurovision Song Contest, ndërsa publiku nga Kosova mund ta mbështesë përmes... -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri












