Lajme

Në Cyrih u shënua Përvjetori i Pavarësisë dhe i Epopesë së UÇK-së

Në manifestimin e organizuar nga Konsullata e Kosovës morën pjesë Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla

Me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih ka organizuar të shtunën mbrëma (4 mars 2023) në Hotel Kameha Grand në Cyrih pritjen tradicionale për Ditën e Pavarësisë të Republikës së Kosovës, 17 shkurtin dhe  25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një ambient festiv e me shumë mysafirë, pas pritjes së të ftuarve, fillimit ceremonial me intonimin e himneve të Shtetit të Kosovës dhe himnin e Konfederatës së Zvicrës, të pranishmit i përshëndeti Z. Qëndresa Sadriu-Hoxha, e cila tha se ndihet e privilegjuar për mundësinë që në këtë datë të rëndësishme t`i drejtohet komuniteti shqiptar në Zvicër, si deputete kantonale në Cyrih.

Qëndresa Sadriu-Hoxha

Ajo tha se ndihet krenare me pozitën që sot komuniteti ynë gëzon në shtetin helvetik, shkruan albinfo.ch.

Sadriu-Hoxha ka përshëndetur mysafirët nga Prishtina, Zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Kosovës Besnik Bislimi dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes, z. Shemsi Syla.

Po ashtu i pranishëm në këtë solemnitet edhe bashkëkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Zvicër Kosovë në Parlamentin federal zviceran z. Cedric Wermuth.

Pastaj, të pranishmëve iu drejtua Konsulli i përgjithshëm, Sami Kastrati. Ai, në fjalën  etij veç tjerash tha: “Ne, jemi vërtet të nderuar dhe privilegjuar që t’ju mirëpresim të gjithë Ju sonte këtu përderisa jemi mbledhur për të shënuar 15 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Konsulli i përgjithshëm, Sami Kastrati 

“Sonte, si asnjëherë më parë, ne duhet të kujtojmë sakrificën e popullit tonë përgjatë historisë; t’i nderojmë dhe përulemi para të gjithë atyre burrave dhe grave heronj të luftës tonë për liri dhe çlirimin e vendit dhe t’i kujtojmë të gjithë udhëheqësit vizionar, që udhëhoqën popullin tonë në kohën tona më të vështira”, tha diplomati Kasrtrati  duke nënvizuar se po ashtu është dita kur ne duhet t’i shprehim mirënjohjen tonë më të thellë të gjitha shteteve mike, aleate dhe partnere,  dhe në veçanti Aleancës Veri atlantike të NATO-s, që ndalën spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi serb i Millosheviqit.

Për Sami Kastratin nuk ka moment më të mirë se pikërisht në ketë datë këtu dhe tash t’i përcjellim mirënjohjen tonë të thellë popullit zviceran dhe Institucioneve zvicerane për mbështetjen e fortë dhe të palëkundur që ata i kanë dhënë Kosovës dhe popullit të saj gjatë momenteve më të errëta të historisë tonë të dhimbshme.

Diplomati kosovar në fund  ka thënë se jo më pak e rëndësishme për t`i shprehur mirënjohjen të sinqertë dhe pëzemërt bashkkombësve tanë për gjithçka që kanë bërë dhe po bëjnë për atdheun e tyre. Ne, jemi krenarë dhe mburremi me çdo storie të suksesi që Ju arrini këtu në Zvicër”, tha tutje Kastrati.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës Besnik Bislimi, në fjalën e tij ka shprehur kënaqësinë që ndodhet në mesin e mërgatës në këtë ditë të shënuar. Ai ka kujtuar me këtë rast meritat e mëdha që ka mërgata shqiptare e Kosovës për të gjitha proceset historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova në dekadat e fundit.

Z. Bislimi po ashtu ka folur për rëndësinë e kujtimit të Epopesë së UÇK-së krahas 15 vjetorit të pavarësisë së shtetit sepse këto të dyja janë të pandashme.

Në vazhdim të fjalës së tij, Bislimi ka falënderuar shtetin dhe popullin e Zvicrës për mbështetjen e dhënë kauzës së Kosovës gjegjësisht pavarësimit dhe zhvillimit të shtetit të ri.

Dhe në fund të pjesës zyrtare të solemintetit e ka përmbyllur bashkëkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Zvicër Kosovë në Parlamentin federal zviceran z. Cedric Wermuth. Ai, në cilësinë e mikut të dëshmuar të shqiptarëve, ka thënë veç tjeras se është koha e fundit që Kosova të lihet të vendosë vetë për veten dhe t`i hiqen “patericat” që ia vendosin në rrugën e zhvillimit të saj. Wermuth këtë e ka thënë në kontekstin e aktualitetit, në të cilin Kosova nuk po trajtohet asht siç ëstë, shtet i pavarur, edhe nga vetë ata që e kanë ndihmuar dhe njohur pavarësinë e saj.

Bashkëkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Zvicër – Kosovë në Parlamentin e Zvicrës, Cedric Wermuth

Më tutje ai ka shprehur kënaqësinë me praninë e madhe të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës në Zvicër, një gjë që para dhjetë e më shzumë vitesh nuk mund tüë merrej me mend. Në këtë vazhdë, Wermuth tha se është shumë e pritshme që nga komuniteti shqiptar i Zvicrës së shpejti të dalin edhe politikanë në strukturat e larta të Zvicrës, gjegjësisht në parlamentin federal, zgjedhjet për të cilin mbahen këtë vit.

albinfo.ch

Në këtë manifestim ka performuar bendi nga Prishtina “Ethnically Plugged” ndërsa mysafirët janë shërbyer me pije na Kosova.

albinfo.ch

Autor i fotografive: Armend Berisha

Më shumë foto në galeri: Fotografi nga Manifestimi me 4 mars 2023