Edhe pas tri vjetësh pavarësi, nuk bie numri i azilkërkuesve kosovarë
Azilkërkuesit që paraqiten vullnetarisht për kthim, përfitojnë një ndihmë për fillim të ri të jetës në Kosovë
Portali zviceran swissinfo.ch në një shkrim të publikuar sot, bën fjalë për programin zviceran përmes të cilit refugjatët që kthehen në Kosovë përfitojnë ndihma materiale.
Edhe tre vjet pa shpalljes së pavarësisë, numri i kosovarëve që kërkojnë azil në Zvicër nuk ka rënë, thuhet në fillim të shkrimit. Gjatë vitit 2010 strehim kanë kërkuar 602 persona nga Kosova, shqiptarë, serbë, romë etj. Shumica e tyre kanë ardhur nëpër rrugë ilegale.
Grégoire Crettaz, përgjegjës për migracion në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë merret me shqyrtimin e fakteve në terren, nëse informatat që i japin azilkërkuesit kosovarë në Zvicër kanë të bëjnë me të vërtetën.
“Shpesh ndodh të lindin sherre në mes të familjeve që përfundojnë edhe me vrasje dhe pastaj familja e vrasësit kërcënohet nga familja e viktimës. Detyra ime është të vërtetoj nëse të dhënat qëndrojnë”, thotë Crettaz. Ai i hulumton këto raste dhe thotë se është e vështirë të konstatohet e vërteta në çështje si këto.
Crettaz është marrë edhe me rastet e grave të reja që janë izoluar nga familjarët, për shkak se ishin martuar pa miratimin e familjes. Për një grua të paarsimuar, që duhet të kthehet e vetme dhe nuk mund të llogarisë në mbështetjen e shtetit ose të familjes, jeta këtu mund të jetë e vështirë. Në raste të tilla duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, thotë Crettaz.
Edhe në rastet kur një person nuk i plotëson kushtet për azil por konsiderohet se në rast kthimi do të ishte i rrezikuar, atij mund t`i lejohet një pranim i përkohshëm në Zvicër, me ç`rast mbështetet materialisht nga shteti.
Azilkërkuesit të cilëve u refuzohet kërkesa për strehim, në rast se paraqiten vullnetarisht për kthim, përfitojnë një ndihmë për fillim të ri të jetës në Kosovë. Këtë ua mundëson një program i veçantë i shtetit zviceran për kthim vullnetar. Për riatdhesimin kujdeset Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM). Ajo organizon këshillimet, transportin dhe pritjen.
Zvicra, përmes programit EAS (Employment Assistance Programme) të IOM financon masat për ndërmjetësim të punësimit të cilat përmirësojnë jo vetëm shanset ekonomike të të kthyerve por edhe të komunitetit pritës, ku jeton i kthyeri. Kujdes i veçantë në këtë drejtim u kushtohet grupeve më të rrezikuara si komunitetit shkali, i cili edhe më tej vazhdon të përballet me diskriminim.
Në vazhdim swissinfo.ch merret me dy raste të kthyerish të cilët kanë përfituar nga programi. Njëri prej tyre është Burim Danqi, pjesëtar i komunitetit shkali, me profesion saksofonist. Programi zviceran ia ka mundësuar atij të blinte saksofonin, pultin, mikrofonin dhe altoparlantin, në mënyrë që ai, me të kthyer nga Zvicra, të mund të fillonte punën në profesionin e tij.
Dançi kishte shkuar në Zvicër në vitin 2008, ku kishte kërkuar azil. Atje, siç thotë ai, kishte bërë muzikë në restorante të ndryshme dhe kishte fituar mirë. Por, nuk kishte mundur të përballonte jetën larg familjes kështu që ishte paraqitur për kthim vullnetar në Kosovë. Burim Danqi, si ndihmë për kthim ka marrë 2000 franga. Pastaj 3000 franga i janë paguar për qiranë një vjeçare si dhe një ndihmë për fillim të ri prej 3229 frangash. Falë kësaj ndihme Danqi nga komuna e Lipjanit ka pasur sukses që të gjejë punë në vazhdimësi. Një sukses i vënë re për një vend ku gjysma e popullatës është e papunë.
Edhe Shaban Sejdiu, që punon në një garazh për rregullimin e automjeteve në Lipjan, pas kthimit të tij nga Zvicra ka përfituar nga programi EAS një shumë të përafërt me atë të Burim Danqit. Me paratë e fituara ai ka mundur të rregullonte shtëpinë e dëmtuar nga lufta dhe të blinte pjesën e garazhit. Sot ai ka në vazhdimësi punë, që atij dhe partnerit me të cilin ndan garazhin, i sjellin rreth 400 euro në muaj, të cilat duhet t`i ndajnë përgjysmë. Dhe kështu janë diku në mesataren kosovare të të ardhurave.
Me gjithë suksesin e programit, në IOM thonë se kjo nuk mjafton për të ndalur valën e atyre që duan të dalin jashtë Kosovës.
Cretazz nga ana e tij çdo ditë ballafaqohet me vargun e gjatë të njerëzve që presin për një vizë në hyrje të Ambasadës së Zvicrës. Fakti se nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej nuk ka zvogëlim të kërkesave për strehim në Zvicër, sipas tij nuk duhet të na habisë. Pothuaj asgjë nuk ka ndryshuar në Kosovë nga ajo kohë. Vendet e punës janë të rralla, rrogat të ulëta e shpenzimet e jetës të larta.
Gjatë vitit të kaluar janë dhënë rreth 15000 viza udhëtimi për në Zvicër. Nëse detyrimi për vizë në zonën e Shengenit do të hiqet shpejt ose jo, mbetet çështje e hapur. Dihet se Kosova është vendi i fundit nga ish RFJ që vazhdon të ketë këtë detyrim.
Sipas njohësve të problematikës, në momentin kur ky detyrim të hiqet, do të kishte edhe më shumë njerëz që do të braktisnin Kosovën për të vizituar të afërmit e tyre në Zvicër, ku sot jetojnë rreth 170`000 kosovarë, përfundon swissinfo.ch. (B.)
E-Diaspora
-
Berlin: Besim Gashi u nderua me mirënjohjen e arritjes nga autoritetet e Bundeswehr-it Në ceremoninë e fundit të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Nënkolonel...
-
“Kërcimi i Tropojës”, zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO
-
Vajzat shqiptare nga Haraçina “sundojnë” Belgjikën
-
Gashi: Diaspora – një urë lidhëse për zhvillimin ekonomik të Kosovës
-
Presidenti Bajram Begaj vizitoi shkollën shqipe në Bolonjë, përgëzon shqiptarët për ruajtjen e identitetit
Jeta në Austri
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë Kanë mbaruar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës. Aty nuk përfunduan ambiciet e tyre. Ata azhduan...
-
Kriza e Volkswagen prek 6300 vende pune në Austri
-
Papunësia në Austri rritet në 384,000 njerëz në nëntor
-
A mund të lehtësojë një qeveri e re austriake rregullat e natyralizimit?
-
Supermarketet, gati për sistemin e depozitave njëpërdorimshe të Austrisë