Kosova

Figura atdhetare e Ibrahim Fehmiut, frymëzim për gjeneratat

Në Gjakovë u mbajt një akademi Solemne kushtuar 28 nëntorit dhe mësuesit të popullit, intelektualit te kohës, veprimtarit dhe atdhetarit Ibrahim Fehmiu

Mbrëmjen e të premtës me datë 26 nëntor në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë u mbajt akademi solemne për nder të festës së flamurit dhe figurës së njohur të arsimit mbarë kombëtar Ibrahim Fehmiu, akademi kjo e organizuar nga shoqata e intelektualëve “Jakova” dhe shoqata “GjakovaBasel”.

Akademia u hap me himnin kombëtar të kënduar me mjeshtri nga kori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova”.

Fjalën e hyrjes e mori njëri nga organizatorët përkatësisht kryetari i shoqatës” Jakova” Prof.dr Ruzhdi Sefa. Ai, veç tjerash tha se kjo akademi e organizuar nga dy shoqatat është burim i frymëzimit dhe respektit që ata kanë për mësimdhënësit respektivisht për mësuesin e popullit, intelektualin e kohës dhe veprimtarin Ibrahim Fehmiu në 70 vjetorin e vdekjes e në prag të 130 vjetorit të lindjes.

Aktori i njohur gjakovar Jahja Shehu kishte zgjedhur të lexonte fragmente nga libri i Bekim Fehmiut ku përshkruhet babai i tij Ibrahimi.

Figurën e lartë të Ibrahim Fehmiut e nderuan edhe historianët Dr. Alban Dobruna e Prof.Dr. Shevqet Canhasi.

Dobruna tha që Ibrahim Fehmiu konsiderohet figura më e mirë e mësuesit dijetar, pishtar i arsimit kombëtar e patriot model që gjithë jetën e kaloi në luftë e përpjekje për ngritjen e arsimit kombëtar, ruajtjen e gjuhës e të kulturës shqiptare.

Ai e përshkroi Fehmiun si njërin ndër përfaqusesit më të spikatur të brezit të parë që përbëhej prej 21 mësuesish, të lindur në çerekun e fundit të shek. XIX, dhe që u arsimuan kryesisht në gjuhën osmane në Shkup, duke u bërë shtegtarë të arsimit që shpërndanë dritë nga periudha e pavarësisë e këndej.

Tutje ai tha qe Ibrahim Fehmiu ishte njëri ndër mësuesit që kontribuan në shtëpitë private të Malësisë së Gjakovës në shërbim të shkollës dhe të arsimit shqip si në Kolgecaj, ku u hapë një e tillë në shtëpinë e tregtarit nga Gjakova, Sadik Lama, ku dha mësim  së bashku me Niman Ferizi.

Në vitin 1923 u ndërtua shkolla-konvikt i nxënësve “Kosova”, ku drejtor ishte Niman Ferizi, mësues Ibrahim Fehmiu e Osman Shaqiri. Ibrahim Fehmiu në shtetin shqiptar dha një kontribut të çmueshëm jo vetëm në në arsimimin dhe edukimin kombëtar, por edhe në administratë.

Kaloi në jetën e amshushme në moshën 59 vjeçare, duke mbetur shembëlltyrë për idealet kombëtare, gjë të cilën e tregon më së miri emrat shqip të 8 fëmijeve të tij: Besa, Shpresa, Afërdita, Luljeta, Bashkimi, Arsimi, Fatmiri dhe Bekimi. Mijëra qytetarë nga Prizreni, nga Gjakova, nga mbarë Kosova, e përcollën për në banesen e fundit.

Gjithashtu në pamundësi për të qenë fizikisht në këtë aktivitet z. Adil Fetahu kishte dërguar një shkrim të titulluar “ Letërkëmbimet” e Ibrahim Fehmiut.

Në letrën e tij ai tha që Fehmiu  ishte dijetar, mësues, drejtor shkolle, drejtor didaktik dhe inspektor i arsimit, luftëtar i patrembur, me penë e me pushkë, për lirinë dhe arsimimin e popullit, për gjuhën dhe për shkollën shqipe. Ne shkrimin e tij ai kishte permendur disa nga letërkëmbimet e rëndësishme të Ibrahim Fehmiut, me ministrinë e atëhershme te arsimit, me z. Harry Fultz e shume letra te tjera zyrtare.

 

Edhe historiani Canhasi vlërësoi kontributin e veprimtarit Fehmiu për ngritjen e arsimit dhe hapjen e shkollave shqipe. Canhasi kishte përgatitur një fjalim me shkrimet historike të Ibrahim Fehmiut. Ai tha që përzgjedhja e kësaj teme ështe e lidhur ngushtë me historinë, me luftën , me gjakun e derdhur për të hapur shkollën shqipe. Canhasi kishte përgatitur një numër të madh të shkrimeve te vlefshme historike të Ibrahim Fehmiut.

I pranishëm në këtë akademi ishte edhe nipi i  Ibrahim Fehmiut, Agon Fehmiu i cili tha se ndjehet jashtëzakonisht i nderuar që gjendet në mesin e njerëzve që e çmojnë dhe vlerësojnë veprën e gjyshit të tij. Ai tha që sonte është këtu në emër të babait te tij, Prof. Arsim Fehmiu të birit të vetëm të gjallë të Ibrahim Fehmiu, i cili për shkaqe të pandemisë e ka pasur të pamundur të gjendet në mesin tonë.

Me një letër përshëndetëse lexuar nga djali i tij, Prof. Arsim Fehmiu përshëndet të pranishmit dhe falenderon organizatorët per këtë akademi. Ai ndër rreshta kishte shkruar që babai i tij Ibrahim Fehmiu ishte njëri nga bijt e popullit që veproi për të edukuar, arsimuar e ndritur kombin tonë.

Në letrën e dërguar përmes djalit te tij prof. Arsimi kujton kohën kur ishte i ri që sa herë përmendej babai i tij të vjetrit thoshin : “Gjuhën shqipe me shkrue e me k’nue e kemi mësue në xhami , prej hoxhës, efenis, Ibrahim Fehmis, kemi mësue me i thon Nonë-Shqipnisë”…!

Njëherësh Agon Fehmiu falenderoi dy shoqatat organizatore dhe gjithë të pranishmit në sallë duke thënë që është tejet mirënjohës që po përkujtohet trashëgimia e gjyshit te tij, trashëgimi e cila sa është njerëzore dhe kombëtare dhe që në 129 vjetët që kaluan ishte shembull i figurës dhe personalitetit i cili duhet ndjekur.

Për t`i dhënë hijeshi dhe gjallëri aktivitetit, të pranishëm ishin edhe vokalisti Adhurim Grezda dhe Ansambli i këngëve dhe valleve i Gjakovës me udhëheqës Shkëlqim Rracin. Ata ekzekutuan disa pika teë mrekullueshme muzikore.

Akademia u përmbyll me një fjalë rasti nga kryetari i shoqatës “GjakovaBasel” dhe “ABSM” me seli ne Basel, Zvicër, Skënder Nikoliqi, i cili e nderoi familjen famëmadhe Fehmiu me mirënjohje për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi dhe veçanërisht në fushën e arsimit, shkencës dhe të kulturës shqiptare.

Mirënjohje per familjen Fehmiu, për veprimtarinë dhe kontributin e lartë u nda edhe nga shkolla shqipe LAPSH  (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “N.Frashëri”) në Zvicër.