Kosova
Dallimi mes Tribunalit të Hagës dhe Gjykatës Speciale
Këto Dhoma të Veçanta apo kjo Gjykatë Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’
Rastet e dyshuara për krime lufte në Kosovë, që nga viti 1999 e këndej janë trajtuar në formë të ndryshme nga organet e drejtësisë, kryesisht ato ndërkombëtare.
Fillimisht, me këto raste është marrë administrata e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila kishte shtrirë pas luftës së fundit edhe sistemin e saj të drejtësisë në Kosovë, si dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë të Holandës, e themeluar nga Kombet e Bashkuara.
Më pas, këto raste u trajtuan edhe nga drejtësia e Bashkimit Evropian, përmes misionit të EULEX-it, raporton “Evropa e Lirë”.
Ndërkaq, aktualisht, këto raste i kanë marrë përsipër Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura ndryshe edhe si Gjykata Speciale, përcjell albinfo.ch.
Këto Dhoma të Veçanta apo kjo Gjykatë Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.
Risia e trajtimit të rasteve të dyshuara, tani qëndron te fakti se Dhomat e Specializuara edhe pse të përbëra nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe me seli në Hagë, do të funksionojnë me Kodin Penal dhe ligjet e aplikueshme të Kosovës.
Zyrtarët e Gjykatës Speciale kanë deklaruar se puna është duke vazhduar në përputhje me mandatin e këtyre institucioneve gjyqësore të Kosovës.
Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, duke folur për Radio Evropa e Lirë, thotë se ingerenca, kompetencat dhe juridiksioni i Gjykatës Speciale, në krahasim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë është i njëjtë. Por, ka dallime vetëm forma e themelimit, qëe përcakton edhe me cilat ligje do të veprojë kjo gjykatë.
“Dallimi esencial, krucial, vendimtar, është se kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës me ligjin e Kosovës. Ky është dallimi i parë në krahasim me Tribunalin e mëhershëm. Kjo gjykatë do të gjykojë sipas ligjit të aprovuar dhe ligjeve penale që kanë qenë dhe që janë në fuqi në Kosovë. Përndryshe, të tjerat dallime janë se është e themeluar në Kosovë, por selinë e ka në Hagë. Kurse, kompetencat dhe juridiksioni është i njëjtë sikurse i asaj gjykatës së mëhershme të Tribunalit të Hagës”, shpjegon Salihu.
Ai thotë se edhe dënimet eventuale do të shqiptohen sipas ligjeve që kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së krimeve eventuale.
Kurse, profesori i Çështjeve Kushtetuese – Juridike, Riza Smaka, konsideron se dallimet midis këtyre dy gjykatave asaj Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe kësaj që e kanë themeluar institucionet e Kosovës, janë të mëdha dhe të papërputhshme e të papara.
Sipas tij, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, i ka trajtuar të gjitha rastet e dyshuara për gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, kurse Dhomat e Specializuara të tashme, do të trajtojnë kryesisht vetëm rastet e supozuara të krimeve të luftës të kryera në Kosovë.
Profesori Smaka nuk e sheh fare si pozitive që një gjykatë e tillë zbatohet vetëm për një territor të caktuar.
“Është joparimore dhe ka kolizione me doktrinën juridike penale sa i takon kësaj gjykatës penale që i referohet trajtimit të rasteve të përmendura”, thotë Smaka.
Ai thekson se Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar, janë vonuar për të hyrë në funksionim e tyre.
Ndërkaq, ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa, konsideron se nuk ka dallime të mëdha ndërmjet Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Dhomave të Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.
“Unë nuk e di sa ka dallime aty. Proceduara nëse duhet të zhvillohet me legjislacionin e Kosovës, ai është i njëjtë. I gjithë legjislacioni që është ndërtuar [në Kosovë] është ndërtuar sipas normave ndërkombëtare dhe ato raste kanë mundur të trajtohen edhe këtu. Por, po shkojnë atje, tash ku është kompetenca ku është zhvilluar ngjarja. Ata i kanë marrë ato rastet e veçanta më herët, por i kanë pasur edhe normat që i kanë nxjerrë”, thotë Haxhimusa.
Ndryshimet ndërmjet Gjykatës Speciale dhe asaj të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në Territorin e ish-Jugosllavinë, kanë të bëjnë edhe me strukturën. Gjykata për ish-Jugosllavinë ka qenë me tri dhoma, Gjykatën, Apelin dhe Organin e Akuzës.
Gjykata e Kosovës ka dy institucione, Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.
Dhomat janë pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë dhe i bashkëngjiten Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Në to punojnë gjykatës të emëruar nga EULEX-i.
Gjykata Speciale, pritet të trajtojë raste të dyshuara të krimeve të luftës, si dhe ato të fazës së parë të pasluftës.
Themelimi i kësaj Gjykate nga ekspertët e çështjeve penale – juridike është konsideruar si dështim jo vetëm i organeve vendore, por edhe autoriteteve ndërkombëtare që për këta 18 vjetët e fundit kanë punuar në fushën e sistemi të drejtësisë në Kosovë.
Aktualisht, Zyra e Prokurorit Special u ka dërguar ftesat e para për intervista disa personave, kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, në këto ftesa nuk është sqaruar se në çfarë cilësie janë ftuar ata për intervistim.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Rumani
Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit Besa Llugiqi zgjeron karrierën ndërkombëtare me debutimin në Operën e Bukureshtit... -
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç












